• |
ide | kryesore

Panairi i Librit: Lexuesit e ndarë mes librave elektronikë dhe atyre të printuar

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Panairi i Librit, një traditë prej më shumë se dy dekadash në Tiranë, i ka hapur dyert nga data 16 nëntor deri në 20 nëntor në Pallatin e Kongreseve. Lexuesit duket sikur janë ndarë në breza; ata më të rinjtë e vizitojnë panairin thjesht për të shikuar titujt e rinj, ndërsa brezi i moshës së mesme mbeten blerësit më të përkushtuar.

“Unë sot kam ardhur thjesht për të parë titujt e rinj të librave. Nuk kam blerë ndonjë libër. Të them të drejtën, preferoj librat në formën elektronike PDF, kështu që kryesisht i shkarkoj nga interneti ato që mundem,” i tha BIRN një studente e Fakultetit Ekonomik e cila po vizitonte stendat e Panairit së bashku me shoqen e saj.

Viti 2022 shënon edicionin e 25-të të Panairit të Librit, ku për një periudhë pesë ditore, shtëpitë botuese ekspozojnë në stendat e tyre tituj autorësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë për lexuesit shqiptarë.

Një arsye pse pjesa më e madhe e studentëve preferojnë librat elektronikë është prakticiteti i leximit të tyrë nga pajisjet elektronike, por edhe mungesa e kohës për të kërkuar librat e printuar “hard copy”.

“Unë jam fans i librave në PDF. Më leverdis shumë të lexoj online se sa të marr një libër të printuar me vete. Ndërsa celularin e kam me vete kudo, mund të lexoj prej tij,” u shpreh një student i Universitetit Politeknik.

“Atë po diskutoja tani me shokët, pse duhet të mbajmë libra dhe peshë me vete, kur kemi opsionin e librit elektronik,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, mosha e mesme apo familjarët tregojnë interes të shtuar për formën tradicionale të leximit, atë të librit të printuar.

Një lexues pranë stendës së një shtëpie botuese. Foto: Nensi Bogdani.
“Libri ‘hard copy’ nuk ka të krahasuar. Të jep komplet ndjesi tjetër,” i tha BIRN Rafaela, rreth të 30-ave, me qesen e mbushur të librave në duar.

“Unë mundohem të lexoj minimumi një libër në muaj. I kombinoj zhanret e ndryshme, nuk lexoj të njëjtit zhanër, në mënyrë që të mos më bëhen monotone… biografi, psikologji, fantazi…,”shtoi ajo.

Lexuesit e rregullt duket se e presin me padurim hapjen e panairit, duke blerë tituj të rinj e të vjetër me të cilët mund të shtyjnë disa muaj në botën e leximit.

Por një shqetësim që ngrenë libradashësit është ai i kostos së librave, që duket se i ka prekur së fundmi lexuesit.

“Brezi ynë është rritur me libra, ne nuk jemi rritur me teknologji apo me celularë, siç bëjnë fëmijët sot. Ne nuk e konceptojmë dot jetën pa lexuar,” tha me krenari Bona, 56-vjeçe, e cila shfletonte botimet e reja në njërën prej stendave në hyrje të panairit.

“Unë po blej libra për tërë dimrin. Kemi mundësinë t’i blejmë më lirë në panair. Jo për gjë, por nuk kushtojnë pak,”shtoi ajo.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe një zotëri i cili po mundohej të pikasë tituj të cilët nuk i ka lexuar më parë.

“Unë lexoj rreth 45-50 libra në vit. Jam lexues i rregullt. Nuk ka si libri,” i tha ai BIRN. “Por ç’ti bëjmë që janë edhe shtrenjtë, duhet menduar edhe kjo”, shtoi ai, duke nënkuptuar se çmimi është një faktor kufizues në dëshirën e tij të madhe për të lexuar./ BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *