Kryeqyteti mbetet bardheblu. Tirana mposht Partizanin në derbi 0-2, edhe pse luajti me 10 lojtarë për gati një orë. Skuadra e Orges Shehit i shkakton humbjen e dytë në kampionat të kuqve dhe e zgjat serinë e suksesve në ndërqytetase në gjashtë. Të besuarit e Colella mbeten në krye të renditjes, por kampionët në fuqi tani janë vetëm -1.
Një ndeshje me ritëm me episode të diskutueshme, por që për fatin e arbitrit Juxhin Xhaja funksiononte VAR. Përndryshe polemikat do të kishin shpërthyer, duke filluar që nga minuta e 19 në penalltinë në favor të Tiranës. Patrik u rrëzua në zonë pas një kontakti me Matondon. Xhaja vazhdoi lojën, por u thërrit nga VAR dhe pas tre minutash vendosi për 11 metërsh. Rexhepi megjithatë bëri mrekullinë përballë Xhixhës, duke ruajtur portën të paprekur.
Lexo më tej: Vukicevic ‘përmirëson’ rekordin negativ të vjetshëm, Kukësi merr tre pikët e parë: barazim i lodhur në Rrogozhinë
Gjërat u komplikuan për Tiranën papritur. Në minutën e 37’ Lulaj nuk gjeti mënyrë tjetër përvecse me faull për të ndaluar Skukën. Edhe këtu Xhaja bëri me shenjë për lojë, por pasi pa pamjet në VAR i tregoi kartonin e kuq mbrojtësit bardheblu. U duk se Partizani mund të përfitonte, por Tirana tregoi karakterin dhe në shtesën e të parës i ndëshkoi me Xhixhën. Sulmuesi finalizoi një kundërsulm perfekt, duke ndëshkuar daljen e gabuar të Rexhepit.
INCIDENTET
Nervozizmi përfshiu tifozerinë e të kuqve, që fluturuan sende në fushë duke e detyruar arbitrin të ndërpriste ndeshjen tre herë. E gjitha kjo, ndërkohë që stadiumi ishte nën monitorimin e policisë.
Në pjesën e dytë, Partizani provoi gjithcka të evitonte një humbje të turpshme, ndaj një kundërshtari në inferioritet numerik. Bekaj ishte shpëtimtar në të 48’ duke ndalur Da Silvan fillimisht e pastaj goditjen qendrore të Skukës. Të kuqtë sulmuan kokëulur, duke impsnjuar Bekajn edhe në të 54’. Goditja e Da Silvas kaloi gjithë vijën e portës, preku shtyllën para se të largohej nga mbrojtësit. Barazimi dukej në ajër, por Tirana ishte shumë cinike për të mos dënuar një Partizan të brishtë prapa. Në minutën e 68’ Xhixha bëri të harrohet krejtësisht penalltia e humbur dhe fiksoi dygolëshin personal. Në fund kartoni i kuq për Matondon, prish më shumë punë në këndvështrimin e javës së 7. Partizani mbetet në krye me 12 pikë, por tani pas tij janë tre skuadra vetëm 1 distancë larg.