Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, një aleat i Presidentit Vladimir Putini, tha të mërkurën se atij iu dha një gradë e lartë në ushtrinë ruse, në një kohë kur forcat e Moskës pësuan një seri humbjesh në Ukrainë.
Udhëheqësi 46-vjeçar çeçen – një nga zërat më të hapur në Rusi që mbështet ofensivën e Putinit në Ukrainë – tha se ishte një “nder i madh” për të, shkruajnë mediat ruse.
Kadyrov është një ish-komandant lufte që sundon Çeçeninë me shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut. Ai tha se Putin e kishte informuar “personalisht” atë për vendimin.
“Presidenti i Rusisë më dha gradën e gjeneral kolonelit”. Kështu tha Kadyrov në Telegram. “Ky është një promovim për mua”.
Grada e gjeneral kolonelit është grada e tretë komanduese më e lartë në hierarkinë ushtarake ruse.
Emërimi i Kadyrov në gradë erdhi pasi ushtria ukrainase zmbrapsi forcat e Moskës në zonat që Kremlini i shpalli si “ruse përgjithmonë”.
E udhëheqësi çeçen citohet të ketë thënë se do të bënte “gjithçka për t’i dhënë fund operacionit special ushtarak”. Duke përdorur termin e Kremlinit për fushatën e tij në Ukrainë.
Njësitë çeçene – duke përfshirë vetë milicinë e Kadyrov me një reputacion të keq, “Kadyrovtsi” – po luftojnë përkrah forcave të rregullta ruse në Ukrainë.
Kadyrov ka mbështetur plotësisht fushatën e Putinit. Ai ka bërë thirrje rregullisht që të përdoren taktikat më drastike në Ukrainë.
Këtë javë ai i bëri thirrje Moskës të përdorë armë bërthamore me rendiment të ulët në Ukrainë. Pasi trupat ruse u detyruan të tërhiqen nga qyteti i Lyman.
Më pas ai tha se po dërgonte tre nga djemtë e tij adoleshentë – 14, 15 dhe 16 vjeç – në front.