• |
ide | kryesore

Duhet të bënte operacion apendicitin, por luhej gjysmëfinalja: Ezequiel ikën nga spitali

-Instant, Sport
Ezequiel



E pabesueshme ajo që ndodhi në Argjentinë. Një lojtar arratiset nga spitali për të mos humbur gjysmëfinalen. Instituto, një ekip që luan në Primera B Nacional, divizioni i dytë i futbollit argjentinas, përfundoi i dyti në sezonin e rregullt. Më pas ata u kualifikua për në gjysmëfinalen e playoff-it. Kush kalon testin e playoff do të sigurojë ngjitjen në elitë. Një takim shumë i rëndësishëm që Ezequiel Parnisari nuk ka dashur ta humbasë. Mbrojtësi i skuadrës nga Kordoba, ditët e fundit ishte shtruar në spital dhe, siç raportojnë nga klubi, duhej t’i nënshtrohej një apendektomie. Megjithatë, lojtari u zhduk ditën e operacionit. Frikë? Aspak, ai kishte një takim më të rëndësishëm: duhej të stërvitej me ekipin në funksion të gjysmëfinales. Kështu, lojtari u largua nga spitali për të arritur në qendrën sportive.

Në sezonin që sapo ka përfunduar, Ezequiel Parnisari bëri 34 paraqitje të gjitha si titullar dhe gjithashtu shënoi dy gola. Mbrojtësi ka humbur vetëm dy ndeshje, njëra prej të cilave për shkak të skualifikimit. Një shtyllë e vërtetë e formacionit nga Kordoba, që ditët e fundit kishte përfunduar në spital për apendicit. Një ngjarje e papritur që gjithsesi nuk e ndaloi lojtarin. Në fakt Parnisari është arratisur nga klinika ku do të operohej. Nëse ai do t’i nënshtrohej një apendektomie, do të ishte i padisponueshëm për një periudhë nga 10 deri në 20 ditë. Kështu, ai nuk do të ishte në gjendje të dilte në fushë për gjysmëfinalet kundër Defensores de Belgrano, e planifikuar për 30 tetor dhe 6 nëntor.

E pakonceptueshme për lojtarin, ai duhej të stërvitej dhe të luante. Mbrojtësi vendosi kështu të arratiset nga spitali për të shkuar në stërvitje dhe për t’u përgatitur për ndeshjen. Historinë e ka treguar bashkëshortja e futbollistit, Pamela Andrada.

RRËFIMI I GRUAS SË LOJTARIT

Gruaja ka shpjeguar në rrjetet sociale se çfarë bëri i shoqi, por edhe çfarë iu desh të bënte që Parnisari të kthehej në spital: “Në gjithë këto vite ke bërë shumë çmenduri. Në shumicën e rasteve nuk kam qenë asnjeherë dakord, por gjithmonë të kam mbështetur dhe shoqëruar. E urrej kur nuk i jep prioritet shëndetit por e dua edhe pasionin tënd për atë që bën. E di që jeton për futbollin. Të enjten patëm një pasdite më shumë se të çmendur. Të ikësh nga spitali sepse të thonë se duhet të operojnë për apendicitin është si të jesh në një film. Po, ai iku”.

Frikë? Jo, Ezequiel donte të luante gjysmëfinalen: “Shumë mund të mendojnë se ka ikur nga frika e operacionit, por jo… ‘Duhet të luaj gjysmëfinalen, nuk mund të më operojnë’, nuk gaboj kur them se je i çmendur”. Më pas Pamela dha detaje se si arriti të bindte Ezequiel të kthehej në spital: “Mijëra telefonata dhe ai asgjë. Atëherë i shkrova ‘Nëse nuk kthehesh në spital do të kërkojmë me polici’”.

Postimi i Pamelës me titull “Mi loco bonito” është bërë viral. Ezequiel është kthyer në spital dhe skuadra do të përpiqet të fitojë pa të. Nëse Instituti arrin të kalojë në finale, do të përballet me fituesin mes Gimnasia de Mendoza dhe Estudiantes de Buenos Aires.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *