• |
ide | kryesore

Miratohet rezoluta/ OKB-ja zgjat mandatin e EUFOR-it në Bosnje

Lajme, Të fundit



Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të misionit paqeruajtës dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë. Rezoluta u miratua më 2 nëntor me vota unanime. I njohur si EUFOR Althea, misioni përbëhet nga rreth 1.100 ushtarë nga 20 shtete që janë dislokuar në Bosnje që nga viti 2004. Mandati i këtij misioni është zgjatur çdo vit. Këtë vit, këtij misioni i skadonte mandati më 3 nëntor.

Përfaqësuesi i lartë në Bosnjë, Christian Schmidt, tha në raportimin e tij se EUFOR Althea, vazhdon të luajë rol vital në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Bosnjë. Prezenca e tij është ende e nevojshme. Ambasadorja franceze në OKB, Natalie Broadhurst, tha se prezenca e komunitetit ndërkombëtar në Bosnje është thelbësore për stabilitetin e shtetit dhe të rajonit.

Ajo shtoi se autoritetet në Bosnje duhet të tregojnë vullnet për dialog dhe përfshirje në zbatimin e reformave. Sipas saj, Franca mbështet integrimin evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor. EUFOR-i është pjesërisht i ngarkuar me sigurimin e rendit civil dhe respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit së bashku me përfaqësuesin e lartë, Christian Schmidt.

Më shumë se 100.000 njerëz vdiqën në Luftën e Bosnjës në vitet 1992-95. Ajo përfundoi me nënshkrimin nga udhëheqësit serbë, kroatë dhe boshnjakë të një paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Dejton, Ohajo. EUFOR-i zëvendësoi trupat paqeruajtëse të NATO-s në Bosnje në vitin 2004./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *