• |
ide | kryesore

“A ka mundësi të bëjnë ndonjë aksion!”: Sacchi hedh poshtë ‘spektaklin’ e ofruar nga Inter e Roma

-Instant, Sport
Sacchi



Roma e Mourinhos arriti të triumfojë në San Siron duke mposhtur Interin 2-1. Dybala e Smalling përmbysën avantazhin zikaltër të Dimarco dhe verdhekuqtë u ngjitën tashmë në 16 pikë. Ai që rrezikon në këtë situatë është Simone Inzaghi, pankina e të cilit lëkundet. Ishte një ndeshje shumë taktike, siç kanë theksuar shumë specialistë, por ka nga ata që nuk e kanë pëlqyer fare spektaklin. Ashtu si Arrigo Sacchi, i cili i intervistuar nga Gazzetta dello Sport, shprehu të gjithë zhgënjimin e tij.

Në vitet ’90, Arrigo Sacchi revolucionarizoi lojën e futbollit. Diferenca ishte në presionin asfiksues dhe dinamizmin ekstrem që karakterizonte ekipet e tij proaktive. Ja pse sa herë flet ish-trajneri i Milanit dhe Kombëtares së Italisë, futbolli dëgjon. Edhe kur ai shpreh zhgënjimin për mungesën e spektaklit të ofruar nga Interi dhe Roma gjatë ndeshjes në San Siro: “Në një moment pyeta veten: A do të bëjnë një aksion? Nuk shihej asgjë, një bllok difensiv në njërën anë dhe njësoj në tjetrën. Presing nuk bëhej fjalë. Interi dhe Roma u mbrojtën me tetë lojtarë. Kështu që ishte e vështirë të kishte spektakël”.

Sipas Sacchi, barazimi ndoshta do të ishte rezultati më i drejtë: “Mendoj se asnjëri nuk do ta meritonte fitoren. Mua këto lloj ndeshjesh nuk më pëlqejnë fare. Shumë takticizëm, gjithmonë ritme shumë të ulëta. Të dyja skuadrat prisnin veprimin e kampionëve apo gabimin e kundërshtarit. Inzaghi dhe Mourinho janë të shkëlqyer taktikisht, por publiku pret diçka më shumë. Edhe sepse nuk mungonin lojtarët e mirë në fushë, mungonte vetëm loja”, përfundoi ai.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *