• |
ide | kryesore

Champions/ Inter e Barcelona, në San Siro luhet kualifikimi: Napoli kërkon të tretën radhazi në Amsterdam

-Instant, F1, Sport



Rikthehet Champions me ndeshjet e fundit të vajtjes në katër grupet e para. Për shumë skuadra është një mundësi për të mos u humbur, për të tjera qëndron ‘varur’ rreziku i eliminimit. Për Inter, në San Siro, me shumë mundësi është shansi i fundit drejt 1/8. Zikaltrit e Barcelona luajnë për vendin e dytë me Bayern super favorit. Edhe Liverpool nuk mund të gabojë, madje Klopp shpreson të përfitojë nga përplasja mes Ajax e Napolit.

GRUPI A

Pas dy fitoreve radhazi, Napoli kërkon të tretën në shtëpinë e Ajax, ndjekësit më të afërt. Skuadra e Spalletit shpreson ta mbyllë fazën e vajtjes me pikë të plota, për të mbajtur larg rrezikun që vjen nga Liverpool. Luciano Spalletti është gati për ndeshjen e Champions League me Ajax. “Do të jetë një ndeshje emocionuese, në një stadium të mrekullueshëm dhe kundër një klubi fantastik – shpjegoi trajneri i Napolit -. Ne do të mund të bëhemi të mëdhenj vetëm duke luajtur ndeshje të shkëlqyera dhe ne duam ta bëjmë këtë”. “Kush luan? Ne kemi një skuadër të nivelit të lartë dhe mund të ndodhë që nesër të luajnë dy ose tre titullarë në vend të dy ose tre titullarëve të tjerë – shtoi ai duke folur për formacionin -. Nuk ka nevojë të përmendim emrat. Ne do të vlerësojmë gjithçka me stafin tonë”.

Ajax u dënua në Anfield 2-1 ndaj Liverpool dhe e ka të qartë se sfida e dyfishtë me Napolin do të vendosë të ardhmen e tyre. Kualifikimi bëhet i vështirë me Napolin që ka 6 pikë dhe Liverpool duhet të luajë dy ndeshje me Rangers, aktualisht me zero pikë. Reds, 3 për momentin, mund ta shohin veten me 9 pikë dhe Ajax e di se duhet të fitojë me cdo kusht ndeshjen në shtëpi me bandën e Spalletit.

GRUPI B

Hierarkitë e përmbysura në Grupin B mund të lëvizin pikërisht në përballjet e treta. Atletico Madrid e Porto kërkojnë të shtyjnë nga pas e të rikuperojnë përballë Bruges e Leverkusen. Në fakt, sfida në Belgjikë mund të konsiderohet absolutisht për të mos u humbur nga të besuarit e Simeones. Nëse Bruges ka bërë dy fitore në dy, Colchoneros vujanë shumë disfatën në transfertë ndaj Bayer. 3 pikë për spanjollët që nuk mund të gabojnë. Për më tepër që sfida e dyfishtë mes Portos e Leverkusen është e paparashikueshme. Portugezët kishin një start tronditës me zero pikë në dy ndeshjet e para, e pamenduar në vigjilje. Conceicao ka shansin e fundit në Dragao dhe është i ndërgjgjshëm se vajtje-ardhja me gjermanët vendos gjithcka.

GRUPI C

Pretendimet për vendin e parë në Grupin C tashmë janë rrëzuar. Bayern Mynih e ka vendosur diktatin, duke mundur dy rivalët më të kuotuar. E tani ka sfidën e dyfishtë me Viktoria Plzen që mbyll renditjen pa pikë e ka shënuar vetëm 1 gol, duke marrë 7. Loja bëhet për vendin e dytë në të cilin Inter e Barcelona e dinë mirë se vendoset duke filluar nga ndeshja në San Siro.

Inter i Simone Inzaghi është përpara një takimi vendimtar për kualifikimin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Barcelona e Xavi mbërrin në San Siro të martën në mbrëmje, e bashkuar me zikaltrit me 3 pikë: “Është një moment në të cilin duhet të bëjmë më shumë, Barça është një mundësi e madhe” – ishin fjalët e trajnerit në konferencën për shtyp. Kundër katalanasve do të mungojnë akoma Brozovic dhe Lukaku, ndërsa duhet të vlerësohet edhe gjendja e Lautaros: “Provat nuk kanë treguar dëmtime, ai është i lodhur. Do të flas me të dhe do të vlerësojmë” theksoi tekniku. Edhe njëherë duket se do të jetë radha e Asllanit, i vlerësuar për performancën ndaj Romës.

Në kuadër të ndeshjes së Champions League në San Siro, trajneri i Barcelonës Xavi paralajmëron Interin. “Ne duam të dominojmë, të kemi zotërimin e topit, të luajmë në gjysmën e kundërshtarit. Kjo është historia e fundit e Barcelonës dhe unë nuk e ndryshoj atë”, tha trajneri blaugrana. “Unë mund të ndryshoj mbrojtjen, por jo sepse e bën rivali im ose për ndonjë gjë tjetër. Duam të përpiqemi vetëm të përmirësohemi”, shtoi ai. “Interi është një kundërshtar i fortë, i vështirë për t’u sfiduar – vazhdoi Xavi – Ne duhet të dëshmojmë se jemi Barcelona. Duhet të luajmë ndeshjen e Mynihut por me një rezultat tjetër. Është një ndeshje kyçe. Jo vendimtare, por shumë e rëndësishme për grupin dhe për të ardhmen në Champions League”. Barcelona ka mungesa të rëndësishme sidomos në mbrojtje, ku janë dëmtuar edhe Kounde e Araujo.

GRUPI D

Kryesimi i Sporting me pikë të plota në Grupin D mund të bëhet absolut pas përballjeve kundër Marseille të vendit të fundit. Portugezët sigurisht duhet të shkojnë të tregojnë forcën në Velodrome, duke shpresuar në përplasjen e ndjekësve. Eintracht do të presë në Frankfurt londinezët e Tottenham, me dy skuadrat që janë në kuotën 3 pikë. Conte e ka të qartë se gabimet në këtë pikë kushtojnë. Rënia në Lisbonë me Sporting e ka bërë që për Spurs të ketë vetëm një alternativë: të mos humbasë. Gjermanët që në shtëpi kanë humbjen e vetme, po ndaj Sporting, do të mundohet ti bëjnë muret mike fortesën e tyre. Spurs vijnë nga humbja në derbi me Arsenal dhe Conte pret nga të tijtë një përgjigje në Champions.

NDESHJET

Champions League Group A
21:00 Ajax – Napoli
21:00 Liverpool – Rangers
Champions League Group B
21:00 Club Brugge – Atletico Madrid
21:00 FC Porto – Bayer Leverkusen
Champions League Group C
18:45 Bayern Munich – Viktoria Plzen
21:00 Inter – Barcelona
Champions League Group D
18:45 Marseille – Sporting CP
21:00 Eintracht Frankfurt – Tottenham Hotspur



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *