• |
ide | kryesore

Dosja/ Misteri i vdekjes së ish-oficerit të SHISH, Isa Çopa 11 vjet më parë

Arkiva, Lajme, Të fundit
Isa Çopa



Emisioni “Në shënjestër” në News 24 solli detaje interesante në emisionin e së mërkurës mbi një ngjarje të rëndë të ndodhur 22 vjet më parë. Bëhet fjalë për ekzekutimin e oficerit të SHISH në Durrës, Isa Çopa. Vdekja e tij është ende e pazbardhur.

Gjithçka nisi më 24 tetorit 2011. Fillimisht policia e raportoi si vetëvrasje. Edhe sot hetuesit janë të bindur se nuk ishte e tillë sërish hezitojnë të pranojnë se ai ishte një ekzekutim tipik mafioz. Autorët ishin kujdesur të mos linin asnjë gjurmë pas. Trupi i pajetë i oficerit madhor të shërbimit sekret u gjet në një makinë të shkrumbuar.

Dëshmia e djalit

“Babai im u kthye në shtëpi rreth orës 7.00 të mëngjesit, të datës 24 tetor 2011. Më herët la nënën time në stacionin e autobusit të Shijakut. Kjo pasi nëna ime punon si mësuese në këtë qytet. Më pas unë ika në shkollë dhe kur erdha në shtëpi nuk e gjeta më babain aty. Në orën 18.33, të po kësaj date, në numrin tim të telefonit, më vjen një mesazh nga numri i babit tim. Ku shkruhej: “Redi je shumë i mirë! Babi krenohet me ty. Mëso sa më shumë që ta çash vetë jetën. Mbështetu tek mami, por mos harro gjakun”, – tregon i biri Redian Çopa.

I alarmuar nga ky mesazh, djali i Isa Çopas, nuk priti të kishte një sqarim nga babai i tij. Para hetuesve ai tha se e mori vetë babain e tij në telefon. Por nga krahu tjetër i telefonit nuk erdhi asnjë përgjigje. As në atë moment, dhe as më vonë.

“Menjëherë sapo pashë tekstin e mesazhit. i bëra një thirrje në telefon babait tim. Atij i shkoi zilja, por nuk mora asnjë përgjigje. Më pas e provova sërish, por numri i telefonit më doli i fikur”, – tha Redian Çopa.

Dëshmia e vëllait

Ishte ky momenti kur Rediani nuk priti më. Por lajmëroi menjëherë nënën e tij. Dhe të dy, telefonuan fillimisht vëllain e Isait. Halit Çopa, që edhe ky provoi të lidhet me vëllain e tij, por që kontakti telefonik ishte i pamundur.

“Unë kam qenë në shtëpi deri në orën 17.35, të datës 24 Tetor 2011. Më pas dola dhe shkova te lokalet e lulishtes te muzeu në lagjen Nr. 11 në Durrës, për të pirë kafe bashkë me burrin e motrës. Gjatë kësaj kohe unë u telefonova nga Rediani dhe Arta, të cilët më rrëfyen për tekstin e mesazhit që Isai i kishte dërguar djalit të tij. Dhe se Isai pas këtij mesazhi, nuk po përgjigjej në telefon”, – pohoi Halit Çopa.

I shqetësuar, ai rendi te shtëpia e vëllait të tij. Më pas të gjithë bashkë u larguan nga aty, për të kërkuar Isain, në vendin ku ai mendohej se rrinte zakonisht. Por edhe në institucionin e tij të punës. Të gjitha kërkimet e tyre do të rezultonin të kota. Isa Çopa, do të gjendej i vrarë, vetëm disa orë pas zhdukjes së tij të beftë. I goditur me sende të forta dhe i karbonizuar brenda automjetit të tij ‘Opel Corsa’. Në zonën e Currilave, në Durrës. Një pamje makabër që rriti edhe më shumë dyshimin mbi atë çfarë mund të kishte ndodhur me oficerin e kundërzbulimit të shërbimit informativ.

Gjetja e trupit

Sipas dosjes hetimore të publikuar nga emisioni “Në shënjestër”, makina me trupin e tij të shkrumbuar, u gjet në orën 00.30, të mëngjesit e herët të datës 25 tetor 2011. Në vendin e quajtur ‘Bisht Kallm’ në zonën e Currilave. Vetëm disa orë pasi ai rezultonte të ishte zhdukur.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, rezultoi se automjeti ishte i parkuar në anën e një rruge qorre, në një terren tërësisht të braktisur, pa banesa apo biznese aty pranë” – thuhet në dosjen hetimore.

Vend me shkurre dhe barishte i cili më shumë frekuentohet nga çifte të ndryshme që ndodhet në zonën e Kallmit. Automjeti ishte i djegur plotësisht ku kishte mbetur vetëm skeleti metalik i tij, gjithashtu në tavanin e mjetit në pjesën që i përket sedijes së parë, anës së pasagjerit ndodhej një vrimë tejshpuese me drejtim nga brenda – jashtë. Po sipas grupi hetues, automjeti rezultoi të ishte i mbyllur. Edhe pse në pamje të parë, dukej si një vetëvrasje klasike.

“Brenda në automjet u gjet dhe më pas u mor në cilësinë e provës materiale një gëzhojë e cila kishte të stampuar në fundin e saj numrat 81 83 kalibri 9 mm. Gjithashtu në automjet u gjetën 4 pjesë të telefonave celularë, si dhe në derën e automjetit u gjend arma e tipit pistoletë “Makarov’ me një krehër, paksa i dalë nga foleja e saj, i mbuluar me një shtresë mbetjesh djegie me pozicion të rrahësit në pozicion zjarri, ku si rezultat i mbetjeve të djegies nuk dallohej numri dhe të dhëna të tjera të saj.
Automjeti rezultoi të ishte i mbyllur, i djegur plotësisht.

Ndërsa viktima ndodhej i karbonizuar, i ulur, i shtrirë në sediljen e drejtuesit të automjetit ku mekanizmi, i cili shërbente për uljen e sediljes ishte i organizuar në mënyrë mekanike dhe jo elektronike” – thuhet në dosje.

Pra sedilja ishte ulur qëllimisht më parë. Të gjendur përballë një pamje të tillë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, grupi hetues u përqendrua fillimisht më së shumti te rutina e ditore e viktimës. Dhe më konkretisht te ajo e ditës së tij të fundit në jetë.

Dëshmia e bashkëshortes

Sipas familjarëve të Isa Çopas, ai njihej si një person korrekt në familje. Edhe pse ishte një natyrë e mbyllur, ai nuk kishte shquar asnjëherë për konflikte familjare. Madje, po sipas familjarëve, 49-vjeçari, nuk kishte konflikte të natyrës së hakmarrjes, apo gjakmarrjes. Gjithashtu, nuk njihej si konsumator i veseve të ndryshme. Po kështu përjashtohej pista, që Isa Çopa, të kishte lidhje intime jashtë martesore. Edhe pse kohët e fundit, ai kthehej në orët e vona në banesë. Çka e justifikonte me arsye pune.

Këto motive duket se rrëzuan edhe dyshimet e para të grupit hetues, lidhur me mundësinë e një sulmi për arsye të ngushta familjare. Ndaj për këtë arsye, i gjithë hetimi u fokusua në detyrën e tij si Kryetar i Degës së Kundërzbulimit pranë Degës Durrës të Shërbimit Informativ, ku punonte prej vitesh.

“Unë dhe bashkëshorti im banojmë në një shtëpi private në lagjen Nr. 7 në Durrës. Nga martesa kemi një djalë të quajtur Redian, nxënës në klasën e 11-të në kolegjin turk ‘Turgut Ozal’, nxënës shembullor dhe fitues i disa olimpiadave në Matematikë dhe Fizikë.

LEXO EDHE: Zbulohet raporti i SHISH/ Gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në veprimtari të paligjshme

Më datë 24 Tetor 2011, në orën 06.30 unë dhe bashkëshorti im dolëm nga banesa dhe shkuam me makinën tip ‘Opel Corsa’ ngjyrë vishnje me targë TR 5175 A në lagjen Nr. 4 të qytetit të Durrësit, tek stacioni i autobusëve të linjës Durrës-Shijak. Aty ku unë marr furgonin për të shkuar në zonën e Shijakut, në shkollën 9-vjeçare ‘Muharrem Dollaku’, aty ku punoj si mësuese.

Këtu unë u ndava me Isain. Dhe që nga ai moment i mëngjesit herët, unë nuk e kam takuar apo të kem folur fizikisht me të. Unë kam folur me të vetëm nëpërmjet telefonit në orën 14.00. Më pas e telefonova në orën 17.05, ku e pyeta Isain, nëse do të shkonte në shtëpi që të hante bukë. Por mora përgjigje nga ai se do të vonohej, pasi kishte punë dhe ishte kthyer në institucion”, – tha bashkëshortja Arta Çopa.

Duke mos marrë asnjë informacion të dobishëm që mund t’u vlente për hetimin, grupi investigues, u ndal te kolegët e tij. Ata, që mund të ishin të vetmit që mund të hidhnin dritë mbi lëvizjet e fundit të viktimës. Komunikimet e fundit të Isa Çopas me kolegët e tij, duket të jenë në intervalin kohor midis orës 16.30-17.30, të datës 24 Tetor 2011.

Gjë që vërtetohet jo vetëm nga dëshmitë që ata dhanë për grupin hetues. Por edhe kërkimet që kishin bërë familjarët me kolegë të tij, menjëherë pasi në telefonin e djalit të Isa Çopas, kishte mbërritur mesazhi i çuditshëm nga ana e këtij të fundit.

Dëshmitë e kolegëve

Një nga këto persona që konfirmoi, praninë në institucion të Isa Çopas, në orën 16.50, sipas thënieve të bashkëshortes së tij, do të ishte edhe një nga ish- kolegët e tij të ngushtë.

“Unë mora në telefon shtetasin, Sh. N, ish koleg me Isain se ku ndodhej im shoq. Sh. më tha se ka folur në telefon me Isain rreth orës 16.50. Ku Isai e kishte marrë dhe i kishte kërkuar të dinte nëse e kishte takuar një person nga Tirana, ku ndërmjetës do të ishte Sh. Takime që ishin pjesë e punës së tyre. Sh. më tha se i ishte përgjigjur, se nuk e kishte takuar dot dhe se ndërkohë po kthehej nga Tirana. Isai, sipas Sh, në këtë moment pa i thënë asnjë fjalë i ka mbyllur telefonin dhe as ka komunikuar dhe as e ka parë më atë”, – pohoi Arta Çopa.

Një tjetër koleg që u pyet ishte edhe I. S, me detyrë, nënoficer i rojes së SHISH në Durrës. Ky i fundit konfirmoi për grupin hetues, se Isa Çopa ndodhej në zyrë deri në orën 16.00. Ky pati edhe një telefonatë të shkurtër me të.

“Isa Çopa ka qenë në punë deri në orën 16:00. Duke qenë se nuk po dilte, e mora në telefon për ta pyetur nëse do vonohej. Isai mu përgjigj se do dilte sapo të mbyllte kompjuterin. Ai doli dhe më tha që do të shkonte te Hyrja Nr. 4 e Portit Detar Durrës, ku do merrte A. K me detyrë, nënoficer i rojës së SHISH, pasi këtij të fundit i ishte prishur makina dhe do ta sillte në institucion. Unë u ndava me Isain, kur ai u largua me mjetin e tij ‘Opel Corsa’ ngjyrë e kuqe me targë TR 5175 A në drejtim të A. për tek Ura e Dajlanit. Gjatë bisedës së shkurtër që bëmë ai nuk paraqiti asnjë lloj shqetësimi dhe dukej i qetë si zakonisht” – tha I.S. nënoficer i SHISH.

LEXO EDHE: Kërcënohet ish -agjenti i SHISH: Të djegim si Isa Copa

Ashtu sikundër deklaroi kolegu i tij I.S., Isa Çopa u takua në të vërtetë me kolegun tjetër. Por në dëshminë e këtij të fundit, grupi hetues nuk gjeti asgjë të pazakontë, qoftë edhe në sjelljen e viktimës, që mund të linte dyshime mbi atë që më pas kishte ndodhur.

“Në orën 16.00, unë fola me Isain, ku i thashë se më ishte prishur makina dhe të vinte të më merrte te Hyrja Nr.4 e Portit Detar Durrës te Ura e Dajlanit. Isai pranoi të më merrte. Vetëm 10 minuta pasi bisedova me të, mora në telefon Isain dhe i thashë të mos nisej. Pasi kisha gjetur një makinë dhe po shkoja në institucion.

Por Isai më tha që kishte arritur, dhe të dy më pas u takuam në rrugë, brenda Portit, pranë sheshit të kontenierëve. Pasi u takuam u kthyem të dy me makinën e tij, ‘Opel Corsa’, në institucionin e SHISH. Isai pasi më la mua në institucion u largua me mjetin e tij. Nuk pashë asnjë shqetësim te ai, mu duk i qetë si zakonisht”, – tha A.K, Nën/Oficer i Rojes SHISH.

Fill pasi la kolegun në institucion, Isa Çopa, duket se ka pasur një tjetër takim. Këtë herë në kafe me një tjetër koleg të tij, të cilin e kishte vartës. Çka pohon ekzistencën e tij, të paktën deri në orën 17.00 të mbrëmjes, ku më pas do të gjendej i pajetë.

“Rreth orës 16.30 të datës 24 Tetor 2011 ne u takuam me një mikun tonë në lagjen Nr 4 Durrës, tek bar ‘Dovana’, ku biseduam për probleme pune. Pasi mbaruam bisedën dhe pimë kafe Isai rreth orës 17.00 u ngrit dhe iku duke na thënë që po shkonte në shtëpi”, – tha I.GJ, vartës i Isa Çopas.

LEXO EDHE: Durrës, arrestohet për trafik droge nipi i ish-agjentit të SHISH

Kafja me kolegët, duket se ka qenë edhe e fundit që Isa Çopa pati me ta. Pasi, sikundër u përshëndetën, ai u kthye në banesë. Por jo në të tijën, por në atë të motrës së tij. Ku ajo që e priti dhe e përcolli ishte mbesa e tij. Aty ku mori edhe një bidon bosh 5 litërsh.

“Isai erdhi në shtëpinë tonë në orën 17.10, dhe më kërkoi një bidon 5 litërsh bosh, të cilin unë ia dhashë. Shtëpitë tona janë ngjitur dhe ndahen nga një mur rrethues. Pasi Isai mori bidonin, ai iku me makinë”, – pohoi mbesa e Isa Çopas, Bruna Melkollari.

Fill pas këtij momenti, sipas edhe verifikimeve të kryera nga grupi hetues, Isa Çopa, shfaqet edhe njëherë në ambientet e zyrës së tij. Aty ku i fundit që e pa, ishte kolegu i tij A. K., i cili këtë herë konstatoi se në dalje, shefi i tij kishte edhe pistoletën me vete. Një praktikë që duket se i bëri përshtypje, pasi Isa Çopa nuk e kishte zakon të mbante armën e shërbimit me vete. Madje, ai e linte armën gjithmonë në kasafortën e tij, para se të dilte nga zyra.

“Isa Çopa u kthye në zyrë në orën 17.30. Pasi u përshëndetëm ai u ngjit në zyrë, ku gjatë kësaj kohe i ra telefoni. Gjatë kësaj kohe dëgjova Isain që përmendi emrin Qemal. Në orën 18.10, Isai doli nga zyra dhe kur kaloi pranë meje. Duke mbyllur pallton, pashë se kishte edhe pistoletën me vete”, – tha A.K, Nën/Oficer i Rojes SHISH.

LEXO EDHE: Zbardhen përgjimet e SHISH/ Si u zbulua spiuni i huaj me nofkën “Rezidenti”

Personi me emrin Qemal, që Isa Çopa foli në telefon u verifikua se ishte vëllai i tij emigrant. Çka duket se rrëzoi çdo mundësi që viktima të ishte nxjerrë në pritë, si në raste të ngjashme klasike analoge. Vetëm një orë më pas, sipas kolegut të tij, në orën 19.00 të së njëjtës mbrëmje, pranë SHISH u paraqitën të shqetësuar familjarë të Isa Çopas. Të cilët i treguan të alarmuar edhe tekstin e mesazhit që ky i fundit i kishte dërguar djalit të tij.

“Isai u largua me mjetin e tij duke më përshëndetur. Ai mori rrugën me makinë nga Shkolla e Muzikës dhe jo nga rruga që të nxjerr tek Porti Detar Durrës. Në orën 19.00, pranë institucionit u paraqitën familjarët e Isait, Halit Çopa, Masar Gjepali, Redian Çopa, të cilët u interesuan për të dhe më treguan tekstin e mesazhit që Isai i kishte dërguar të birit. Si edhe faktin që e kishin telefonuar por telefoni dilte i fikur. Provova edhe unë ta telefonoja por më kot, pasi telefoni dilte i fikur. Në këtë moment, unë vura në dijeni titullarët e institucionit të cilët bënë edhe njoftimin në Drejtorinë e Policisë Qarku Durrës, ku u bë njoftimi nga familjarët se kishte humbur kontaktet me ta, shtetasi Isa Çopa” – pohoi A.K, Nën/Oficer i Rojes.

LEXO EDHE: Hakerat iranianë nxjerrin të dhënat e kreut të SHISH

Lidhur mbi rëndësinë e personit që rezultonte i zhdukur, drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, ngriti menjëherë një grup pune, për verifikimin e rastit. Ku koha që ai rezultonte se kishte dalë nga godina e SHISH, ishte 18.10 minuta. Nga këqyrja e regjistrit të hyrje-daljeve të mjeteve të personave në Drejtorinë e SHISH-Durrës rezulton se Isa Çopa është larguar nga zyra në orën 18.10 me automjetin e tij ‘Opel’ me ngjyrë vishnje me targa TR5175 A.

Ku gjatë kësaj kohe në këtë institucion ka qenë dhe shtetasja B.T, punonjëse në SHISH-Durrës. Në deklarimin që ajo ka dhënë, ka shpjeguar faktin se ishte takuar me Isain ditën e ngjarjes ku ai kishte dorëzuar tek ajo një praktikë të cilën më pas e kishte marrë shtetasi I. Gj. Detyra e saj konsiston në protokollimin e materialeve të ndryshme që punojnë punonjësit. Në rastin konkret ajo ka shkuar përsëri në institucion pasdite pasi kishte disa punë te papërfunduara, por nuk është takuar me Isain. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ajo ka marrë dijeni pasi është telefonuar nga oficeri i rojës se institucionit. /Marrë me shkurtime nga Balkanweb.com



2 Comments

  1. Edhe pse nuk gjendet në terminologjinë e një partie të djathë, komisarët e dritës të grupimit heroik të Sali Berishës kanë gjetur strehë tek “baza”. Për gjithçka që mund të diskutosh apo të analizosh me ta, të tregojnë “bazën”. Nëse u flet për parime, të përplasin surratit perimet “e bazës”. Nëse u flet për ligjshmëri apo gjykatë, ta kthejnë sandraç se nuk ka ligj që prevalon mbi “bazën”. I vrare ne kohen kur kryeminister ishte salih karaxhic berisha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *