• |
ide | kryesore

Vjosa Osmani dhe Konjufca kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO

-Instant, Lajme, Të fundit



Sot gjatë ditës në Prishtinë është duke u mbajtur Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, i cili do të zgjasë deri më 10 tetor.

Në këtë seminar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se Kosova është radhitur në krah të shteteve demokratike duke vënë sanksione ndaj Federatës Ruse pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Ai tha se vendi ynë është i vendosur për një bashkëpunim më të ngushtë dhe anëtarësim në NATO. Ai po ashtu u shpreh se shqiptarët e Kosovën e dinë se në çfarë po kalon populli ukrainas pasi e kanë përjetuar në lëkurën e tyre pasi janë sulmuar nga Serbia para më shumë se dy dekadash.

“Republika e Kosovës natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse. Ne kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998. Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën…”

“Kosova mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veri-Atlantike. NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë, shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditët e fundit edhe në Kosovë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshëm që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike”, tha Konjufca.

Osmani: Integrimi euroatlantik, interes vital dhe strategjik i Kosovës

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova është shumë e qartë në objektivat e saj e që është anëtarësimi në NATO.

Ajo ka kërkuar mbështetje nga të gjitha vendet në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e programit të Partnerit për Paqe. Sipas Osmanit, ndryshe nga Serbia, Kosova është e përkushtuar për rrugën evropiane dhe demokratike.

Osmani u shpreh se aktualisht po kërcënohet stabiliteti, demokracia dhe paqja në mbarë botën ndërsa në vijimësi ka sulme të sofistikuara hibride. Ajo ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në qendër të vëmendjes nëpër zhvillimet që po kalon bota.

“Vlerat demokratike dhe rregullat mbarë botërore jo vetëm që po kërcënohen por janë duke u sulmuar. Fokusi në zhvillim e sipër në çështjet e sigurisë nga Aleanca Euroatlantike ka ndikim të madh si në Kosovë ashtu në NATO, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihen si një problem i jashtëm që konkurrojnë për të marrë vëmendjen e komitetit euroatlantik. Vendet e Ballkanit Perëndimor e dinë mirë se cilat janë pasojat e luftërave të përgjakshme në mes të Evropës. Përfaqësoj një popull që ka qenë viktimë e gjenocidit të krimeve të luftës dhe krimit kundër njerëzimit, sakrifica e vërtetë dhe qëndrueshmëria kanë sjellë deri tek liria e fituar me gjak dhe me djersë”, tha Osmani.

Osmani deklaroi se Kosova në vazhdimësi është duke kontribuar në çështjet e rëndësishme si dhe është në linjë të njëjtë me vendet demokratike për çështjet nga Rusia e deri te Kina.

Ajo ka thënë se Serbia refuzon të bëhet pjesë e NATO-s dhe është afruar edhe më tej me Rusinë duke treguar shumë për këtë shtet. Ndërsa Kosova kërkon të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe.

Lexo edhe:

KE letër vendeve të BE-së: Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave

“Serbia ka qenë në projekte të përbashkëta me NATO-n derisa e refuzon anëtarësimin në NATO. Përafrimi i saj me Rusinë flet shumë. Ne ende nuk jemi pjesë e Partneritetit për Paqe. Kosova është e qartë në qëllimin e saj për t’u bërë anëtarë dhe për të kontribuar në këtë drejtim për këtë arsye është shumë me rëndësi që çdo anëtar i NATO-s ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe”, vijoi Osmani.

Presidentja Osmani u shpreh se Kosova asesi nuk mund të merret shembull për atë çfarë po ndodhë, ndërsa tha se i vetmi krahasim është ajo se çfarë po përjetojnë ukrainasit sot me shqiptarët e Kosovës para dy dekadash.

“Rusia është më shumë sesa shkatërrues i projekteve por është një rrezik i vërtetë i paqes dhe stabilitetit…. Putini mundet të tërheq krahasime të papërshtatshme mos të harrojmë që të gjithë ne në Kosovë e dimë që e vetmja që mund të krahasohet ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë dhe çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999, është krimet jashtëzakonshme dhe të tmerrshme që Putini është duke i kryer sot”, tha ajo.

Ambasadori Zviceran: Kosovë tregon zotimin dhe përkushtimin e Kosovës drejt përmirësim të sigurisë

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, tha se synim i të gjithëve është promovimi i një të ardhme paqësore dhe demokratike për Ballkanin perëndimorë, ai shtoi se organizimi i këtij seminari në Kosovë tregon zotimin dhe përkushtimin e Kosovës drejt përmirësim të sigurisë.

“Diskutimet tona janë të fokusuara në një synim të përbashkët, promovimi i një të ardhme paqësore dhe demokratike për Ballkanin perëndimorë në kontekst të integrimit evropian të këtij rajoni. Si përfaqësues i Zvicrës përshëndes faktin që Kosova është nikoqire e këtij seminari, kjo tregon zotimin dhe përkushtimin e Kosovës drejt përmirësim të sigurisë jo vetëm në Ballkanin perëndimor por edhe në Evropë” tha Kolly.

Gerald E. Connolly: Ky seminar është shumë i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike dhe sigurinë në përgjithësi

Përmes një video mesazhi, presidenti i AP-së së NATO-së, Gerald E. Connolly,  tha që ky seminar është shumë i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike dhe sigurinë në përgjithësi.

“Fizikisht e kam të pa mundur që të jem në Prishtinë me ju por dua ti drejtohem këtij seminari i cili është shumë i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike dhe sigurinë në përgjithësi. Evazioni rus jo i provokuar ka cenuar peizazhin e sigurisë, kjo ka shkatërruar edhe rajonin” tha Connolly.

Seminari i 102-të Rose-Roth organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri, ky seminar pritet do të zgjasë tri ditë. /Express

 



5 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *