Furtuna e fundit midis Parisit dhe Berlinit duket se kaloi. Tensionet flasin për vështirësi të Parisit për të pranuar një Gjermani që kërkon të veprojë në përputhje me kapacitetet e saj, shkruan Auron Dodi.
Gjermania dhe Franca kanë ndërmarrë hapa të dukshëm për të rikrijuar harmoni në marrëdhëniet dypalëshe. Vizita të premten (25.11.) në Berlin e kryeministres franceze, Elisabeth Borne mbylli një javë me intensitet të pazakontë vizitash dypalëshe. Parisin e vizituan këtë javë për tema të ndryshme, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, pas saj ministri i Ekonomisë, Robert Habeck dhe më tej ministri gjerman i Financave, Christian Lindner. Presidenti francez Emannuel Macron u ofroi pritje të posaçme të tri ministrave gjermanë. Ky hap i pazakontë protokollar flet ndër të tjera për nevojë për të biseduar.
Në Paris, ministja e Jashtme Baerbock tha se “dallimet (dypalëshe) nuk janë skandal, por të vetëkuptueshme”. Kurse ministri gjerman i Ekonomisë Habeck tha se “ne e dimë që vijmë nga këndvështrime të ndryshme dhe kemi tradita të ndryshme ekonomike, por kjo është gjithmonë pikënisje për zgjidhje.”
Mediat franceze: a do të ndahet dyshja franko-gjermane?
Mosmarrëveshje Franca dhe Gjermania kanë aktualisht për shumë çështje që prekin Evropën. P.sh. për krizën energjetike, ku kërkohet vendosja e një kufiri të subvencionuar në BE për çmimin me shumicë të gazit. Franca kërkon që tavani i çmimit të gazit të subvencionohet me borxhe të BE, Gjermania e disa shtete të tjera janë skeptike për ndërhyrje të tilla në treg.
Franca bllokon më tej një tubacion gazi që do të kalonte edhe nëpër Francë, të cilin e duan me këmgëngulje Gjermania dhe Spanja.
Së fundi, Franca e akuzoi Gjermaninë se paketa që Gjermania i ka vënë në dispozicion ekonomisë gjermane, 200 miliardë euro, dëmton konkurencën evropiane.
Në aspektin ushtarak, në fund të tetorit, Franca nuk u bashkua me iniciativën e nxitur nga Gjermania të 15 shteteve, European Sky Shield Initiative, me të cilën Gjermania ofron mbrojtje kundërajrore për Evropën.
Më tej, zgjerimi i BE ka shkaktuar parehati te Franca. Gjermania është qartësisht në mbështetje të zgjerimit të BE, veçanërisht në Lindje. Kurse Franca është shumë e rezervuar për këtë. Franca kërkon përqendrim te bërthama e BE, po qe e mundur madje te shtetet themeluese të BE.
Zbutja e rregullave të kufirit të borxheve të BE, të Paktit të Stabilitetit, është një fushë tjetër ku dy shtetet kanë qëndrime të dallueshme.
Përballë mosdakordimeve, Presidenti Macron anuloi në tetor takimin e dy qeverive. Veç kësaj ai vendosi ta bëjë publike pakënaqësinë me Gjermaninë. Në Bruksel (20.10.) ai deklaroi se Gjermania është e izoluar në Evropë. Por faktet flasin të kundërtën.
Gjermania me më shumë mbështetës se Franca për çështje qendrore
Për sa i përket fondit prej 200 miliardë eurosh, që Gjermania ia vë në dispozicion, po t’i duhen si subvencionim ekonomisë gjermane, Franca ka bërë të njëjtën gjë: ajo ka ofruar një fond 170 miliardë eurosh për ekonominë franceze dhe ka vendosur tavan çmimesh me një politikë tarifash në Francë. Këtë tani duket se po e kuptojnë, më në fund, edhe në Paris.
Përsa i përket bashkëpunimit ushtarak: Gjermaninë e ndoqën pas 14 shtete evropiane, të cilave Gjermania u ka ofruar mbrojtje kundërajrore. Kurse Franca ka vetëm një shtet, Italinë, me të cilën ka një marrëveshje për mbrojtjen kundërajrore tokë-ajër. Pra e izoluar nuk është Gjermania.
Ndërsa zgjerimin me shtete të reja të BE, sidomos në Lindje, e mbështet një shumicë në BE.
“Gjermania kritikohet nga Franca thuajse për çdo gjë që bën”
Kritika e fundit franceze për Berlinin u prit disi me habi edhe në mediat franceze. Disa analistë pyetën se a duhet të presë Berlini nga Parisi kritika për çdo gjë që bën? Kjo kur Gjermania u përball me probleme ekzistenciale, si sigurimi i furnizimit me gaz pas shkëputjes nga furnizimi rus, si dhe përkufizimi i një roli të ri të saj ushtarak në Evropë.
Disa komentatorë francezë kanë shtruar madje pyetjen a kemi të bëjmë thjesht me xhelozi të Parisit për Berlinin. Nëse nuk është e tillë, në rastin më të mirë kritika e Macronit për Berlinin është një thirrje për të treguar vëmendje më të madhe ndaj Parisit. Këtu komunikimi nga Berlini ka hapësirë për t’u zhvilluar.
Kërkesë e hershme në Francë: Parisi të braktisë lidhjen me Gjermaninë
Disa politikanë e analistë francezë i kërkojnë prej vitesh Parisit të mos fiksohet te Berlini. Çifti franko-gjerman sipas tyre në fakt nuk ekziston, pasi Gjermania nuk e dëshiron atë.
Përveç ndonjë mirëkuptimi emocional për autorët, kërkesa që Parisi të lidhet më fort me partnerë të tjerë në vend të Berlinit është, në thelb, jorealiste dhe madje naive.
Gjermania është sot fuqia kryesore gjeopolitike e Evropës. Ajo është gjithashtu ekonomia më e madhe e Evropës. Franca bashkëpunon me arsye me Gjermaninë. Përpjekjet e Parisit për partneritet intensiv me Italinë, për shembull, ndonëse janë nisur me entuziazëm, nuk kanë pasur sukses afatgjatë.