• |
ide | kryesore

Korrupsioni e tarifat pengojnë rritjen e tregtisë Shqipëri-Kosovë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar me Kosovën ka ardhur në rritje vit pas viti. Nga 30 milionë euro që ishte shkëmbimi tregtar në vitin 2005, sot ka arritur në 430 milionë euro.


Pavarësisht këtyre shifrave, Shqipëria mbetet e treta në rajon sa u takon shkëmbimeve tregtare me Kosovën. Në vend të parë është Serbia dhe më pas Maqedonia e Veriut.


Komuniteti i biznesit në Shqipëri dhe Kosovë thotë se potenciali i pashfrytëzuar mes dy vendeve është të paktën dy herë më i lartë. Por, çfarë e pengon këtë potencial?

Studime nga Instituti GAP, Instituti Riinvest, si dhe nga Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare identifikojnë disa faktorë.

Së pari, dy ekonomitë shfaqin dobësi strukturore. Një nga problemet kryesore është përqëndrimi shumë i madh i tregtisë, ku vetëm 4 grup-produkte zënë mbi 80 për qind të fluksit tregtar.

Korrupsioni, informaliteti, niveli i ulët i arsimimit dhe zhvillimit industrial në të dyja vendet janë faktorët e tjerë pengues.

Arsye të tjera janë kostot e larta të transportit, të rënduara edhe nga tarifat rrugore, praktikat e zhdoganimeve, kohëzgjatja dhe inspektimet e shpeshta e të tepruara; tarifat e larta të skanimit 22 euro në Durrës, tarifa parkimi, peshimi dhe akciza diskriminuese për disa nga produktet.

Një pjesë e këtyre pengesave hiqen nëse vihen në zbatim praktik marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive. Në të njëjtat studime rezulton se më pak se gjysma e objektivave të vendosura nga dy qeveritë janë realizuar në fushën e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, 36 për qind e tyre janë realizuar pjesërisht, 9 për qind nuk janë realizuar fare dhe për tre objektiva nuk jepet informacion.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.