Me publikimin e plan-biznesit të “Marina & Jahtet e Durrësit” rezulton se në mungesë të plotë të transparencës, qeveria arriti një marrëveshje shumë të leverdisshme për investitorin e huaj, por duke lënë pas dore interesin e shtetit shqiptar.
Është i njohur fakti se kompania private nuk do të paguajë taksë infrastrukture dhe as nuk do të bëjë pagesën për fondin e strehimit social, siç parashikon ligji. Me këtë “bujari” qeveria llogaritet se i dhuron kompanisë 150 milionë euro (7% e shumës së parashikuar që do të arkëtohet vetëm nga shitja e apartamenteve).
Përveç kësaj, pasi i fal një sipërfaqe më të madhe se 1 milion metër katrorë në Durrës, fitimet e shtetit shqiptar llogariten të jenë 280 milion euro, ndërkohë që projekti do të gjenerojë një shumë gati 10 herë më të madhe, që është mbi 3 miliard euro.
Përtej llogaritjes së parave, plani i biznesit zbulon disa detaje të panjohura më parë, që rrëzojnë propagandën e deritanishme.
Gazetarja Ola Xama kujton se për vite me radhë u propagandua sikur “Shqipërisë më në fund i trokiti në derë fati dhe disa pasanikë nga Emiratet Arabe po vijnë të Rilindin Durrësin dhe portin e qytetit”, por nga leximi i kontratës, rezulton e kundërta: “fati ka trokitur në derën e investitorit”
Sepse, në intervistat dhe prezantimet e vazhdueshme mbi projektin vëmëndjen kryesore e zë marina dhe jo pallatet apo hotelet që do të ndërtohen në Durrës.

Ndërkohë vëren gazetarja, marina që do të ndërtohet është relativisht e vogël, krahasuar me disa destinacione të tjera turistike të vendeve të tjera.
“Projekti zhbën tërësisht Portin mijëvjeçar dhe sjell ndërtimin e një kompleksi me pallate, dy hotele dhe një marinë të vogël me 280 vende e cila planfikohet të ndërtohet e fundit. 84 vende do të jenë për jahte të mëdha dhe 196 për varka dhe jahte të vegjël. Për analogji mund të bëjmë disa krahasime me koncesionet e dhëna në Shqipëri për marina turistike. Numri i vendeve të ankorimit në Portin e Kalasë së Turrës parashikohet të jetë 700, ndërsa në kontratën e parë me kompaninë Yldon në Durrës 500. Nëse i krahasojmë me porte të tjera afër me ne si në Kotor, Split dhe Greqi numri i vendeve të ankorimit është sërish më i ulët. Po ashtu projekti ndan ndërtimin e vendeve të jahteve për gjatësi mbi 40 metra dhe nën 40 metra. Standardi dhe konkurrenca që kanë disa nga marinat më të zhvilluara të Europës, në Antibes (jugu i Francës) apo Porto Cervo (Sardenja) është për gjatësi jahtesh mbi 170 metra” shkruan Xama, e cila ngre pikëpyetje edhe për kompaninë offshore që ka hyrë në lojë.
Duke parë lëvizjen e shumave të mëdha të parave, është në pikëpyetje fakti nëse do të kalohen në filtra investitorët, që do të futen si palë e tretë.
“Kompania thotë se 80 milion euro të kapitalit do ta sigurojë nga bankat dhe do të pranojë financimin nga palët e treta. Sa do të jetë financimi nga palët e treta dhe sa nga xhepi i saj? A do të kalohen filtra për këto financime m.q.s. në mes ndodhet një kompani Offshore, ku mund të hyjnë para nga grupe kriminale, por edhe financues të terrorizmit ndërsa në Shqipëri do të figurojë sikur vijnë nga shoqëria Eagle Hills? Asnjë fjalë për filtra të kapitalit në kontratë” shkruan Xama.
Lexo edhe: Shfryrja e flluskës të Portit Turistik të Durrësit
Lexo edhe: Video/ Rrëshket Rama, “miliona” sharje për Portin e Durrësit
Gazetari Klodian Tomorri nxjerr një aspekt tjetër që shfryn propagandën e deritanishme të qeverisë, sikur këtu kemi të bëjmë me nje investim të jashtëzakonshëm.
Përkundrazi, investimi do të ketë formë të ngjashme me atë që bën rëndom çdo ndërtues në Tiranë. Pa pasur të gjitha paratë, hap gropën për pallat dhe me lekët që shet apartamentet, vazhdon ngre katet e mbetura.
“Projekti kerkon 2.1 miliarde euro investime per realizimin e plote. Por kompania financon vetem 160 milione euro. Nga keto 80 milione euro nga kapitalet e veta dhe 80 milione te tjera kredi nga bankat. Pjesa tjeter, pra afro 2 miliarde euro gjenerohen nga vete projekti. Me pak fjale modeli i biznesit ne Portin e Durresit eshte njesoj si ai i kullave te Tiranes. Merr lejen, hap themelet dhe parate te vijne vete qe ne grope, pa patur nevoje te investosh gje” shkruan Tomorri.
Ndryshe nga sa u pompua në media mbi ndërtimin e marinës dhe hoteleve të shtrenjta në modelin e Dubait, plani i biznesit tregon se situata në terren është krejt tjetër. Fokusi do jetë te shitja e apartamenteve.
“Projekti eshte dukshem i orientuar drejt apartamenteve, njesoj si resortet strategjike qe bejne biznesmenet tane. Publiku dhe ekonomia kombetare nuk fitojne gje kur dikush nderton apartamente dhe i shet, por fitojne kur ndertohen hotele dhe asete te tjera qe gjenerojne aktivitet ekonomik. Ne 820 mije meter katrore toke qe shteti i jep kompanise, do te kete vetem dy hotele me 850 dhoma. Pra toka falet per apartamente” shkruan gazetari.
Projektligji për “Marina dhe Jahte Durrës” u fut me procedurë të përshpejtuar në parlament. Në vend të kishte një diskutim të hapur për leverdinë më të mirë të shtetit shqiptar, për privilegjet që i ishin bërë kompanisë private apo për përfitimet që do të kishin qytetarët e Durrësit, kryeministri Rama shpërtheu në sharje kur i kërkuan të diskutohej më shumë mbi marrëveshjen.
Sipas Ramës, mjafton që mbi projekt është vendosur emri i Emaar dhe diskutimi mbyllet aty. Opozita e ka ankimuar çështjen në Kushtetuese, megjithatë sipas kontratës punimet do të nisin në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm./Lapsi.al
Të dhënat nga plani i biznesit
• “Marina & Jahtet e Durrësit” pritet të gjenerojë 3.2 miliardë euro për 20 vite
• Albanian Seaports Development Company (ASDC) është kompania me të cilën përfaqësohet shteti shqiptar
• ASDC ka 33% të aksioneve
• ASDC pritet të arkëtojë rreth 280 milion euro në 20 vjet
• Fitimi i të gjithë projektit pritet të jetë 854 milionë euro
• Shteti ka falur 812 mijë metra katrorë truall në Durrës
• Sipërfaqja bruto e ndërtimit do jetë 1.36 milionë metra katror
• 93% e sipërfaqes do të jenë apartamente dhe zyra
• 3.5% do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
• Lartësia e ndërtimit, fillon nga G+2 dhe mund të shkojë deri në G+18 për ndërtimin e Landmark Building
• Do ndërtohen gati 13 mijë apartamente (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8600 në fazën e dytë)
• Hotelet do të kenë më shumë se 850 dhoma
• Eagle Hills Real Estate Development, shoqëria e investitorit nga Dubai
• Kjo shoqëri kontrollohet 100% nga North East Real Estate Holdings Limited, kompani offshore
• Nshmi Development L.L.C, kompania që i bashkohet konsorciumit
• Projekti parashikon 80 mijë m2 hapësira të gjelbra, deri në 700 m gjatësi plazhi dhe deri në 280 vende për jahte.