• |
ide | kryesore

Analiza e DW: Regjim pa kuptim vizash mes Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës

-Instant, Lajme, Të fundit
regjim vizash, Kosov-Bosnje



Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, ndonëse dy shtete në zemër të Ballkanit, vazhdojnë të mbajnë regjim vizash ndaj njëra tjetrës. Kjo vështirëson lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Pengesa të mëdha kanë edhe turistët e këtyre dy vendeve që duan të vizitojnë qytetet, muzetë, apo të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore.

Aida Vežić, sekretare e përgjithshme në Rrjetin e Muzeve të Ballkanit, thotë se “regjimi i vizave është pengesë e madhe për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash në mes kolegëve”. Gjithashtu ajo thotë se është një kërcënim serioz që vazhdon të zgjerojë hendekun midis kolegëve dhe komuniteteve.

Padrejtësi të madhe

Vežić thekson se qytetarët me kombësi boshnjake apo kosovare për udhëtim në të dy shtetet varen nga ekzistenca e thjeshtë e regjimit të vizave. Ata që vendosin të kalojnë nëpër procesin e marrjes së vizës janë të irrituar nga procedurat e pakuptimta, në të dyja anët (BiH dhe RKS).

Kosovo | Aida Vezic
Aida Vežić, sekretare e përgjithshme në Rrjetin e Muzeve të Ballkanit

“Përvoja ime personale ka qenë se më kanë thënë se do të merrja një vizë njëvjeçare, por kam gjetur se datat në pasaportë janë vetëm 5 ditë për gjatësinë e ngjarjes që po ndiqja në Republikën e Kosovës. Për shkak të regjimit të vizave neve na duhet qe të dërgojmë kolegë nga vende të tjera. Nuk dërgojmë dot kolegë nga Bosnja e Hercegovina dhe kjo është një padrejtësi e madhe për ta.”

Vežić tregon se dëshiron të vizitojë Kosovën. Megjithatë ajo pranon se i duhet të bëjë kilometra të shumtë, pasi aplikimi për vizë duhet bërë në Tiranë ose Zagreb.

Barrierë për implementimin e projekteve

Aida Vežić regjimin e vizave e konsideron barrierë për implementimin e projekteve kulturore e të trashëgimisë. Sipas saj përjashtohen të dyja vendet, shkaku i pamundësisë së marrjes pjesë nga ana e pjesëmarrësve të Kosovës dhe BiH.

“Gjatë punës sime kur diskutojmë vendin e mbajtjes se një veprimtarie rajonale ne na imponohet të përjashtojmë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën si një opsion sepse nuk do të ofronim mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit, për shkak të regjimit të vizave. Është e sigurtë se ekzistenca e regjimit të vizave ka ngadalësuar dhe rënduar bashkëpunimin midis individëve dhe institucioneve. Është një turp që ekziston ende”, përfundon Vežić.

Rënie bashkëpunimi në të gjitha fushat

Më të shpeshta lëvizjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës i ka edhe udhëheqësja e zyrës për Kosovën të organizatës rajonale RYCO, Krenare Gashi-Krasniqi. Ajo thotë se regjimi i vizave ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në pamundësinë e lëvizjes së lire në mes qytetarëve të Kosovës dhe BiH. Rrjedhimisht ka ulur edhe bashkëpunimin në të gjitha fushat. Kjo pasi është e pamundur për t’u takuar dhe krijuar kontakte.

“Nga perspektiva e RYCO-së kjo barrierë në veçanti vështirëson lëvizjen e lirë të të rinjve. Kjo pa dyshim ndikon zhvillimin e aktiviteteve që do të rrisnin bashkëpunimin dhe përafrimin e shoqërive në fjalë. Në të gjitha thirrjet e hapura nga RYCO për mbështetje të projekteve dhe propozimeve, ne marrim shumë pak, ose fare aplikime në mes organizatave dhe shkollave në mes Kosovës dhe BiH. Kjo është reflektim i realitetit se sa larg jemi nga një bashkëpunim i mirëfilltë me njëri-tjetrin”, thotë Gashi-Krasniqi.

Kosovo | Krenare Gashi-Krasniqi
Krenare Gashi-Krasniqi, drejtuese e zyrës për Kosovën të organizatës rajonale RYCO

Ajo tregon se procedurat e aplikimit dhe deri tek pajisja me vizave janë mjaft të komplikuara, veçanërisht ato nga Bosnja. Kjo pa dyshim sipas saj, ka ulur edhe vullnetin e qytetarëve për ta vizituar Kosovën dhe BiH. Jo rrallë edhe RYCO detyrohet që t’i shmangë Kosovën dhe BiH si vende për të mbajtur ngjarje të mëdha. Kjo vetëm për shkak të barrierave të lartpërmendura.

“Andaj secila qeveri duhet të reflektojë seriozisht mbi pasojat që ka shkaktuar vendosja e regjimit të vizave. Duhet të gjejnë vullnet e mënyra konkrete për të mundësuar lëvizje të lirë të qytetarëve të tyre. Dhe, përfundimisht ta ndryshojmë realitetin aktual ku mallrat lëvizin me lirshëm se sa njerëzit në mes Kosovës dhe BiH”, thotë Krenare Gashi-Krasniqi.

Procedura për dhënien e një vize për një qytetar të Kosovës nga Bosnja është tepër e komplikuar. Kjo për faktin që secila vizë dërgohet për aprovim individual në Këshill të Ministrave. Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, është organizata kryesore rajonale e Ballkanit Perëndimor, që e ka selinë e saj në Sarajevë.

Raportet aktuale në rrafshin politik dhe atë diplomatik

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, thotë që Kosova është e angazhuar për thellimin e raporteve të vendet e rajonit. Kjo përfshin edhe Federatën e Bosnje-Hercegovinës. Pasi sipas tij, popujt tanë ndajnë histori të njëjtë dhe synime të përbashkëta për të ardhmen.

Kosovo | Kreshnik Ahmeti
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti

“Bashkëpunimi i ngushtë pengohet nga qasja destruktive e përfaqësuesve të entitetit të Republikës Serbe përbrenda Federatës së Bosnje-Hercegovinës. Për arsyen e njëjtë pamundësohet edhe vendosja formale e marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve. Megjithatë, institucionet e Republikës së Kosovës shfrytëzojnë secilën mundësi për t’i përafruar raportet me institucionet e Federatës së BiH. Kjo është vetëm formalizëm i raporteve të ngushta ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thotë Ahmeti.

Bosnien und Herzegowina | Parlamentswahlen | Graffiti in Banja Luka

Ahmeti thotë se qeveria e Kosovës ka plane për lehtësimin e lëvizjes së lirë. Ajo është e angazhuar brenda ‘Procesit të Berlinit’ së bashku me vendet e tjera anëtare që të arrijmë marrëveshjen për qarkullimin e lirë të qytetarëve të rajonit nëpër secilin prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por sipas tij në mungesë të marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Bosnje, për shkak të entitetit të Republikës Serbe, Kosova iu mundëson qytetarëve të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës pajisjen me vizë në misionet diplomatike të rajonit, në Podgoricë, Tiranë dhe Shkup.

“Ne kemi angazhim të përhershëm që politikat dhe procedurat konsullore të jenë sa më të lehta e të shpejta. Është e qartë që sado efikase të jenë këto procedura, fakti që një qytetar duhet të pajiset me vizë paraqet pengesë. Gjithashtu, ne kemi interesim të madh që të dyja shtetet të lidhin marrëdhënie diplomatike. Kështu shqetësimet e ndryshme të qytetarëve, sikurse kjo me qarkullimin e lirë, t’i zgjidhim edhe në formë bilaterale”, përfundon Ahmeti.

Problem real, i përditshëm

Edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila është me origjinë boshnjake çështjen e regjimit të vizave e ka cilësuar një problem real. Sipas saj kjo situatë e përditshme është shumë negativ si për Kosovën ashtu edhe për BiH.

