• |
ide | kryesore

“Të dobëta e të shëndosha në tavolina të ndara”: Donati tre herë kampion bote denoncon skandalin e aerobisë

-Instant, Sport
Donati



Nga gjimnastika tek aerobia, filli i përbashkët është gjithmonë i njëjtë dhe është drithërues. Skandali po përhapet me shpejtësi, sepse sportistët e gatshëm të flasin shtohen dita-ditës. Ata zbulojnë detaje të reja për një “metodë”, që nuk ka lidhje me sportin dhe me vlerat e tij. Këtë herë Davide Donati, tre herë kampion bote me ekipin kombëtar të aerobisë, hapi kutinë e Pandorës: “Gjatë çdo vakti, vajzat ndaheshin sipas peshës: kishte dy tavolina, njëra për të hollat dhe tjetra për të të shëndoshat, siç përcaktoheshin nga teknikët – tregon ai për Repubblica-. Ndarja fizike ishte një poshtërim i përditshëm për ta. Menyja ndryshonte dukshëm sipas tavolinave. Ato që konsideroheshin të dobëta mund të hanin diçka më shumë se të tjerat”.

Donati vazhdoi përsëri: “Ne meshkujt, që mund të hanim edhe bukë, shpesh e fshihnim brenda kapuçit të xhupit dhe ua çonim vajzave të uritura pas drekës. Nuk janë raste të izoluara. Fjalët e tyre kanë hapur një plagë të dhimbshme te të gjithë ne dhe duam t’i mbështesim. E askush të mos thotë që Federata nuk ishte në dijeni të këtyre sjelljeve”.

HISTORIA E RRËFYER NË NJË DETYRË KLASE E INDIFERENCA E FEDERATËS

Edhe më shqetësuese është historia e rrëfyer nga Verdiana Serafini, nëna e Ilarias. Vajzës së vogël, që pak muaj më parë, shprehu gjithë shqetësimin e saj të thellë në një temë të vitit të tretë në gjimnaz: “Gjatë ushtrimit – shkroi Ilaria – instruktorja e gjimnastikës ritmike e një klubi sportiv roman filloi të bërtasë për gjithçka. Më quajti dosë, derrkuce, hipopotam”.

“Më vjen keq, shumë keq -tha Verdiana Serafini-. Ne e kaluam, i bëmë llogaritë, reaguam. Vajza të tjera nuk patën forcë. Si shkoi në rastin tonë? Iu drejtuam Prokurorisë federale dhe pas një procesi të komplikuar burokratik u arrit një denim. Pezullim vetëm një muaj e gjysmë për trajneren. Pezullimi u aktivizua gjatë muajve të verës kur nuk kishte gara federale. Një tallje. Në shtator e gjetëm në juri në një garë rajonale. E pastaj ajo u kthye në stërvitje në qendrat teknike federale për të cilat ishte thirrur edhe vajza jonë. Kjo mungesë ndjeshmërie është thellësisht e padrejtë ndaj asaj që kemi vuajtur”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *