• |
ide | kryesore

BBC: Emigrantët shqiptarë në Francë rekrutohen nga bandat e dr0gës në Angli

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



BBC ka parë prova se bandat shqiptare të dr0gës po përdorin kampet e emigrantëve në veri të Francës si terren rekrutimi, duke ofruar pagimin e kalimit për në Angli për ata që janë të gatshëm të punojnë në trafikun e drogës sapo të kalojnë La Manshhin.

Shqiptarët llogariten një e treta e pothuajse 40 mijë personave që kanë mbërritur me varka gjatë këtij viti, sipas shifrave nga qeveria britanike.

Zyrtarë të lartë të policisë e të emigracionit në të dyja anët e ngushticës së La Manshit janë të shqetësuar për rolin në rritje të ndërmjetësve shqiptarë për kalimin e detit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka akuzuar Britaninë se po bën koka turku qytetarët e tij për të justifikuar “politikat e dështuara” për kufijtë dhe migracionin.

Në qytetin francez të Dunkirkut gjatë kësaj vere dëshmitarët kanë parë se si shqiptarët zënë pjesën më të madhe të kampin të emigrantëve atje.

Dhe hotelet e vegjël rreth stacionit – si Hotel Bretagne apo Le Lion d’Or – tani janë qendra të njohura të migrantëve shqiptarë: dyert janë gjithmonë të mbyllura, nuk shihet asnjë anëtar personeli, numri i telefonit i ngjitur në xhamin e derës.

Këto janë vende ku ndërmjetësit shqiptarë presin klientë – duke vepruar si nyje kritike lidhëse me varkat e kalimit të detit, të dominuara nga rrjetet kurde e irakene.

“Në Francë ka njerëz që të presin”, më tha një shqiptar, pasi mbërriti në Angli me një varkë të vogël në verë. “Të gjithë e dinë ku të shkosh nëse do të shkosh në Angli”.

Nga rruga para stacionit të Dunkirkut dallojmë Kevin në dritaren e dhomës në katin e dytë në Le Lion d’Or, teksa tymos një cigare. I sapoardhur nga Shqipëria, 20 vjeç e plot energji nervoze për udhëtimin që e pret.

Pas dy ditësh e ka gjetur dikë për të organizuar kalimin dhe pret për njoftimin për t’u larguar.

“Koha nuk është e mirë”, thotë. “Do të na duhet të presim edhe dy ditë ndoshta”.

Për shtetasit shqiptarë si Kevi vajtja në veri të Francës është e lehtë, ata kanë të drejtën e hyrjes në BE si turistë deri në tre muaj pa viza.

Shumë vijnë me autobusë apo makina, të joshur nga reklamat në median sociale që iu premton ndihmë nga ndërmjetësit në terren në Bruksel, Paris, Calais apo Dunkirk.

Duke u hequr si migrantë shqiptarë, kontaktuam dy trafikues që bënin reklamë për të joshur klientët në TikTok.

Të dy u përgjigjën brenda gjysmë ore, me opsionin për të paguar në Francë ose në Angli, dhe me guidë për mbërritur në Belgjikë apo Francë, ku do të kontaktoheshin nga një ndërmjetës. Mesazhi nga të dy ishte: “Është e lehtë”.

“Ndërmjetësit të afrohen dhe ti zgjedh ofertën më të lirë”, më tha Eraldo Harlicaj, një gazetar shqiptar.

Eraldo u paraqit së fundmi si migrant nga Shqipëria për televizionin shqiptar ABC. Ai thotë se shumica e ndërmjetësve shqiptarë i rrinë larg kampit kryesor të migrantëve në Dunkirk, ku kontrollin e kanë kurdët dhe rrjete të tjera.

“Kur ishim brenda kampit, pamë që shqiptarët nuk kishin shumë në dorë. Gjithçka drejtohej nga kurdët”, më tha Eraldo. “I gjithë organizimi në kamp dhe transportimi i njerëzve drejt Anglisë bëhej nga kurdët”.

Një zyrtar i lartë francez konfirmoi se shqiptarët aktualisht luajnë rolin e ndërmjetësve, duke lidhur migrantët shqiptarë me bandat e trafikimit kurdo-irakene.

Ata drejtojnë aktualisht 80% të operacioneve me varka të vogla, por autoritetet franceze janë të shqetësuara nga perspektiva se shqiptarët do të nisin të kryejnë operacionet e tyre të pavarura, çka përmban rrezikun e konflikteve të dhunshme midis grupeve.

Qeveria britanike thotë se këtë vit kanë mbërritur 12 mijë shqiptarë me varka, pothuajse të gjithë të rinj që udhëtojnë vetëm.

Në Shqipëri, disa zona rreth Tiranës kanë mbetur pa njerëz.

Një grua, e identifikuar si Majlinda, që nuk deshi të zbulonte emrin e saj të vërtetë, thotë se i biri shkoi në Angli para një muaji, me 3-4 shokë të lagjes. Ajo më tregoi se djali shkoi në Dunkirk, por mbeti pa pará për të paguar kalimin e detit.

“Ishte shumë e vështirë të hipte në varkë”, më tregoi. “U detyrova të përfshij një kushëririn tim që veproi si garant në Angli. Ai ka vizë britanike dhe ka qenë atje prej 20 vjetësh”.

Kushëriri u dërgoi trafikuesve një foto të djalit të saj, për ta identifikuar. Kur kalimi u krye, trafikantët i dërguan atij një tjetër foto të djalit për të provuar që kishte mbërritur në tokën britanike.

Edhe për ata që nuk kanë pará për parapagim gjenden mënyra kalimi.

Një shqiptar që mbërriti në Angli me varkë para disa muajve na tha se skautët e bandave shqiptare të drogës veprojnë brenda kampit të Dunkirkut.

Ai ra dakord për një intervistë në Londër, me kusht që mos të identifikohej në asnjë mënyrë. Ai tha se rekrutuesit i ishin afruar “katër a pesë herë”.

“Më ofruan shumë gjëra, pagimin e udhëtimit, gjetjen e një pune në Angli, por nuk isha i interesuar”, thotë.

Ai tregon se shumica e djemve të rinj që takoi në kampin e Dunkirkut planifikonin të punonin në rrjetet shqiptare të kanabisit dhe kokainës në Britani.

Asnjë agjenci qeveritare apo zyrtar imigracioni nuk e ka konfirmuar vlerësimin e tij. Por një ish-migrant shqiptar, i cili punoi për një dekadë ilegalisht në Britani, na tha se gjysma e stafit të imigrantëve në kompaninë e tij të ndërtimit kishin marrë oferta joshëse nga banda droge.

Shqipëria ka rënë dakord të ripranojë shtetasit që iu refuzohet e drejta e qëndrimit në Britani dhe ka dërguar staf për të ndihmuar policinë kufitare britanike.

Por kryeministri Edi Rama më tha se rrjetet që operojnë në veri të Francës janë ndërkombëtare nga natyra dhe se ka një kufi të asaj që mund të bëjë qeveria e tij.

“Ngushtica e La Manshit nuk është gjeografikisht dhe politikisht nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare”, tha.

“Vendet e origjinës nuk duhet të thirren të ndërhyjnë në momentin që problemi del në gazeta. Është shumë e lehtë për kryeministrin britanik të dalë në televizion e të tregojë muskujt e të drejtojë gishtin nga Shqipëria e shqiptarët”.

Rrjetet shqiptare të trafikimit kanë ekzistuar shumë më herët se trafiku me barka të vogla. Ndërmjetësit shqiptarë në Francë e Belgjikë i fshihnin bashkatdhetarët e tyre brenda kamionëve që shkonin në Britani.

Por rritja e sigurisë në portet e trageteve nga të dyja anët e ka bërë këtë rrugë më të vështirë e më të shtrenjtë.

Kalimi me varkë kushton sa gjysma e kalimit me kamion dhe media sociale është plot me dëshmi nga ata që kalojnë në anën tjetër. Çdo i ardhur i ri frymëzon një tjetër për t’u nisur.

Majlinda ka kontaktuar me të birin pasi ai mbërriti në Angli. Ai ka dalë nga qendra e grumbullimit dhe po qëndron në një hotel.

“Iku për një jetë më të mirë”, thotë. “Por ka sakrifica. Tani duhet të shlyejmë paratë që morëm borxh”.

Ndërkohë, djali tjetër i saj, 14 vjeç, e ka nisur tashmë planifikimin e udhëtimit të tij.

Historia e vëllait, me borxhe e rreziqe, është shndërruar nga ujërat e La Manshit në një rast joshës.

Çdo kalim i suksesshëm, një fill i padukshëm që ngacmon mendjet e shqiptarëve në Shqipëri.

Nga Lucy Williamson, BBC 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *