• |
ide | kryesore

“VAR po dëmton futbollin”. Conte i tërbuar pas golit të anulluar në shtesë: “Klubi duhet të kërkojë respekt”

-Instant, Sport
VAR



VAR “po e dëmton shumë” botën e futbollit. Këto janë fjalët e Antonio Conte pas anulimit të golit të Harry Kane në kohën e shtesë. Gjithcka ndodhi në fund të ndeshjes së Champions mes Tottenham dhe Sporting Lisbonë që përfundoi 1-1. Trajneri italian u përjashtua për shkak të protestave të forta nga gjyqtari holandez Danny Makkelie. “Do të doja të shihja nëse në një stadium tjetër të madh, me një tjetër skuadër të madhe, janë gati ta anulojnë këtë lloj goli. Do të doja ta dija”, ka shpërthyer në fund të ndeshjes tekniku, sipas mediave angleze.

Episodi i inkriminuar ndodhi në minutën e 99-të, kur pas rishikimit të gjatë në VAR, pozicioni i Kane u gjykua i parregullt. Sulmuesi shënoi golin e përmbysjes në asistin e Royal, por goli u bë i pavlefshëm. Përpunimi teknologjik në VAR tregoi gjurin e Kane, pak milimetra përpara trupit të lojtarit të Sporting Lisbonë.

“Kur nuk shoh ndershmëri zemërohem, 2-1 ishte i rregullt. Tani çfarë ndodh nëse eliminohemi?”, vazhdoi Conte i tërbuar. “Të gjithë dolën në fushë dhe arbitri më përjashtoi mua – tha italiani në dhomën e shtypit -. Mendoj se ka raste kur duhet të jesh i zgjuar. Sapo është anuluar një gol i rregullt, sepse topi është përpara Kane. Duhet të tregohemi të zgjuar. Ky vendim na shkakton dëme të mëdha dhe shpresoj që klubi ta kuptojë këtë e të flasë në mënyrën e duhur me ata që duhet të flasë. Përndryshe, mbetet vetëm trajneri që të ankohet. Klubi duhet të jetë i fortë, të bëjë veten të ndihet sepse ky vendim na ka shkaktuar dëme të mëdha. Tani duhet të presim ndeshjen e fundit në Marsejë: nuk e dimë se çfarë do të ndodhë javën e ardhshme. Dua të shoh se çfarë do të ndodhë nëse dalim jashtë…”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *