Vizita vjen një ditë pas mesazhit të fortë që tha ambasadorja Kim në 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, se ata që duan ta kthejnë Shqipërinë në kohën kur gjyqtarët kërcënoheshin, duhet të ndalojnë.

Ajo shtoi se reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara dhe po fillon të japë rezultate reale.

“Ata që e kundërshtojnë këtë ecje përpara, ata që nuk do të donin rezultate të prekshme, po i dyfishojnë përpjekjet e tyre. Ata do të donin ta tërhiqnin zvarrë Shqipërinë në të kaluarën, në një kohë kur gjyqtarët dhe prokurorët mund të bliheshin, apo kërcënoheshin, në një kohë kur qytetarët e zakonshëm shqiptarë nuk e besonin se mund të ekzistonte drejtësia në gjykatë, se ata mund të kishin pushtetin, paratë, apo lidhjet për të ndërtuar një jetë për veten e tyre në këtë vend, për veten dhe fëmijët e tyre,” theksoi ambasadorja.

Lexo edhe:

Dy deklaratat e forta të Yuri Kim brenda pak javësh

Gjatë fjalës së saj, ambasadorja Kim deklaroi se “për një kohë të gjatë, mënyrat e vjetra kanë ngulmuar. Prandaj, të gjithëve ju, juve që doni të zvarritni Shqipërinë prapa në të kaluarën, ta zvarritni atë me shkelma e ulërima, me njerëzit që vuajnë, juve them: Ndalni. Ndalni. Kohës tuaj i ka ardhur fundi. Koha e të bërit telefonata, e të dërguarit emisarë, e të dërguarit dhurata, e kërcënimeve për të zbuluar sekrete të errta nga një e kaluar e shëmtuar, e premtimit të dhuratave, të cilat nëse pranoheshin, hidhnin bazat për një tjetër sekret të errët, për një tjetër të ardhme të errët. Ajo kohë ka marrë fund. Ju i shijuat privilegjet tuaja, ju e shijuat imunitetin tuaj, i mbushët xhepat tuaj, i mbushët xhepat e fëmijëve tuaj, të miqve tuaj! Ndalni – ka marrë fund! Koha juaj ka marrë fund!”

“Ka ardhur koha t’i lini njerëzit e zakonshëm të jetë të lirë, vërtetë të lirë. Ka ardhur koha që t’a lini popullin shqiptar të besojë se ekziston drejtësia në Shqipëri, se ia vlen që ata dhe fëmijët e tyre të qëndrojnë, se ekziston një e ardhme më e ndritur, se ka dënim për ata që kryejnë krime, se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Këtë duhet të bëjë Gjykata Kushtetuese dhe këtë është përpjekur të bëjë në vitet e fundit. Këtë duhet të bëjë çdo gjykatë, këtë duhet të bëjë çdo prokuror. Mjaft iu përgjigjët atyre telefonatave. Mjaft pranuat dhurata. Mjaft u frikësuat nga ato kërcënime. Lërini shqiptarët të marrin frymë. Lërini të jenë të lirë. Lëreni Shqipërinë të jetë e shkëlqyer,” nënvizoi Kim.