“Regjimi i vizave është krijuar si rezultat i reciprocitetit dhe krijon çdo ditë probleme të mëdha burokratike. Kemi një numër të madh personash që preken drejtpërdrejt nga regjimi i vizave. Preken të dyja palët, udhëtimet e njerëzve, mallrave, shkëmbimet kulturore”, thotë Balje.

Kosovo | Duda Balje
Deputetja e Kuvendit të Kosovës me origjinë boshnjake Duda Balje

Deputetja ka rikujtuar iniciativën përmes së cilës është synuar zgjidhje konkrete, por që nuk ka gjetur mbështetje nga autoritetet në BiH.

“Unë isha iniciatore e hapjes së Zyrës për Marrëdhënie në Sarajevë dhe Prishtinë, njësoj si në Greqi, e cila nuk na njohu si shtet të pavarur apo si ai i Beogradit. Iu shkrova të gjithë faktorëve relevantë në Bosnje dhe zoti Millorad Dodik, doli publikisht dhe e refuzoi kërkesën. Zyra e ndërlidhjes është një nga zgjidhjet më konkrete në situatën në të cilën ndodhemi. Por nuk kemi gjetur mirëkuptim” thotë Balje. Por çfarë është bërë nga qeveritë e kaluara dhe pse nuk është rregulluar çështja e lëvizjes së lirë ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Marrëdhëniet ekonomike pothuajse inekzistente

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, thotë se paradoksi më i madh është fakti që liria e lëvizjes dhe qarkullimi ekonomik midis Kosovës dhe vetë Serbisë ka module praktike, ka frymë më liberale. Ndërkaq BiH është më rigide dhe maksimalisht më refuzuese.

“Për shkak të këtij regjimi marrëdhëniet ekonomike në mes te dyja vendeve janë pothuajse inekzistente. Në aspektin kulturor edhe pse në kohën sa Kosova dhe BiH kishin qenë pjesë integrale e Jugosllavisë kishte raporte kulturore në mes të dyja vendeve, ndoshta edhe më të theksuara sesa me shtetet tjera anëtare të Federatës. Tani këto raporte pothuajse janë zhdukur në tërësi. Gjithashtu, institucionet e sigurisë nuk kanë ndonjë bashkëpunim të ndërsjellët në mes vete. Edhe atëherë kur kërkohet ndonjë veprim i përbashkët duhet të involvohen partnerët ndërkombëtarë për të lehtësuar këtë bashkëpunim”, ka shtuar Çollaku.

Kosovo | Bekim Collaku
Bekim Çollaku

Madje, sipas Çollakut, viktimë kryesore e këtij regjimi janë qytetarët boshnjakë të BiH dhe qytetarët kosovarë. Kurse, në anën tjetër qytetarët serbë nga BiH pothuajse të gjithë kanë shtetësi të dyfishtë. Duke u pajisur edhe me dokumente të shtetit serb, kjo u lehtëson dukshëm lëvizjen edhe në Kosovë. Ngjashëm me qytetarët serb të BiH janë edhe qytetarët kroat duke pasur shtetësi të dyfishtë.

Çollaku, mendon që rezultatet përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi, do të ndikojnë edhe në raportet ndërmjet Kosovës dhe BiH.

“Rezultatet e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë do të kenë gjithashtu efekt edhe në raportet në mes të Kosovës dhe BiH në të ardhmen. Gjithashtu edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në raport me BE-në do te rrisë dukshëm presionin e arritjes së një marrëveshje edhe në mes te Kosovës dhe BiH”, ka përfunduar Çollaku.

Autoritet kosovare disa herë u kanë bërë thirrje autoriteteve të Federatës boshnjake që të hiqet regjimi i vizave me Kosovën. Vetë Kosova aplikon reciprocitet në këtë drejtim. Sipas tyre, heqja e vizave ka interes të ndërsjellë, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta e që është integrimit evropian.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *