• |
ide | kryesore

F1/ Ferrari ndryshon në mënyrë befasuese: largohet Binotto, nga Alfa mbërrin Vasseur

-Instant, Sport
Binotto



Përmbysje befasuese te Ferrari. Sipas Gazzetta dello Sport, epoka e Mattia Binotto në fakt është gati të përfundojë. Ai do të lërë rolin e tij si team principal i skuderisë së F1 në fund të vitit dhe do të zëvendësohet nga Frederic Vasseur, aktualisht te Alfa Romeo. Binotto e kishte marrë drejtimin nga Maurizio Arrivabene në vitin 2019. Ai paguan për një periudhë katërvjeçare pa suksese, në të cilën kokëkuqja nuk arriti kurrë të luftojë për titullin Botëror deri në fund.

Vasseur, francezi i datëlindjes 1968, ka një karrierë të gjatë pas tij në botën e motorëve. Në krye të Sauber që nga viti 2017, ai është marrë gjithmonë me aspektet e menaxhimit të skuadrave. Ndryshe nga Binotto që erdhi nga sektori teknik. Italiani ishte shef i motoristëve dhe drejtor teknik i Ferrarit përpara se të bëhej team principal.

Në katër vitet e drejtimit të Binotto, kanë arritur në total vetëm 7 fitore. Nga këto tre në 2019 e katër deri më tani në 2022. Njëvendëshja e Maranellos iu besua dyshes Leclerc-Vettel. Pastaj kaloi te dyshja Leclerc-Sainz, por nuk arriti asnjëherë të mbante hapin me rivalët. Mercedes fillimisht dhe më pas Red Bull ishin të një lige tjetër. Edhe pse me ndryshimin e rregullores u vënë re disa shenja rritjeje.

Nën drejtimin e inxhinierit të lindur në Lozanë, Ferrarit iu desh të përballej edhe me stuhinë e cështjes së njësisë së energjisë në vitin 2019. Ajo përfundoi me një marrëveshje private me FIA-n, e cila la pasoja në nivel teknik në sezonet në vijim. Marrëdhënia më pak se idilike me Charles Leclerc, mund të ketë ndikuar edhe në vendimin e drejtuesve të lartë të Cavallino. Nuk duhet harruar se Leclerc ka bërë debutimin e tij në F1 pikërisht me Sauber të Vasseur në 2018.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *