• |
ide | kryesore

Escobar: Marrëveshja finale Kosovë – Serbi, çështje javësh

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Escobar



I dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, është çështje javësh. Në një intervistë ekskluzive për “Kanal10” të Kosovës ai ka thënë se u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesve të vendosin afatet kohore.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon” – tha Eskobar.

Ai tha se SHBA përkrahin plotësisht propozimin franko-gjerman për marrëveshjen.

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike… Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane” – tha zyrtari i lartë amerikan.

LEXO EDHE: Weber: Dialogu Kosovë-Serbi po i kthehet thelbit, por marrëveshja është larg

Sipas tij, ShBA e mirëpresin Kosovën të jetë pjesë e OKB dhe të njihet nga 5 vendet e BE.

“Ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane… Ajo që është e rëndësishme për Kosovën është që të nisni një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, duke përfshirë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Kjo është më e rëndësishmja që mund të nxirrni se çkado tjetër në proces” – tha Escobar.

Ai pranoi se ka folur sot me Presidenten Vjosa Osmani për modelet e Asociacionit.

“Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën. Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës.

Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë, që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar. Ne diskutuam disa modele, opsione e vizione për këtë. Kam besim se do ta zbatojnë, sepse është një marrëveshje e nënshkruar në Bruksel”, – ka deklaruar Escobar. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *