• |
ide | kryesore

Bashkimi i Prodhuesve: Shtuan 5% kostot për kruasantët dhe çokollatat

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Vendosja nga 1 janari 2022 e taksës së hirrës dhe kremit të qumështit që importohet në Shqipëri në vlerën e 150 lekë për kg ka rritur kostot deri 5% për linjat e prodhimit të çokollatave, kruasantëve, biskotave dhe të tjera produkte të kësaj natyre. Taksa për produktin e hirrës dhe të kremit të qumështit u vendos me paketën fiskale të vitit të kaluar. Pak ditë më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka depozituar në Kuvend projektligjin për heqjen e taksës për këto dy produkte. Ndryshimet e propozuara vijnë pas konsultimeve të ndërmarra me prodhuesit vendas.

Shoqata Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë pohon se vendosja e këtyre taksave ka rënduar kostot e prodhuesve minimalisht me një rritje prej 5%, duke i bërë kompanitë eksportuese jokonkurruese në tregjet e vendeve të tjera.

“Këto taksa shtonin barrën e prodhuesve vendas dhe po ndikojnë te konkurrueshmëria, kur ndërkohë importuesit e kruasantëve apo biskotave janë të përjashtuar nga këto taksa”, pohoi kryetarja e bordit drejtues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë Hilda Baraj.

Një nga prodhuesit e kruasantëve në vend pohoi se nga vendosja e taksës kostot e prodhimit i janë rritur 2 deri 3%.

“Taksa që paguanin për hirrën ishte disa herë më e lartë se çmimi i shitjes së produktit”.

Për kompanitë e prodhimit shqetësuese është edhe çmimi i lartë i energjisë elektrike. Prodhuesit e lidhur me tensionin e lartë 35 volt nga 1 nëntori po paguajnë çmimin e energjisë 49 lekë për kWh.

Kërkesa e shoqatës për heqjen e këtyre taksave është mbështetur edhe te disa faktorë, si kostoja e larta e taksës në raport me çmimin e produktit, ndikimi i papërfillshmëm te të ardhurat e buxhetit dhe humbja e konkurrencës.

“Është jashtë çdo lloj logjike që një produkt i cili blihet nga ana jonë me një çmim rreth 80-90 lekë/kg të taksohet në masën 150 lekë/kg. Në dijeninë tonë, në Shqipëri nuk ka asnjë lloj industrie që të prodhojë këto lloj produktesh, rrjedhimisht nuk kemi të bëjmë me ndonjë stimulim të prodhimit vendas. Fabrikat e qumështit nuk kanë ndonjë interes dhe nuk kanë nevojë të importojnë hirrë qumështi.

Impakti në të ardhurat e buxhetit është pothuajse i papërfillshëm, pasi e gjithë sasia vjetore e importuar në rang vendi për hirrën e qumështit, është rreth 500-600 ton.

Në tregun shqiptar po hyjnë artikujt që ne prodhojmë nga vendet e tjera të rajonit, me një çmim shumë me te ulët se çmimi jonë, duke na konkurruar në mënyrë të padrejtë. Edhe sikur këto lende të para të prodhohen në vend (hirra e qumështit), vendet e zonës së BE-së ku ne eksportojmë një sasi të konsiderueshme të artikujve tanë, nuk i pranojnë këta artikuj”, argumenton Bashkimi i Prodhuesve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë thekson gjithashtu në relacion se të ardhurat e arkëtuara nga vendosja e këtyre taksave janë të ulëta. Për periudhën janar-shtator sipas relacionit të draftit janë arkëtuar 13,6 mln lekë nga taksa e hirrës dhe kremit të qumështit. Deri në fund të vitit parashikohet të arkëtohen 18 mln lekë. / Monitor



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *