• |
ide | kryesore

Erzeni fiton me përmbysje derbin, “mbytet” Teuta e Shkëmbit: “Nuk na është bërë presion nga presidenti”

-Instant, Sport
Erzeni



Derbi i Durrësit u luajt në Rrogozhinë, por ai spostim në Egnatia Arena, për shkak të mbjelljes së fushës me bar të stadiumit “Niko Dovana” kushtoi shtrenjtë. Erzeni triumfoi përballë Teutës, me përmbysje, duke u imponuar 1-2 në javën e 12 të Superiores. Skuadra e Kapllanit e mbyll pjesën e parë të sezonit me 20 pikë, dy distanca nga kreu.

Fundoset ndërkohë Teuta, gjithnjë e më e fundit, ndërsa Shkëmbi duket i pashpresë. “Futbolli është lojë gabimesh e duhet të durosh presionin – tha tekniku i Teutës Shkëmbi, pas ndeshjes-. Presion duhet të ketë, është normal, nuk është justifikim për mua apo futbollistët. Nuk na është bërë presion a tension nga presidenti apo klubi në asnjë moment, ndaj nuk mund t’ia hedhim fajin presionit. Janë gabime individuale që bëjmë në çdo ndeshje ndaj edhe e pësojmë, si sot”.

Lexo më tej: “Klasikja” e futbollit me një rezultat klasik: Tirana ndalet nga Vllaznia e rrezikon kreun

Erzeni vazhdon të befasojë, të jetë një skuadër cinike por plot karakter. Kapllani po udhëheq një skuadër drejt niveleve të pamenduara, disomos duke patur parasysh vigjiljen e sezonit. Shijakasit cdo javë e konfirmojnë veten si një skuadër ambicjet e të cilës rriten. Nuk është rastësi përmbysja 1-2 ndaj Teutës, që kishte kaluar në avantazh me Lorenco Vilën. Mund të ishte një gol vrastar, tre minuta pas rifillimit, por Amir Kahrimanoviç shpiku një gol në minutën e 54′, duke hapur rrugën e suksesit.

DORËZIMI I SHKËMBIT

Goli i përmbysjes dhe i fitores së skuadrës së Xhevahir Kapllanit, u realizua nga Patik Nonato në minutën e 69′ pas një aksioni model dhe perfekt të nisur nga Ilirid Ademi. “Janë disa minuta e momente që skuadra e lojtarët vetë duhet t’i zgjidhin – tha i mërzitur Shkëmbi-. U bë goli i disatë, i tretë a i katërt që e pësojmë nga ai pozicion, i njëjti kënd e goditje. Pavarësisht se kemi folur e bëjmë analiza, përsëri e pësojmë për fat të keq. Ai presingu, disa herë u bë shumë mirë por pas pësimit të golit ato 10 minuta ishin të tmerrshme”. Me këtë fitore, Erzeni ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Teuta me këtë humbje renditet në vendin e fundit me 8 pikë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *