“Hiqni 5 titullarë nga Milani dhe të shohim nëse do të kenë vështirësi”. Ishte kjo deklarata e Massimiliano Allegri vetëm pak javë më parë. Kështu ai shpjegonte momentin e vështirë të Juventusit të tij. Kjo është arsyeja pse 2-0 në San Siro me të cilin kuqezinjtë ngjiten në renditje është fitorja e Stefano Piolit. Ai thyeu tabunë dhe fitoi ndeshjen e parë ndaj kolegut të tij pas 16 tentativave në Serie A dhe 19 në përgjithësi.
Kjo falë një lëvizjeje taktike. Theo Hernandez (rikuperimi i tij është thelbësor edhe në funksion të ndeshjes me Chelsea) në fakt luajti si mesfushor përkrah Bennacer. Ndërsa Pobega dhe Tonali shkuan për të merreshin Locatelli dhe Rabiot duke i lënë Brahim Diazit lirinë të konvergojë dhe të përqendrohet. Përcaktues ishte edhe ndryshimi i rolit të Kalulu. Një “kartë e çmendur” e mbrojtjes së kuqezinjve, i cili mbylli çdo hapësirë për Kostic.
Një mësim i vërtetë taktikash, që ndoshta Allegri do ta mbajë mend gjatë, por edhe mbi të gjitha një reagim i shkëlqyer pas natës më të keqe të vitit. Edhe një herë Milani dëshmoi se ka koncepte të qarta dhe të përcaktuara për karakterin dhe lojën, të cilat ndihmojnë për të kapërcyer zhgënjimet dhe momentet e vështira. “Ne ishim një ekip. Për fat të keq në Londër ishim të frikësuar dhe të përçarë. Sot ishim më kompaktë dhe punuam shumë. Së bashku, duhet të bëjmë gjithmonë sepse atëherë kemi cilësitë për të bërë rezultate pozitive”, – nënvizoi Pioli pas garës.
Tani trajneri dëshiron të shohë sërish të njëjtën frymë të martën mbrëma në San Siro me Chelsean. Në ndeshjen që mund të vendosë fatin europian të kuqezinjve. Duke pasur parasysh paraqitjen e mirë me bardhezinjtë (dhe duke pasur parasysh se nuk pritet ndonjë rikuperim nga infermieria), ndaj anglezëve ndoshta do të jetë Gabbia në qendër të mbrojtjes. Kalulu mund të shkojë në të djathtë. Kjo për të garantuar mbulesën që Destit nuk dukej se ishte në gjendje të japë.
LEXO EDHE: Video/ Tomori e Diaz fundosin Juventus: Milan arrin kreun, për Allegrin situata nuk është e mirë
Nga ana tjetër, është e vështirë të hipotezosh se kush do të luajë me Leaon dhe Giroud në katërshen e parë. Brahim ishte i brilant. Bëri një eurogol, por fizikisht mund të vuajë shumë nga kilogramët dhe centimetrat e anglezëve. Për këtë arsye, me Kruniç në të djathtë, në majë mund të jetë sërish radha e De Ketelaere, i cili u fut mirë me bardhezinjtë.
“Në këtë moment të mungesës së lojtarëve në të djathtë, edhe ai mund të luajë atje. Por le të përmirësojmë karakteristikat e tij. Në këtë mënyrë ka hyrë mirë dhe mund të luajë edhe gjerë. Eshtë inteligjent dhe i fortë, por ne nuk e lartësojmë duke e vënë aty” – sqaroi Pioli.
Trajneri ka 3 ditë për të studiuar zgjidhjen më të mirë. Ajo me Chelsea është udhëkryqi i parë i sezonit. Kuqezinjtë mbërrijnë atje me kocka pak të thyera, por morali është i duhuri. ©LAPSI.al