• |
ide | kryesore

Drejtësia e re/ Dështimi spektakolar me hetimet pas tërmetit të 26 Nëntorit

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Kur trauma e tërmetit të 26 Nëntorit po fashitej dhe reflektimi i zuri vendin frikës, në dyert e prokurorisë së Durrësit, që ishte edhe epiqendra e fatkeqësisë, u shfaq shefi i sapoemëruar i prokurorisë, Olsian Çela.

Ky ishte i pari Prokuror i Përgjithshëm që zgjidhej siç e parashikonte reforma në drejtësi. Pasardhësaj e tij, Arta Marku u emërtua si “e përkohshme”, ndaj njëanshmëria dhe shërbimet që i bëri mazhorancës u panë me tolerancë.

Kurse me emërimin e Olsian Çelës, nuk kishte më asnjë justifikim. “Drejtësia e re” ishte në detyrë.
Prandaj kur foli për drejtësi në Durrës, ai ngjalli shpresë se do të kishte drejtësi për 51 të vdekur, që mbetën mes rrënojave për shkak të shtesave pa leje, për shkak të betonit me cilësi të dobët apo për hir të korrupsionit të zyrtarëve të bashkive, që kishin dhënë lejet.

Premtimet e prokurorëve për drejtësi

“Jam i kënaqur me atë që dëgjova. Shumë shpejt rezultatet do të jenë të prekshme. Individë të papërgjegjshëm kanë shkelur ligjin dhe pasojë e ardhur është vdekja e shumë personave. Në këtë kuadër besoj se zbatimi i ligjit do të jetë korrekt.”– tha Çela në datën 7 Dhjetor të 2019.

Në deklaratë kishte dalë edhe drejtuesja e prokurorisë së Durrësit, Anita Jella sipas së cilës hetimet kishin zbuluar “një sere problematikash sa i përket cilësisë së materialeve të ndërtimit”.

“Në disa prej objekteve, cilësia, rezistenca e betonit dhe hekurit të përdorur rezultoi të ishte e dobët dhe jo në përputhje me kushtet e kriteret e projektimit dhe zbatimit. Ndërtimi i kateve shtesë, gjithashtu që është vërejtur në disa prej rasteve ka rritur masën e ndërtesës dhe sforcimet në katet e poshtme të strukturave, për rrjedhojë, rritjen e forcave sizmike që kanë vepruar” u shpreh Jella.

As Tirana nuk mbeti pas nga premtimet për drejtësi. 31 persona u shpallën në kërkim. Disa prej tyre u arrestuan, të tjerë u arratisën. Në një konferencë të përbashkët me shefat e policive, ish-drejtuesja e prokurorisë së Tiranës u shpreh se “Po hetohen të gjitha objektet e pabanueshme. Janë arrestuar 31 përgjegjës për këto dëme.”

Vendimi i fundit për pafajësitë

Tre vite më pas, premtimi i bujshëm, gati kërcënues i Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela për abuzimet që çuan në 51 të vdekur ngjan me një tallje cinike.

Pavarësisht bujës dhe gjetjeve të shkeljeve në disa prej ndërtesave të shembura, krimi mbeti pa ndëshkim.

Lexo edhe: Një vit më pas/ Si u lanë të vdisnin 24 banorë në pallatet e Thumanës

Lexo edhe: Faktet e reja video/ Krimi i varrit masiv të Thumanës që po mbahet i fshehur

Do të ishte e tepërt që ndonjë nga drejtuesit e bashkive në Tiranë Erjon Veliaj, në Durrës Vangjush Dako, apo në Krujë Artur Bushi të përfundonin në bankën e të akuzuarve.

Por çështja është se të gjithë të arrestuarit, zyrtarë të nivelit të ulët apo biznesmenë, dolën të lirë.

Gjykimi përfundimtar u dha sot, për të gjithë personat e akuzuar për dosjen e tërmetit në Durrës.

Të pafajshëm u shpallën ish-drejtori i ALUIZNI-t Flamuz Gjuzi, ish-drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Artur Çela dhe një i akuzuar për ndërtim të paligjshëm Artur Terziu.

Në lidhje me personat e tjerë, Skerdi Bello ish-punonjës i ALUIZNI-t, u dënua me shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare së bashku me Alfred Qetka, ndërsa Aldo Dakovelli u dënua me punë në shërbim të komunitetit.

Dështimi i prokurorisë në të gjitha qytetet

Durrësi ishte qyteti më i goditur me disa pallate, hotele dhe banesa private disa-katëshe të cilat u rrënuan. Në këtë qytet dolën edhe urdhër-arrestet e para për 16 persona.

Në Tiranë ndodhën dhe arrestimet më të shumta. Prokuroria nxorri urdhër-arreste për 31 persona, zyrtarë e ish zyrtarë vendor, inspektorë të ndërtimit, arkitektë, inxhinierë dhe ndërtuesë në disa komuna të Tiranës, Farkë e Kashar, apo dhe të Bashkisë Vorë. Nga lista e gjatë e të arrestuarve, të gjithë i kanë lënë qelitë.

Prokuroria e Krujës mori nën hetim 10 persona, fizikë dhe juridikë, për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim i formularëve dhe stampave. Në Thumanë u shembën dy pallate 5-katësh, për të cilët banorët kishin kërkuar ndihmë, por nuk ishin dëgjuar nga bashkia./Lapsi.al



9 Comments

  1. Si u nis ashtu u bitis . Kur gjithçka vertitet rreth gobes dihet perfundimi , thjesht nje gjobevenie per xhepat e pseudodrejtesise . Me bythe e nisen , produkt bythe nxorren .

  2. një faktor i fortë që ka ndikuar në “prerjen e gjunjëve” të “primareve”, është qëndrimi i qartë dhe i vendosur i PD zyrtare drejtuar nga Alibeaj, e cila i dha fund farsës së bisedimeve me Berishën dhe deklaroi se do të hyjnë në zgjedhje me kandidatët e tyre, duke mos përjashtuar mundësinë që në ndonjë rreth të bëjnë aleancë mes kandidatëve.

  3. ja pra qe krisma nuk ka pasur. dolen te gjithe te pafajshem si qershite e nastradinit.
    kjo na ishte drejtesia e re e soros… ndersa kuklla e soros na i quan “heronjte e femijeve” tallje ttt

  4. Këta ka 31 vjet që i shërbejnë pushtetit dhe kriminelve, pra janë të korruptuar dhe pa dinjitet.
    Dhe ky s’mund të jetë ndryshe.

  5. Ne prokurorine e Durresit ka akoma dosje te termetit te pambyllura.
    Dosje per pallate te shkaterruara qe kane deklaruar se kane mbi 200 pilota , por nga hetimet e vete prokurorise nuk u gjet as edhe 1 pilot i vetem.
    Besoj se edhe kesaj radhe nuk do te kete fajtor per kete ” harrese te vogel” .

    Sic e shihni jam besimplote tek drejtesia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *