• |
ide | kryesore

Anglia në ankth për penalltitë: lojtarët ushtrohen pa portierë e me një rrjetë speciale

-Instant, Sport
penalltitë

Ankth penalltish për Anglinë. Kombëtarja e Tre Luanëve nuk e ka harruar ende finalen e Euro 2020, humbi me penallti kundër Italisë. E tani Southgate po i stërvit të tijtë për penalltitë në përpjekje për të shmangur dhimbjet e mëtejshme gjatë Kupës së Botës. Futbollistët e Anglisë janë duke u ushtruar me goditjet e 11 metërshave, por pa portierë. Arsyeja? E shpjegon Aaron Ramsdale.


Portieri i Anglisë sqaron se trajneri nuk do që lojtarët e kombëtares të kenë frikë nga penalltitë. E mbi të gjitha nuk dëshiron që portierët kundërshtarë të fillojnë të kuptojnë se si ekzekutohen. Arsye për të cilën, Tre Luanët stërviten me goditje nga 11 metra, por me portë bosh: “Mund të bëhet problem nëse i godet kundër portierëve, sepse atëherë ne fillojmë të mësojmë se si i godasin. E nëse e di se shtatë herë nga dhjetë një shok skuadre e tenton në një anë, ti lëviz më herët dhe fillon t’i presësh disa, gjë që mund ta shqetësojë shumë”.


Porta bosh po, por me një rrjetë speciale që ndihmon goditësit të stërviten me teknikë: “Kemi një rrjetë speciale, me kënde të hapura. Për momentin djemtë po punojnë vetëm në teknikën e goditjes. Çdokush mund të godasë një penallti. Problemi është se në stërvitje, për fat të keq, ne nuk mund të rikrijojmë të njëjtin presion që ka në ndeshje”.

NGA FITORJA NDAJ KOLUMBISË TEK HUMBJA NDAJ ITALISË

Vëmendja e Southgate ndaj detajeve i ndihmoi Tre Luanët të mposhtin me penallti Kolumbinë në 1/8 e Rusi 2018. Por pastaj erdhën gabimet e Jadon Sancho, Marcus Rashford dhe Bukayo Saka në finalen e Euro 2020 kundër Italisë. Anglia ka pasur gjithnjë e më shumë probleme me penalltitë ndër vite. Kështu, trajneri ka vendosur të adoptojë një teknikë të re. A do të përfundojë makthi i penalltive për Anglinë?


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.