• |
ide | kryesore

Në mes të luftës, mbin një xhevahir 100 milionë euro: të gjithë të çmendur për Mudryk

-Instant, Sport
Mudryk



21 vjeç, 15 paraqitje dhe 8 gola deri tani në sezon me fanellën e Shakhtar Donetsk. Pa harruar një fazë grupesh të Champions League e mbyllur me 3 gola dhe 2 asiste. Ylli i Mykhaylo Mudryk, sulmues anësor me origjinë nga Krasnograd, tani ka filluar të shkëlqejë. E vëmendja e klubeve të mëdhenj të Europës është përqendruar mbi xhevahirin e ri të futbollit ukrainas. Megjithatë, klubi i tij nuk ka ndërmend ta shesë lirë Mudryk. E për tu siguruar se nuk ka keqkuptime, i ka vendosur tashmë çmimin kartonit të tij. Arsenal, dy klubet e Mançesterit, Newcastle, Real Madrid, PSG dhe Juventus janë të paralajmëruar.

100 milionë euro. Kjo është kërkesa e Shakhtar Donetsk për të lënë yllin e tyre Mykhaylo Mudryk të largohet. Sulmuesi i krahut ka shpërthyer këtë sezon, duke shkëlqyer si brenda vendit ashtu edhe në Champions. Ukrainasi është bërë shpejt një nga perspektivat më të reja të Europës. Drejtori i klubit Dario Srna tha: “Nëse dikush dëshiron të blejë Mudryk, ai duhet të paguajë një shumë të madhe. Përndryshe presidenti i klubit nuk do ta shesë. Është merkato që e vendos çmimin, jo unë. Antony, Grealish, janë lojtarë që vlejnë më shumë se 100 milionë euro dhe, për mua, Mudryk nuk ka më pak cilësi se ata”, shpjegoi ai.

MUDRYK ME IDE TË QARTA PËR TË ARDHMEN

Drejtuesit e Shakhtarit besojnë fort se rritja e 21-vjeçarit nuk do të ndalet me kaq. “Mudryk është një talent, në fillimin e procesit të rritjes”, tha shefi ekzekutiv i klubit Sergei Palkin. “Ajo që po tregon sot është vetëm 60% e asaj që do të jetë në gjendje të bëjë në të ardhmen. E kur merr parasysh potencialin e tij, e kupton se kushton shumë, shumë më tepër. Pra, ne besojmë se mund të vlejë rreth 100 milionë euro në të ardhmen.”

Në një intervistë të fundit me CBS, Mudryk shpjegoi se ëndrra e tij është të luajë në Premier League: “Unë mendoj se çdo lojtar ëndërron Premier League”, tha ai. “Është e vështirë të thuhet se cili klub, por Arsenal është një ekip shumë i mirë. Ata kanë një menaxher shumë të mirë, më pëlqen mënyra se si luajnë. Nuk mund t’u thosha kurrë jo Gunners. Absolutisht do të preferoja të isha titullar me ta, sesa një zgjedhje e dytë te Real. Por transferimi nuk është vetëm vendimi im”, përfundoi ai. Ide shumë të qarta, tani mbetet vetëm për të hapur portofolin…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *