• |
ide | kryesore

Edi Rama dhe gjuha shqipe/ Nga dashnia në nekrofili

-Instant, Arkiva, Blog



Nga Migjen Kelmendi
Kaluen 5 dekada nga nji tubim që u mbajt në kulmin e diktaturës komuniste në Tiranë, që e quejtën Kongresi i drejtshkrimit. Dy dekada u festue ky Kongres në diktaturë, dhe plot tri dekada po i njajti Kongres u festue e celebrue në kohë lirie. Ky grup i vogël i njerëzve, kjo sektë e tubueme rreth disa vendimeve që i prezenton si shkencore, për këto pesë dekada, në asnji rast, në asnji punim shkencor, në asnji hulumtim emipirik e analizë shkencore, nuk lejoi e as lejon me e prekë, as me u afrue te ajo esencë, te ai libër, te ai sandek, ku ata janë të bindun se po e ruejnë dhe mbrojnë – të vërtetën gjuhësore të shqiptarëve.
Pesë dekada kjo sektë u bunkerizue rreth diçkaje që as lejon të shihet, as të preket, as të debatohet, as të analizohet, as të ndryshojë. Dhe pesë dekada ma vonë, edhe mizanskena asht e njajtë: nji kryesi pune, do parolla, do njerëz tubue, njisoj si në vitin 72, dhe nuk mungoi as AY – Enveri i estetizuem – që i dha masë e gjatësi projekcionit që shqiptarët patën për te, Edi Rama.
Pse u desht që kryeministri aktual i Shqipnisë, Edi Rama, me qenë prezent dhe me prezencë me legjitimue ketë tubim? Sepse, sa herë këta shqiptarë të sektarizuem flasin për gjuhën shqipe, duhet me qenë prezent medoemos edhe nji Enver! Kryeministri Rama, ky Enver i estetizuem, me nji ton solemn, me nji të folme të kadaltë a thue se po flet në mort, e prezentoi veten si “dashnor” të gjuhës shqipe, por nisi me folë për do njerëz të vdekun, për disa arritje te vdekuna, për nji periudhe qe s’asht ma, asht e vdekun. Ai nisi me fjalimin e tij me i puthë te vdektit, me i arsyetue dhe me i gjetë spjegim atyne vendimeve të vdekuna, qe e pranonte edhe vet, se u morën ne kulmin e nji diktature dhe në mungesë totale të lirisë së mendimit dhe të fjalës, por te cilat ai i sheh dhe përjeton si nji arritje. Njisoj si Enveri.
U nis kryeministri Rama me folë për dashni, e përfundoi në- nekrofili. Dashnori i madh i gjuhës shqipe na u prezentue me fjalën e tij në këtë tubim vetëm si nji “dashnor i gjanave të vdekta”.
Dhe nekrofilija i falet, njashtu siç i falet edhe ai ekzibicionizëm i tij me veshjet e me patikat, me qeverinë e qëndisun prej tij me gra, me megallomaninë e tij me e prezentue vendin ma të varfun n’Europë si nji “Las Vegas” personal, me aero- floten lasgushiano- asdreniane, me satelitat edvino- musk’ian, me portet dubaiane, me 40’katshat oligarkian… por, ajo që s’i falet asht përpjekja e tij me arsyetue dhunën, me i gjetë spjegim dhunës dhe mungesës së lirive në Shqipninë diktatoriale të Kongresit të drejtshkrimit, të viti 1972.
Politikani i shekullit 21, që e prezenton veten si politikan i proviniencës europiane, e kishte nji hall në fjalën e tij: qysh me arsyetue diktaturën enveriane dhe me “martue” dhunën me arritjet gjuhësore (sic!). Dhe, a don ti, njeriu që e ka gojën plot “Europë”, që flet për të drejta e për ligje, për demokraci e zhvillim, për me arsyetue diktaturën, prezencën e Enver Hoxhës në sallën e Kongresit të drejtshkrimit (njashtu siç i duhej me e arsyetue edhe prezencen e vet në tubimin e kësaj sekte 50 vjet ma vonë), gjen shembull në kohën e Sulltan Abdyl Hamitit të Dytë (OMG:) Njeriu që e huton dhe distrakton qytetarin e varfun të Shqipnisë së sotme me aviona e satelita, me porta dubaiane e lungomare a la italiane, ikë në shekullin 18 me i gjetë arsye e spjegim dhunës e diktatorit.
Përmend, për fatkeqësi të tij, shembullin e situatës linguale në Greqi, tue u mundue me i gjetë përgjasim vendimeve të dhunshme gjuhësore të vitit 1972, e tue mos e kuptue se shembulli grek dëshmon rrafsh të kundërtën: produkti artificial i gjuhëtarëve megallomanë grekë, Katharevousa, dështon. Ju vdes ne duer. Por ata nuk bunkerizohen si këta sektarianët shqiptarë, por heqin dorë nga ato vendime dhe i kthehen gjuhës së popullit – Dimotikes.
Janë me dheta raste në kohën e sotme, ku shoqnitë e avansueme dhe të emancipueme, problemeve të veta gjuhësore nuk ju qasen me dhunë e bunkerizim, po me studime, analiza, debate e shkencë.
Çohet kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipnisë, nji Enver i paestetizuem, krudo, që krejt Shqipnia e din se qysh e ka ble ate post prej Edi Ramës, në përpjekje me i gjetë arsye shkencore dhunës, citon nji autor të paqenë e bahet prrallë, si e vërteton gazetari investigues Gjergj Erebara (shih: “Akademiku Gjinushi plagjiarizon shkrimin sarkastik si autoritet shkencor”).
Pra, kush ishin ata njerëz tubue, të cilët i legjitimoi me prezencën e vet kryeministri aktual i Shqipnisë? Pse janë mbyll e bunkerizu njashtu? Pse nuk janë gati për pyetje, për ballafaqime me mendime të kundërta? Pse po i tuten analizës, hulumtimeve, empirisë, hapjes?
Çka po mbajnë ashtu të msheftë në ate sandek, në ate tabut?
Pse nuk dukej ai tubim si festë, po si e pame, si mort?
Pse toni i Ramës ishte si në kryeshnosh? Pse ishin të veshun me të zeza?
Kush ka vdekë?
Përgjegja asht e thjeshtë: Në atë tabut që e kanë vendos ne mes të atij bunkeri metaforik, nuk asht as gjuha, as arritjet, as e vërteta. Njisoj si dikur në Bashkimin Sovjetik, sot në Shqipninë europiane te Edi Ramës, në tabutin e mbrojtun nga gjuhëtarët sovjetik, Tirana zyrtare e mban larg syve të qytetarëve, larg pyetjeve dhe kontestimeve shkencore, larg realitetit lingual të hapsinës shqiptare, jo gjuhën shqipe – po trupin e balsamosun si të Leninit e Stalinit – Enver Hoxhën.
Dhe secili prej tyne, metaforikisht, e puthë të vdektin!
Kjo s’asht punë dashnie për gjuhën shqipe, i dashtun kryeministër, kjo asht punë nekrofilie dhe dashnie për Enverin!



9 Comments

  1. Bukur,sakte,me fakte ,demaskohen masakruesit e gjuhes shqipe dhe mbeshtetesit e tyre te sotem.Shkenca nuk hidhet poshte,por deformuesit e saj ,demaskohen po me anen e shkences.Sekti rilindjes,tregon kurdohere fytyren e vet,dhe si e pa cipe,kundershon cdo gje shkencore. Prandaj,nuk ndihen patronazhistet,apo sic i quajne,sufllaqexhinjte.Heshtja e tyre,aprovon paaftesine,por edhe pamundesine e tyre,per te kundershu,autorin.Bravo ,zoti Kelmendi,ju pergezoj,dhe pershendes!

    1. Ca bukur sakte mer vlla…sinqerisht e ke qe ta heqim shqipen nga duret e Çabejt edhe tja lejm ne dor kti tipit????

    2. Falimners per shkrimin. Nuk e permbysem regjimin komunist, por e ballcamosem ate dhe here pas here dalin disa nostalgjike dhe i pine lengun.
      Problemi eshte se atyne qe ua solli shpirtin ne fyt ai regjim iken. Kush ngeli me ua ba gjyqin atyne qe mbeten dhe sot? Ne si vend vendosem dhe pranuam njekohesisht qe te kalonim faqen e librit historik paqesisht. Nuk iu sul askush komshiut fuks individualisht.
      Por sot del e domosdoshme qe brezi i nipave dhe mbesave te te persekutemve te flasin e te ndigjohen politikisht ashtu siç ne fakt do kishte pas kene mire me pase ba vete ata qe e njohen me mire anen e zeze te atij regjimi qe ne ’91. Por, lodhja nga torturat dhe uria e pangishme per liri iu la hapesire e paqe xhelateve, e drejte goxha nekrofilë sot.

  2. Hajde klluf hajde. Ka 30 vjet i bie fyellit te anullimit te standardit gjuhesor te njesuar dhe shkaterrimit nga themelet te gjuhes shqipe (projekt serb i vjeter ky, qe i quante shqiptaret e ish-Jugosllavise si komb tjeter, me “gjuhe” tjeter – a thua dialektet jane gjuhe). Gjeja qe nuk kupton ose ben sikur nuk kupton ky Klimenti dhe sponsoret e tij, eshte se shqipja standarde nuk ishte rezultat i trysnise krahinore te Enverit, por rezultat i “trysnise” se pamohueshme kulturore te Rilindjes Kombetare. Nese dialekti tosk, ka ndonje lloj perqindje me te larte pranie ne kete standard, kjo sepse ky dialekt u levrua me se shumti letrarisht gjate Rilindjes Kombetare prej fundit te viteve 1600 e deri ne pavaresi. Hajde bejeni nje liste me autore te Rilindjes e do shikoni qe pervec Ndre Mjedes dhe nje vjershe te Pashko Vases, te gjithe, por TE GJITHE ama, kane levruar variante gjuhesore toske ne shkrimet e tyre. Ketu s’ka politike, se s’ishte shpikur ende komunizmi ne ate kohe. Por veglave te Beogradit si ky Millosh Klimenti, u eshte dhene detyre te bejne cmos per te mos i lene shqiptaret te konsolidohen, por te rrenojne pa pushim gjithcka qe ata kane arritur, duke ua vene ne pikepyetje te gjitha, e duke hedhur faren e percarjes ne cdo rast. Ik o Kliment, ik. U plake. Nuk te ecen. Dil ne pension dhe haji rehat leket e Serbit.

      1. Jugosllav eshte kushdo qe promovon tezen jugosllave qe “gegnishtja eshte gjuhe e ndryshme nga shqipja” dhe se kosovaret jane komb i ndryshem nga shqiptaret. Millosh (alias “Migjen”) Klimenti, i permbahet kesaj teze antishqiptare. Vulen e jugosllavit ia ka vene vete vetes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *