• |
ide | kryesore

I zhdukur prej 5 muash/ Telefoni i Ulvi Skanës ndizet papritur në Tiranë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
ulvi skana



29-vjeçari Ulvi Skana vazhdon të jetë i humbur prej 5-muajsh. Ai u largua nga shtëpia e tij në Bathore në muajin maj dhe që prej atëherë nuk ka asnjë informacion rreth vendndodhjes së tij.

Familjarët i thanë policisë se i riu kishte shoqëri me Can Karriqin që u vra në dhjetorin e vitit të kaluar në Kamzë. Por së fundmi hetimet kanë marrë një kthesë të çuditshme.

Mediat raportojnë se Prokuroria dhe policia kanë arritur të gjurmojnë telefonin e Ulvi Skanës në disa zona të Tiranës. Sipas të njëjtave burime, aparati celular i të riut është ndezur disa herë në zona të ndryshme pranë kryeqytetit.

Policia ka kryer kontrolle në 3 adresa ku celulari i tij ka rezultuar i ndezur, por nuk ka arritur të sigurojë asnjë gjurmë për 29-vjeçarin me origjinë nga Lura. Për herë të fundit Ulvi Skana ka qenë në Bathore aty ku jetonte.

Kur bënë kallëzimin për largimin e tij nga shtëpia familjarët i dhanë policisë edhe disa numra telefoni. Ata dyshohet se kanë qenë kontaktet e fundit të 29-vjeçarit. Sipas Ora News personat që kanë në përdorim këto numra telefoni janë marrë në pyetje nga policia. Por, dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit në gjetjen e të riut.

Burimet thonë se ekziston mundësia që ai të jetë larguar nga Shqipëria në rrugë ilegale. Kjo pasi pasaporta e 29-vjeçarit është ende në shtëpi. Edhe pse kanë kaluar 5 muaj, policia dhe prokuroria ende nuk po përcaktojnë dot nëse është rrëmbim apo largim i qëllimshëm nga banesa.

Miku i tij, Can Karriqi kishte shoqëri me dy të vrarët më herët në Astir, Erigers Mihasi dhe Armando Dumani të cilët ishin miq të ngushtë të Ervis Martinajt. Edhe ky i fundit rezulton i zhdukur që prej muajit gusht. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *