• |
ide | kryesore

Targat në veri, 3 fazat e planit të Albin Kurtit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Qeveria e Kosovës ka shpalosur një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

Kryeministri tha se qytetarët në veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS. I pyetur se nëse ky vendim nënkupton shtyrje të afatit për targa ai tha se Kosova nuk e ka shtyrë zbatimin e vendimit, por “ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë”.

Kurti përsëriti se targat me akronimet serbe për qytetet e Kosovës janë ilegale.

Afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia skadon më 31 tetor dhe Qeveria tha se me këtë vendim të ri ajo po tregon seriozitet për të zbatuar vendimin që ka marrë, por “në të njëjtën kohë që t’u japim shans atyre që janë të interesuar të integrohen”.

Shefi i Qeverisë së Kosovës tha se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë. Pavarësisht se tha që ata fillimisht i kërkuan që të shtynte afatin për riregjistrim, me të dëgjuar për vendimin e ri, thanë se do të tregojnë mendimin e tyre pasi të jenë konsultuar me kryeqendrat e tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtyjë afatin për targat për dhjetë muaj.

Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë, nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertonin ë ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas kësaj date, ekzekutivi kishte thënë paraprakisht se makinave me targa të tilla nuk do të mund të qarkullonin në territorin e shtetit e as të kalonin kufirin.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i ekzekutivit do të zbatohet në tërë territorin, duke theksuar se nuk ka nevojë për tensione.

Më 27 tetor, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zyrtarët serbë, paralajmëruan barrikada në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit do të konfiskonte targat dhe makinat e serbëve.

Nuk duam përshkallëzim të situatës”, tha Sveçla, duke shtuar se përshkallëzimi “po provokohet nga presidenti i Serbisë” Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka deklaruar më 26 tetor se targat KM (Mitrovicë e Kosovës) do të mbeten edhe pas 31 tetorit. Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe – sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia./ REL



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *