• |
ide | kryesore

Franca rrezikon mallkimin e tre edicioneve të fundit: kush fiton Botërorin, pastaj del në raundin e parë

-Instant, Sport
Franca



Franca, kampione në fuqi, duhet të bëjë kujdes. Trajneri Didier Deschamps është i shqetësuar jo vetëm për dëmtimet (i fundit Benzema), por edhe precedentët. Në fakt, kushdo që fitoi Kupën e Botës nuk e ka kaluar fazën e grupeve për tre edicione radhazi, një mallkim i vërtetë. Italia e Lippit në Afrikën e Jugut 2010, Spanja në Brazil 2014 dhe së fundi Gjermania në Rusi në 2018. Një mallkim që në të kaluarën ka goditur edhe kampionët e Brazilit në 1962 (jashtë në raundin e parë në Angli 1966). Por e kanë provuar më parë edhe vetë Les Bleus, që shkuan direkt në shtëpi në 2002, pas triumfit në shtëpi të 4 viteve më parë.

PRECEDENTËT E MALLKIMIT

Mallkimi goditi Italinë në 2010, kampione e botës 4 vite më parë në Berlin. Në Afrikën e Jugut, Lippi-bis ishte një dështim i vërtetë. Të kaltrit u eliminuan në një grup me Paraguajin, Zelandën e Re dhe Sllovakinë. Pas barazimeve me dy të parët, Italisë i duhej vetëm të mos humbiste ndaj sllovakëve për të kaluar në turin tjetër. Por Hamsik e të tjerët i befasuan dhe fituan 3-2.

Mallkimi i Botërorëve goditi edhe Spanjën, sundimtare midis 2008 dhe 2012 me dy europianë dhe një Kupë Bote të fituar në 2010. Dalja në fazën e grupeve në Brazil 2014 shënoi fundin e ciklit të Furive të Kuqe. Spanja u mposht nga Zvicra dhe Kili në dy daljet e para. Kështu iberikët u bënë kombëtarja e parë që u eliminua nga Kupa e Botës në fazën e grupeve, me një ndeshje ende për tu luajtur, si kampione në fuqi.

Katër vjet më vonë mallkimi goditi Gjermaninë. Panzerat u eliminuan në grup me Meksikën, Suedinë dhe Korenë e Jugut. Befasia erdhi në ndeshjen e fundit ndaj koreanëve, të cilët fituan 2-0 në kohën shtesë. Një katastrofë e vërtetë për djemtë e Loew, të cilët që nga viti 1982 arrinin gjithmonë të paktën deri në çerekfinale. Gjermania ishte eliminuar në raundin e parë vetëm në 1938.

FRANCEZËT KRYQËZOJNË GISHTAT

Deschamps nuk mund të flejë i qetë sepse edhe Franca e tij ka rënë viktimë e mallkimit global. Si kapiten, në fakt, trajneri aktual e ngriti në qiell Kupën e Botës në vitin 1998. Megjithatë, katër vjet më vonë, kur i kishte varur këpucët prej 2 vjetësh, Franca e katranosi në Kupën e Botës së Japonisë dhe Koresë. Dy humbje, kundër Senegalit dhe Danimarkës dhe një barazim me Uruguain. Asnjë gol i shënuar dhe vendi i fundit në grup, me vetëm një pikë. Ata që mbështesin Francën tani kryqëzojnë gishtat…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *