• |
ide | kryesore

BE zbulon mashtrimin 2.2 miliardë € me TVSH-në/ E përfshirë edhe Shqipëria

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
be



Zyra e Prokurorit Publik të BE, (EPPO) në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të 14 vendeve anëtare të BE-së publikoi sot rezultatet e një hetimi në lidhje me një skemë komplekse të mashtrimit të TVSH-së. E përfshirë në skemë ishte edhe Shqipëria.

Skema bazohej në shitjen e mallrave elektronike. Aksioni u zhvillua në Belgjikë, Qipro, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Lituani, Luksemburg, Holandë, Portugali, Rumani, Sllovaki dhe Spanjë. Në kuadrin e këtij operacioni, kërkimet u shtrinë edhe në Çeki, Hungari, Itali, Holandë, Sllovaki dhe Suedi.

Të gjitha të dhënat e mbledhura janë ende duke u analizuar. Hetimi për grupet e krimit të organizuar që qëndrojnë pas kësaj skeme vazhdon. Dëmet e vlerësuara arrijnë në 2.2 miliardë euro. Në një deklaratë thuhet se janë marrë masat për rikuperimin e shumë dëmeve.

Si filloi

Në prill 2021, Autoriteti Tatimor Portugez në Coimbra po hetonte një kompani që shiste telefona celularë, tableta, kufje dhe pajisje të tjera elektronike. Ajo dyshohej për mashtrim me TVSH-në. Kur EPPO filloi veprimtarinë e saj në qershor 2021 autoritetet portugeze e raportuan rastin.

Nga këndvështrimi kombëtar, faturimi dhe deklaratat tatimore dukej se ishin në rregull. Megjithatë, prokurorët evropianë vendosën të hetojnë më tej. Duke punuar së bashku ata krijuan gradualisht lidhje midis kompanisë së dyshuar në Portugali dhe afër 9000 personave juridikë të tjerë. Të përfshirë ishin më shumë se 600 persona fizikë në vende të ndryshme. 18 muaj pas raportit fillestar, EPPO thotë se ky është mashtrimi më i madh i TVSH-së i hetuar ndonjëherë në BE.

Aktiviteti kriminal ishte përhapur në të gjithë 22 shtetet anëtare të EPPO. Veprimet shtriheshin edhe në Hungari, Irlandë, Suedi dhe Poloni. Pjesë e skemës ishin bërë edhe vende të treta duke përfshirë Shqipërinë, Kinën, Mauritius, Serbinë, Singaporin, Zvicrën, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Përfshirja e grupeve të krimit të organizuar

Përtej përmasave të dëmeve, ajo që e bën të dallohet këtë mashtrim me TVSH-në është kompleksiteti i jashtëzakonshëm i zinxhirit të kompanive. Nga kompani që veprojnë si furnizues të pajisjeve elektronike në dukje të pastra tek ato që kërkojnë rimbursim të TVSH-së. Të përfshira janë edhe autoritete kombëtare tatimore. Pajisjet shiteshin në internet tek klientët individualë. Më pas i kanalizonin të ardhurat e këtyre shitjeve në “ofshore”. Më pas të gjithë zhdukeshin. Në këtë mënyrë pastroheshin edhe të ardhurat kriminale.

Ky aktivitet nuk do të ishtë i mundshëm pa përfshirjen e disa grupeve të krimit të organizuar shumë të afta. Secili prej tyre kishte role specifike në skemë. Duke punuar në mënyrë transnacionale, pothuajse me një logjikë industriale, ata kishin vite që shmangin hetimin.

Hetimi i EPPO

Bazuar në vlerësimin e fundit të Europol, mashtrimi me TVSH-në është krimi më fitimprurës në BE. Ai llogarit rreth 50 miliardë euro në vit humbje tatimore për Shtetet Anëtare. Ky lloj mashtrimi është pothuajse i pamundur të zbulohet nga një këndvështrim thjesht kombëtar.

“Me këtë Operacion, zyra e Prokurorit Publik Evropian po vë në qendër të vëmendjes një industri kriminale shumë të sofistikuar. Ajo ka përparuar në BE veçanërisht për shkak të kufizimeve strukturore të autoriteteve kombëtare tatimore dhe të zbatimit të ligjit.

Pa EPPO, ky lloj operacioni do të kishte dashur vite për t’u përgatitur – ose më shumë gjasa, nuk do të kishte ndodhur kurrë. Operacioni “Admiral” është një demonstrim i qartë i avantazheve të një prokurorie transnacionale. Kur bëhet fjalë për mashtrimin me TVSH-në, nga këndvështrimi kombëtar, dëmet mund të vlerësohen si relativisht të vogla ose inekzistente, ose edhe të mbeten të pazbuluara. Ju duhet një pamje me helikopter, për të parë të gjithë foton” – tha kryeprokurorja evropiane Laura Kövesi.

“EPPO iu deshën më pak se 18 muaj nga raporti fillestar deri në zbulimin e një rrjeti të tërë grupesh të krimit të organizuar. Ata janë përgjegjës për një humbje marramendëse prej 2.2 miliardë eurosh për taksapaguesit e BE-së. Unë besoj se ky është mashtrimi më i madh i TVSH-së në Evropë i zbuluar deri më tani” – shtoi ajo. ©LAPSI.al



4 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *