• |
ide | kryesore

A mund të rikthehet vërtet Boris Johnson?

-Instant, Arkiva, F1, Planet
boris johnson liz truss



Boris Johnson, njeriu i rrëzuar nga posti i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar nga qeveria e tij vetëm tre muaj më parë, është shfaqur si një nga kandidatët kryesorë për të qenë kryeministri i ardhshëm.

Zëvendësuesja e tij Liz Truss u rrëzua pas 45 ditësh në detyrë. Ajo njoftoi dorëheqjen e saj pasi u detyrua të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e programit të politikës së saj. Programi i saj tronditi tregjet financiare.

Lexo më tej: Çfarë ndodhi me Liz Truss, një udhërrëfyes përmes kaosit 

Johnson fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019. Dhe, sipas kushtetutës britanike, partia në pushtet mund të ndryshojë liderin pa zgjedhje të tjera.

Truss u zgjodh nga anëtarët e Partisë Konservatore, të cilët mund të kenë fjalën e fundit në këtë garë të fundit, nëse mbeten dy kandidatë pasi deputetët të kenë votuar.

Një post i dytë i kryeministrit Johnson do të ishte një kthesë e jashtëzakonshme edhe për një politikan që ka bërë rikthime të mrekullueshme më parë.

Hera e fundit që dikush u kthye në zyrën e kryeministrit pas humbjes së udhëheqjes ishte 140 vjet më parë. Kur William Gladstone u kthye për të udhëhequr Partinë Liberale.

Dhe nuk është aspak e sigurt se Johnson do të tentojë rikthimin. Ai thuhet se ende nuk e ka vendosur.

Megjithatë, sipas babait të tij Stanley, ish-kryeministri mund të jetë tashmë duke u kthyer në Britani të Madhe nga pushimet e tij në Republikën Domenikane.

Will Walden, një ish-sekretar shtypi i zotit Johnson, tha për Sky News se Johnson është “qartazi duke marrë sinjale” për një ofertë udhëheqëse.

Fjalimin e tij të fundit si Kryeministër, Johnson e mbylli me fjalët “Hasta la vista, baby”. (Mirupafshim, shihemi më vonë zemër).

(Në VIDEO: Boris Johnson dorëzon detyrën si kryeministër me fjalët “Hasta la vista, baby”)

E vetmja shprehje që do të mund t’ia kalonte kësaj, me kuptimin se do të rikthihet, do të ishte fraza e famshme nga filmat e Terminatorit: “Unë do të kthehem”, shkruan BBC.

Një nga mbështetësit e tij më besnikë, Sekretari i Biznesit Jacob Rees-Mogg ka nisur një fushatë në rrjetet sociale për ta rikthyer atë në Downing Street (Kryeministri). Dhe, dhjetëra deputetë konservatorë e kanë mbështetur publikisht.

Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace, i parë si një forcë me ndikim në partinë Konservatore, i tha BBC-së se ai ishte “i prirur drejt” mbështetjes së Boris Johnson.

Rregullat e partisë për garën e lidershipit nënkuptojnë se kandidatët kanë nevojë për mbështetjen e të paktën 100 deputetëve konservatorë deri të hënën pasdite për të qëndruar në garë.

Në pamje të parë, kjo nuk është detyrë e lehtë për një njeri si Johnson. Ndaj Johnson votuan kundër 148 kolegët e vet, në një votim mosbesimi në qershor. Votim që u pasua nga gati 60 dorëheqje në rang ministrash një muaj më vonë.

Muajt ​​e fundit të kohës së zotit Johnson në detyrë u ndoqën nga akuzat se ai kishte thyer rregullat ministrore duke mos thënë të vërtetën për partit që kishte mbajtur në Downing Street (Kryeministri), ku ishin shkelur rregullat e Covid-it.

Ai mbetet nën hetim nga Komisioni Parlamentar i Standardeve. Gjë kjo që teorikisht mund të çojë në pezullimin e Boris Johnson nga Parlamenti. Apo edhe përjashtimin si deputet.

Një seri skandalesh dhe pyetjesh për sjelljen personale rrëzuan Boris Johnsonin. A mund ta konsiderojnë Johnsonin të pranueshëm tani po ata deputetë që e gjetën vetëm gjashtë javë më parë si të suportueshëm?

(Në FOTO: Shanset për kryeministrin e ri të Britanisë. Boris Johnson i treti me 18%)

 

Deputeti konservator, Sir Roger Gale, ka thënë se ai do të japë dorëheqjen nga partia nëse Johnson rikthehet si kryeministër.

Sir Roger, një kritik i shpeshtë i zotit Johnson, sugjeroi për Times Radio se kolegët e tjerë po kërcënonin të bënin të njëjtën gjë.

Ministri i Zyrës së Jashtme Jesse Norman, një ish-mik i zotit Johnson, tha se “zgjedhja e Boris tani do të ishte, dhe unë e them këtë si këshillë, një vendim absolutisht katastrofik”. 

Kolegu i tij konservator, Crispin Blunt, gjithashtu ka argumentuar publikisht se Johnson nuk është personi që do të rivendosë reputacionin e Partisë Konservatore.

“Unë nuk mendoj se ne duam të kthehemi atje ku ishim gjashtë javë më parë, ne duhet të shohim përpara,” tha zoti Blunt.

Katër rikthimet e Boris Johnson

Në 1987, Boris Johnson u pushua nga The Times për falsifikimin e një citatimi. Por, u punësua vitin e ardhshëm nga The Daily Telegraph, si korrespondent i gazetës në Bruksel.

Në vitin 2004, ai u shkarkua si ministër i arteve në hije të konservatorëve për gënjeshtër për një aferë. Por, u kthye në stolin e parë një vit më vonë.

Në vitin 2016, ai u tërhoq nga oferta e tij e parë për të qenë lider dhe kryeministër konservator pasi miku i tij i ngushtë Michael Gove nisi një ofertë rivale. Por, ai bëri një rikthim befasues si sekretar i jashtëm nën fituesen eventuale Theresa May.

Në vitin 2018, ai u largua nga kabineti i zonjës May në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së saj për Brexit. Por, për t’u kthyer si lider i partisë vitin e ardhshëm, duke fituar një shumicë të madhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Partitë opozitare gjithashtu kanë nxituar të dënojnë sugjerimet që Johnson mund të rikthehet.

Udhëheqësi i laburistëve Sir Keir Starmer tha se ish-kryeministri ishte “i papërshtatshëm për detyrën”. Ministri i parë i Skocisë, Nicola Sturgeon e quajti një “sugjerim qesharak” kthimin e Johnson.

Ai u përshkrua si “Berluskoni i Britanisë” nga Liberal Demokratët. Këta po përpiqen të bllokojnë Johnson që të bëhet kryeministër përmes mocionit në parlament.

Johnson ka mbajtur një profil çuditërisht të ulët që nga largimi i detyrës. Ai ka folur me masë në Dhomën e Komunave dhe i kaloi javët e fundit duke bërë një turne fjalimesh në SHBA përpara se të nisej për pushime.

Por, siç thekson biografi i Boris Johnson, Andrew Gimson, ai nuk është lloji i personit që “të jetojë një jetë në errësirë ​​të pafajshme”. 

Johnson “ka avantazhin”

Nëse del vetëm një kandidat i vetëm, gara do të përfundojë të hënën. Nëse jo, lideri i ri do të zgjidhet me votim nga anëtarësia e partisë të premten më 28 tetor.

Sondazhet e bëra në ditët e fundit të detyrës së kryeministres Liz Truss kanë treguar diçka. Se Johnson është vazhdimisht i parë si pasardhësi më popullor.

Patrick English, Drejtor i Asociuar i kompanisë së sondazheve YouGov, foli për situatën politikë në Britani. Ai tha se partia Konservatore po bën thirrje për “dikë që mund të sigurojë unitet dhe të tërheqë partinë së bashku dhe të konkurrojë përsëri (udhëheqësin e Laburistëve) Keir Starmer.” 

“Nëse i pyet anëtarët se kush mund të jetë ai, ai është Boris Johnson. Nëse Johnson shkon në finale, ku janë dy persona në garë, ai ka avantazhin.” Kështu u shpreh Patrick English. Ai shtoi: “Një kandidaturë e Boris Johnson mund të funksionojë gjithashtu në favor të kandidatëve të tjerë”. 

Rishi Sunak dhe Penny Mordaunt shihen gjithashtu si pretendentë të mundshëm për të kandiduar sërish. Të dy qëndruan pa sukses në garën për ta zëvendësuar Jonsonin.

“Unë mendoj se nëse po flasim për unitetin dhe kandidatët vendimtarë, Sunak dhe Johnson përfaqësojnë një nga ndarjet më të mëdha në parti tani”, tha English.

“Ata janë aq të identifikuar me fraksionet e tyre sa mendoj se zonja Penny Mordaunt do të jetë në gjendje të dalë nga mesi. Dhe, ajo do të dëshmojë se është kandidatja e unitetit.” 

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 

Lexo më tej: Sondazhi: 55% e konservatorëve duan largimin e Truss, 32% kërkojnë rikthimin e Boris Johnson 

Lexo më tej: Liz Truss zbulon kur do të zgjidhet kryeministri i ri i Britanisë 



1 Comment

  1. Mjafton nje tjeter mandat si kryeminister per Borosin ne Britani, si dhe per Biden president qe jo vetem te zgjate lufta ne Ukraine, por edhe te ndizen te tjera ne Azi, apo gjetke.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *