• |
ide | kryesore

FMN paralajmëron për rreziqet që mund të vijnë nga bumi i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme

-Instant, Lajme, Të fundit
bumi i ndertimeve



Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në deklaratën e fundit për Shqipërinë, ka këshilluar që të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve dhe zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar.

“Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të rreqiqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit. Këtu përfshijmë edhe huadhënien e rritur në monedhë të huaj. Në këtë kuadër, mirëpresim përpjekjet e BSH për të adresuar mungesën e konsiderueshme të të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin. Bëjmë thirrje për mbikëqyrje të shtuar të ndikimit të këtij sektori mbi stabilitetin financiar”, thuhet në deklaratën zyrtare.

FMN u trembet dhe pasojave që mund të ketë një rënie e çmimeve të pasurive të paluajtshme.

“Ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe ndryshimit të kahut të rritjes në çmimet e pasurive të paluajtshme”, citohet në deklaratë.

Vitet e fundit ndërtimi, sidomos ai rezidencial po merr një rol parësor në ekonomi. Sipërfaqet e lejeve janë shtuar ndjeshëm dhe tregu i pasurive të paluajtshme është zgjeruar, sidomos në kryeqytet.

Të dhënat për sektorin e ndërtimit

Sipas INSTAT, në vitin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ishte 1.6 milionë metra katror. Kjo është nivel rekord të paktën që nga viti 2010, nga të cilat gati 80% ishin për ndërtime rezidenciale.

E njëjta tendencë vijoi dhe në gjysmën e parë të këtij viti. Po sipas INSTAT, vetëm në 6-mujorin e parë 2022 u dha në kryeqytet gati 1.2 milionë m2 sipërfaqe leje ndërtimi. Kjo është sa 75% e sipërfaqes së dhënë për gjithë vitin 2022.

Tirana mori 70% të gjithë sipërfaqeve të lejeve të dhëna në vend për periudhën përkatëse.

Ndonëse oferta në treg sa vjen e rritet edhe çmimet kanë shënuar të njëjtën prirje. Kështu është reflektuar shtrenjtimi i kostove të ndërtimit dhe qarkullimit të parasë informale.

Çmimi në rritje i banesave

Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit I 2022 është rritur me 28.4% në krahasim me 6-mujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013. Në raport me periudhën bazë, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%. Në linjë me këto zhvillime kredia e dhënë nga sistemi bankar për ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme ka shënuar zgjerim të dukshëm. Kredia për sektorin e ndërtimit këtë vit po shënon nivelet më të larta në të paktën gjashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 7-mujorin 2022, kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e 22.7 miliardë lekëve ose 194 milionë eurove.

Kredia për sektorin e ndërtimit është rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera totale e portofolit të kredisë për ndërtimin në fund të muajit korrik arriti në 70.4 miliardë lekë. Kjo shënon një rritje vjetore me pothuajse 30%.



5 Comments

    1. Po shume mire , apo jo ?
      Ne ate duam, BUMI i ndertimeve te kthehet ne nje BUM financiar i cili do te perkthehet ne nje BUM ekonomik.

      Pra ‘krisma’ qe do ja ndjejme kesaj historie, per mire do jete , apo jo ? ( sa me shpejte te jete e mundshyme)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *