• |
ide | kryesore

Pak shpresa për një takim Kurti – Vuçiç në Paris

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
takim



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se nuk beson se do të ketë një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Paris. Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, ai tha para gazetarëve se ka pasur një mundësi që takimi të ndodhte, por tashmë nuk beson më. Vuçiç nuk dha më shumë detaje. Vuçiç tha gjithashtu se presidentit francez ia përcolli “zhgënjimin e popullit serb në Kosovë e Metohi, sepse ajo që ishte premtuar nuk u realizua”.

“Nuk ka arsye për të qenë optimist me Prishtinën. Macronit i thashë se ne po kërkojmë vetëm targa neutrale ndaj statusit, siç është në marrëveshje”, – tha Vuçiç. Ai deklaroi se i ka treguar presidentit francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Edhe për këtë nuk dha detaje.

“Por, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas”, – ka shtuar Vuçiç duke iu referuar kërkesës së Serbisë që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Një ditë më herët, edhe Kurti, i cili po ashtu gjendet sot në Paris, tha se mund të ndodhë një takim me Vuçiçin. Kurti dhe Vuçiç po marrin pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez. 

LEXO EDHE: Publikohen 9 pikat e planit franko-gjerman për Kosovën

Në krahun tjetër edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti takuan presidentin Macron. Pas takimit, Kurti bëri një mesazh në Facebook, por nuk përmendi mundësinë e një takimi me Vuçiç.

“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme” – shkruan Kurti.

Një ditë më herët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se “të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *