Operacioni i koduar ‘PYLL’ filloi në gusht pas dyshimeve për një kultivim në shkallë të gjerë të bimëve të kanabisit në komunën e Moixent, ndërsa pas hetimeve të shumta, u bë e mundur gjetja e të korrave në një zonë shumë të vështirë për t’u aksesuar, me një pjerrësi të madhe dhe pa rrugë apo shtigje pyjore pranë.

2 të arrestuarit në këtë operacion raportohet se ishin nën kujdesin e plantacionit të sipërpërmendur, madje banonin në një kamp të improvizuar në afërsi të bimëve narkotike. Në zonën pranë plantacionit u gjetën disa kasolle të punuara me shkopinj druri dhe mbulesa plastike jeshile, me qëllimin e vetëm për të mos u pikasur nga patrullimet ajrore të zonës dhe për t’u kamufluar mes gjelbërimit.

Brenda kasolleve ndodheshin të gjitha llojet e mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme për kultivimin e bimëve dhe sendet e nevojshme për mbijetesën e personave që ishin në krye të plantacionit.

Në kuadër të operacionit u sekuestruan gjithsej 1780 bimë kanabisi dhe 705 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa 2 shtetasit shqiptarë, 63 dhe 37 vjeç u arrestuan dhe ndodhen në paraburgim për veprën e kultivimit dhe prodhimit të drogës.