• |
ide | kryesore

Marrëveshja e portit të Durrësit miratohet mes kundërshtimesh

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Komisioni parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi të hënën vetëm me votat e mazhorancës projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albania Seaports Development Company sh.a për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit””.

Deputetët e opozitës votuan kundër dhe pretenduan se pyetjet dhe paqartësitë e tyre nuk u sqaruan nga përfaqësuesit e qeverisë.

Ata ngritën shqetësimin për mungesë transparence në negociatat e zhvilluara mes qeverisë dhe investitorit arab, Muhamed Alabbar, dhënia pa garë, shkatërrimin e portit të mallrave dhe mungesën e një garancie financiare sipas ligjeve në fuqi.

Deputeti Helidon Bushati vuri në dukje se ka mungesë transparence për negociatat 1-vjeçare mes qeverisë dhe investitorit arab dhe një dizinformim të publikut për atë që shkruhet në marrëveshje. “Ju thoni plazhi do të jetë publik, por në tekst e keni që nuk lejohet aksesi i qytetarëve në atë zonë,” vërejti Bushati.

Marrëveshja u mbrojt nga zv/sekretarja e Përgjithshme e kryeministrisë, Elira Kokona, zv/ministri i Financave, Besar Kadia dhe drejtori i Portit Durrës, Pirro Vengu.

“Janë marrë një numër shumë i madh njerëzish me këtë projekt, janë marrë vendime dhe mendime nga organizma të tjerë publikë, të cilët nuk të lejojnë të krijosh veprimtari të padukshme,” u përgjigj Kokona, duke e cilësuar marrëveshjen shumë komplekse dhe kritikat ndaj saj të nxitura më shumë nga “padija”.

Ajo shtoi se qeveria ka këmbëngulur në transparencën e përfituesve fundorë dhe se pas kompanisë “Eagle hills” nuk qëndronte asnjë zyrtar publik apo shtetas shqiptar.

“Nuk e imponojmë ne se me çfarë entiteti Alabbar vendosë të vijë në Shqipëri. Ajo që ne kemi kërkuar dhe kemi këmbëngulur është që përfituesit fundorë janë të ditur; është Alabbar dhe familjarët e tij,” u tha ajo deputetëve.

Deputeti Helidon Bushati tha se në kontratë ishte shkelur ligji me garantin financiar, pasi sipas tij, duhej të ishte një ent financiar dhe jo një kompani ndërtimi.

Sipas zyrtares së kryeministrisë, garantuesi ishte vetë investitori në përputhje me ligjet në fuqi.

Kokona tha se marrëveshja kishte kompleksitet ligjor dhe se qeveria nuk garantonte se s’ka rrisqe, por kishte detyrë të bënte analizën dhe të parashikonte mekanizmat që përjashtojnë mundësinë e riskut.

Deputetët e opozitës po ashtu ngritën shqetësimin se çfarë do të ndodhë me portin e mallrave, i cili parashikohet të zhvendoset në Porto Romano. Drejtori i portit u përgjigj se porti do të vijonte punën njësoj në fazën e parë të punimeve dhe se ndërtimi i marinës ishte në fazën e dytë të projektit.

Projekti “Marina& Jahtet e Durrësit llogaritet të kushtojë rreth 2.1 miliardë euro dhe sipas qeverisë synon ta kthejë portin e vjetër në një atraksion turistik me ndërtesa të larta, hotele dhe apartamente dhe një port jahtesh.

Shteti shqiptar i fal “investitorit strategjik” një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në Portin e Durrësit si dhe në Marinën e portit dhe përjashtimin nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social. Sipas qeverisë, shteti do të ketë përfitim nga pjesëmarrja në këtë investim dhe do të ketë të mbrojtura kuotat e tij nga risku.

Pas kalimit në këtë komision, marrëveshja do të votohet në seancën plenare të ditës së enjte, pasi u fut me procedurë të përshpejtuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit me kërkesë të qeverisë.

Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj kundërshtoi vendimin e Konferencës së Kryetarëve për vendosjen e kohës limit 6 orë për diskutimet në seancë, duke e cilësuar kufizim të fjalës së lirë të deputetëve dhe heqjen e mundësisë për një debat të thelluar parlamentar.

“Kuvendi nuk mund të shndërrohet në një noter të vendimeve dhe akteve të Qeverisë, por duhet t’ia nënshtrojë ato një kontrolli dhe shqyrtimi përmbajtësor, në mbrojtje të pasurive dhe interesit publik të qytetarëve dhe shtetit shqiptar,” i shkroi Alibeaj kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla./ BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *