• |
ide | kryesore

Analiza/ Milan e Juventus, dy botë përballë në sfidën mes Pioli e Allegri

-Instant, Sport
Milan



Milan dhe Juventusi janë dy skuadra me filozofi të ndryshme, të cilat pasqyrojnë idetë e teknikëve Pioli e Allegri. Në realitet, nuk është gjithçka kaq lehtë e kodifikueshme në futbollin e sotëm, ku kryefjala është rrjedhshmëria. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për të aplikuar një koncept loje pak a shumë ofensive apo mbrojtëse. Tashmë është normale të ndryshohet mjedisi i lojës sipas karakteristikave të kundërshtarëve.

PARIMET E LOJËS

Aty ku realisht ka një dallim konkret mes dy trajnerëve është rëndësia që u jepet parimeve të lojës. Pioli ka qenë në gjendje t’u japë lojtarëve të tij një linjë të saktë strategjike të sjelljes. Titullarët dhe rezervat dinë të interpretojnë momentet e ndryshme të ndeshjes duke ditur saktësisht se si do të sillen bashkëlojtarët. Njëri nga mesfushorët qendrorë mund të lëvizë anash për të krijuar një epërsi numerike në krah, ndërsa tjetri mund të zbresë mes mbrojtësve për të pasur një lojtar shtesë në fazën e parë të qarkullimit. Te Juve nuk ka automatizma kaq të saktë. Ka disa situata që përsëriten, si zgjatja e menjëhershme e gjysmë krahëve ose anësorëve që futen drejt qendrës (në rastin e një 4-4-2) për të kërkuar zona të lira. Por për pjesën tjetër ka një liri totale interpretimi e cila, në shumë raste, kufizon rrjedhshmërinë e manovrës.

PLANI I NDESHJES

Pa hequr dorë nga konceptet e veta të lojës, Pioli di si të përshtatet me kundërshtarët që përpiqen të shfrytëzojnë dobësitë e tyre. Sezonin e kaluar lëvizja e Milan në 4-1-4-1 ishte vendimtare për t’i dhënë kuqezinjve fitoren në San Paolo kundër Napolit. Kërkesa obsesive për thellësi është një model tjetër që përsëritet kundër skuadrave që kërkojnë një-kundër-një në gjithë fushën. Allegri dhe stafi i tij janë shumë të vëmendshëm ndaj këtij aspekti, aq sa shpeshherë nuk është e qartë si lexohet taktikisht Juventusi. Bardhezinjtë mund të shkojnë të sulmojnë lart në situata të caktuara, duke alternuar presionin me faza të gjata të mbrojtjes pozicionale. Kjo mund t’i japë hapësira për t’u shfrytëzuar me shpejtësinë e lojtarëve sulmues.

Lexo më tej: Video/ Bajrami frikëson Milanin, por Rebic qetëson Piolin: tre gola në shtatë minuta shtesë thyejnë Empolin

NDESHJA NË SAN SIRO

Qëllimi i parë madhor i Piolit është të mendojë se si të gjejë hapësira në fazat e gjata të mundshme të mbrojtjes juventine. Tentativa e presingut ndaj lojtarëve të parë në zotërim të topit është e ditur. Pioli ka menduar edhe ndryshimet e vazhdueshme të pozicionit të lojtarëve në pjesën e jashtme dhe të përparme. Në këtë mënyrë do të tentohet të nxirret jashtë linja mbrojtëse e Allegrit dhe më pas të goditet nga krahët. Synimi tjetër do të jetë të vendoset Leao në pozicion driblimi në të majtë. Nga ana e bardhezinjve, alternohet presingu, edhe i lartë por i kufizuar në kohë, me një pritje me dy linja kompakte katërshe për të mos i lënë hapësirë Milan. Një sfidë, plot koncepte taktike emocionuese, mes parimeve të konsoliduara dhe kundërmasave të studiuara mbi karakteristikat e kundërshtarit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *