• |
ide | kryesore

Serbët vendosën për largim nga institucionet e Kosovës – Çfarë ndodh tash?

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë vendosur të shtunën e 5 nëntorit që të mos jenë më pjesë e institucioneve të këtij shteti.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.

Katër komunat me shumicë serbe në veri janë: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

Pse?
Sepse serbët e Kosovës nuk e mbështesin vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS – Republika e Kosovës.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë pas një takimi me dyer të mbyllura se, vendimi do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.

Zhvillimet e 5 nëntorit në veri

Nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit të ardhshëm, Qeveria e Kosovës mëton të finalizojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për lëvizje të lirë, më 2011.

Kush ka dhënë dorëheqje?
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Dorëheqje kanë dhënë edhe 10 deputetë serbë nga ulëset në Kuvendin e Kosovës, dhe pjesëtarët serbë të gjyqësorit dhe Policisë së Kosovës në rajonin e veriut.

Çka ndodh tash?
Analistët, Agon Maliqi dhe Ehat Miftaraj kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, një vendim i tillë përshkallëzon situatën dhe – nëse formalizohet – përbën kthim mbrapa për veriun e Kosovës në periudhën para vitit 2013.

Sipas Miftarajt, veriu do të përballet me vakum institucional.

Pse përmendet viti 2013?
Sepse atëherë është nënshkruar një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë – në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Kjo marrëveshje parasheh integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.

Një prej takimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti (majtas) dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, (djathtas), në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Bruksel, 15 qershor 2021.

Çfarë implikime ka kjo situatë?

Dy analistët përmendin sigurinë.

Analisti Maliqi beson se kjo situatë krijon rrezik të madh për incidente.

Miftaraj beson se dorëheqjet cenojnë rëndë sigurinë në pjesën veriore të Kosovës dhe shkatërrohet “gjithë mundi dhe investimet e bëra nga Qeveria e Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për procesin e integrimit”.

Çfarë ka thënë Policia e Kosovës?
Pak pas vendimit për dorëheqje të serbëve, disa media lokale në Kosovë dhe Serbi, kanë raportuar se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë nisur drejt veriut të Kosovës.

Mirëpo, Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka ndodhur diçka e tillë.

Përmes një komunikate, Policia ka thënë se, sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale, do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore për të garantuar sigurinë.

Çfarë nënkupton formalizimi?

Ende nuk dihet nëse dorëheqjet e 5 nëntorit janë shenjë proteste, apo do të formalizohen në ditët në vijim. Miftaraj ka thënë se vendimi i serbëve “do të ketë efekt juridik nëse formalizohet me aktin e dorëheqjes”. Kjo nënkupton që mënyra e vetme e kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në institucione është përmes konkurseve. Në një situatë të atillë, procesi do të duhej të niste nga fillimi.

Kush mund të konkurrojë në rast të formalizimit të dorëheqjeve?
Sipas marrëveshjes së Brukselit, Kosova është e obliguar që në këto pozita të punësojë pjesëtarë të komunitetit serb. Megjithatë, Miftaraj beson se në një skenar të tillë, finalizimi i procesit do të merrte kohë, andaj institucionet e Kosovës duhet të punojnë tani që të mos cenohet siguria.

Si është komentuar ky vendim në Kosovë?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka konsideruar dorëheqjet si veprime të Serbisë me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri duke zhveshur uniformat e tyre pas dorëheqjes nga institucionet e Kosovës.

Partitë opozitare në Kosovë janë shprehur të shqetësuara për situatën në veri dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë për reflektim.

Reagimet në Serbi

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në anën tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje.

“Në luftën e tyre për paqe, stabilitet, sundim të ligjit dhe respektim të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, ata do ta kenë gjithmonë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Serbisë”, ka thënë ajo përmes një deklarate.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka mbështetur vendimin.

Pse është krijuar kjo situatë?
Analisti Maliqi beson se Beogradi nuk është i interesuar për propozimin franko-gjerman, për finalizim të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet kuptuar që në fund të të gjitha zhvillimeve që kanë të bëjnë me targat, qëndron kjo nismë franko-gjermane për ta mbyllur kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës duhet ta bashkërendojë çdo hap me aleatët, para së gjithash me SHBA-në, në mënyrë që të mos krijohen situata që e favorizojnë Serbinë në tentimin e saj për ta bllokuar procesin e dialogut”.

Për planin franko-gjerman nuk ka shumë informacione.

Në tetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza, “ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.

Heqja dorë nga vendimi për targat
Lidhur me kërkesat e palës serbe për anulim të vendimit për targat, analisti Maliqi beson se bazuar në pozicionin ku ka arritur Kurti, “tani e ka vështirë të kthehet”.

“Bashkësia ndërkombëtare do t’i gjykojë ashpër të dyja palët për efektin që e prodhon kjo situatë, pra potencialin për eskalim në dhunë. Në këtë kontekst, për Kosovën do të ishte më e favorshme që, veçanërisht me SHBA-në, të forcojë presionin drejt Serbisë, dhe kjo nënkupton që të mos e bëjë çështjen e targave si prioritet, por çështjen e njohjes dhe përmbylljes së dialogut”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./ REL

https://www.youtube.com/watch?time_continue=163&v=vZZMmWLX8Qc&feature=emb_title



5 Comments

  1. Jeni ne gjendje cfar do ndoll tani.askush nuk e din vec ZOTIT MADHERISHEM I CILI KRIJOJ UDHEZOJ PER CFAR KRIJOJ.DHE E BERI TE MUNDESHME PER TA KUPTUAR QE SIPAS ANGAZHIMIT SEJCILIT PREJ NJERZEVE INDIVIDEVE APO KOLEKTIVIT PACMANGESHEM I PERFSHIN SHPERBLIMI I TE MADHIT ZOT SI PER MIR SHPERBLIM SI PER KEQ NDESHKIM NESE SPENDOHEN .

  2. Sa her qe njerzit u kan hyr ne hak tjereve .dhe nuk jan penduar sju ka kerkuar hallallin se kan vene te drejten ne vend .NE CDO KOHE TE PERIULLAVE TE HISTORIS KA REZULTUAR ME PERFUNDIM URREJTJE PERPLASJE SHKATRRIM NDESHKIM ZHGENJIM

    1. Çfarë do ndodhë.Asgje për t’u shqetësuar.Serbet këtë politikë kanë.Mendoj se kupa po mbushet.Sdo t’i kryenin bishtin atyre që vranë e prenë shqiptarët.Nese do vazhdojnë kështu Europa e Amerika do marrin një vendim.Se gjithmonë i kërkohet shqiptarëve të lëshojnë.Nuk do të shkohet në infinit me politikë destabilizuese serbe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *