• |
ide | kryesore

Shqiptarët shpenzuan 14 milionë euro për sigurimin e udhëtimeve jashtë vendit në 9 muaj

-Instant, Lajme, Të fundit



Rritja e turizmit të shqiptarëve jashtë vendit këtë vit po sjell të ardhura më të larta edhe për kompanitë e sigurimeve.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për nëntë muajt e parë të këtij viti shqiptarët kanë shpenzuar 1.36 miliardë lekë ose 11.6 milionë euro për të siguruar mjetet e tyre për udhëtime jashtë vendit me produktin e detyrueshëm të Kartonit Jeshil. Krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar, primet e shkruara bruto për këtë produkt janë rritur me 41.3%.

Kartoni Jeshil apo Çertifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorik mbulon të gjitha përgjegjësitë civile (dëmet materiale dhe shëndetësore), që mund të shkaktohen nga përdorimi i mjetit motorik jashtë vendit. Çdo drejtues i një mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset detyrimisht me një policë sigurimi Karton Jeshil kur udhëton jashtë Shqipërisë.

Rritje me përmasa të ngjashme po shënon edhe një tjetër produkt i lidhur pothuajse ekskluzivisht me udhëtimet jashtë vendit, sigurimi i aksidenteve. Sipas statistikave të AMF, primet e shkruara bruto në këtë produkt arritën në 285 milionë lekë ose 2.4 milionë euro, në rritje me 38.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Polica e sigurimit nga aksidentet kërkohet përgjithësisht për udhëtimet në vendet e zonës Schengen.

Megjithëse nuk klasifikohet ligjërisht si i detyrueshëm, faktikisht ky është një ndër shumë produktet e sigurimit që shqiptarët janë të detyruar t’i blejnë, për shkak se janë pjesë e dokumentacionit të kërkuara nga autoritetet kufitare.

Po të mbledhim primet e Kartonit Jeshil dhe Sigurimit të Aksidenteve, mund të llogaritet se shqiptarët kanë shpenzuar rreth 15.6 milionë euro për sigurime të lidhura me udhëtime jashtë vendit gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti.

Të dhënat e INSAT treguan se për 9-mujorin 2022 u regjistruan gjithsej 4.39 milionë dalje të shtetasve shqiptarë jashtë kufijve të vendit. Numri i daljeve u rrit me 36.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fortë e turizmit hyrës dhe dalës gjatë këtij viti është një ndër faktorët kryesorë që po mbështet rritjen e tregut të sigurimeve në vend. Sipas të dhënave të AMF-së, për 9-mujorin 2022 primet e shkruara bruto u rritën me 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nëse turizmi dalës ka rritur të ardhurat nga kartoni jeshil dhe sigurimi i aksidenteve, edhe turizmi hyrës ka dhënë efekte pozitive në produkte të veçanta, si polica e sigurimit kufitar të mjeteve apo sigurimi KASKO i mjeteve tokësore. Primet e shkruara bruto nga policat e sigurimit kufitar u rritën me 12.2% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa primet e shkruara bruto nga sigurimi KASKO u rritën me 15.5%. Në sigurimin KASKO, një rol të rëndësishëm luan biznesi i makinave me qira, edhe ky i lidhur ngushtë me turizmin hyrës./ Monitor



1 Comment

  1. Ne vend te fjales “shqiptaret” duhej shkruar “pushtetaret” se populli dy lek si i ka i perdor

    per te paguar biletat e gomoneve te La Manshit drejt Anglise. Keta pushtetare qe vetem

    per sigurimin e makinave te tyre jeshte shtetit shpenzojne 14 milion dollare te cilat i kane

    perfituar nepermjet vjedhjes , nepermjet rushfetit, nepermjet gjobave e presioneve, vetem

    emrin kane shqiptare sepse ne fakt jane armiku i vertete i shqiptareve e Shqiperise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *