• |
ide | kryesore

VOA: Takim njëditor i udhëheqësve evropianë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor

-Instant, Lajme, Të fundit



Të martën në Tiranë mbahet takimi i nivelit të lartë mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Lufta në Ukrainë e ka kthyer çështjen e zgjerimit në krye të axhendës së bllokut evropian, pas disa vitesh zvarritjeje e pengesash. Kryeministri Edi Rama tha se takimi njëditor është tregues i interesit gjeostrategjik që Evropa ka ndaj rajonit. Në të njëjtën ditë, Partia Demokratike, ajo pjesë e saj që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste në mbrojtje të vlerave europiane, të cilat siç tha zoti Berisha po kërcënohen nga kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama do të jetë të martën mikpritës i udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, për një takim njëditor që synon rigjallërimin e procesit të zgjerimit.

Momenti është i jashtëzakonshëm. Askush nuk mund ta imagjinonte këtë deri para dy vitesh dhe tashmë po ndodh. Këshilli Evropian po mblidhet jashtë perimetrit të BE-së dhe pikërisht në Shqipëri, për një takim të nivelit të lartë me Ballkanin Perëndimor, si një shprehje e angazhimit dhe mirëkuptim strategjik, kjo është ajo që ne po kërkonim prej kohësh”, tha zoti Rama.

Kryeministri ka kritikuar Bashkimin Evropian për zvarritjen e procesit të zgjerimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballuar prej vitesh me një ngecje të këtij procesi.

Në korrik të këtij viti Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën procesit të bisedimeve të anëtarësimit, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi, ndodhen prej vitesh në këtë fazë.

Bosnje dhe Hercegovinës i është ofruar statusi i vendit kandidat, ndërsa Kosova është në hapin e parë, atë të nënshkrimit të Marrëveshjes se Stabilizim Asociimit me bllokun. Prishtina planifikon të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit, në fund të këtij muaji.

Kryeministri Rama tha se lufta në Ukrainë tregon se sa e brishtë është situata në rajon. Beogradi nuk i është bashkuar plotësisht sanksioneve të BE-së ndaj Moskës, lidhur me agresionin e saj në Ukrainë. Sipas kryeministrit të Shqipërisë marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor nuk kanë qenë kurrë më të mira, pa përjashtuar faktin se ka ende probleme.

Ka ende nje problem të madh që duhet zgjidhur, njohja e Kosovës. Por ne jemi drejt kësaj rruge e do të vazhdojmë të nxisim pajtimin dhe normalizimin, si dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtë edhe me Serbinë”, tha ai.

Në të njëjtën ditë që mbahet takimi i nivelit të lartë mes udhëheqësve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, opozita ka paralajmëruar organizimin e një proteste. Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, deklaroi sot se manifestimi organizohet në mbrojtje të vlerave europiane, të cilat sipas tij, po rrezikohen dhe po kërcënohen nga kreu i qeverisë.

Nesër është dita e qytetarëve që aspirojnë për liri, dinjitet dhe transparencë. Është dita e shqiptarëve që besojnë se Shqipëria është një tokë e bekuar, që me mirësitë dhe rezervat e saj, mund të begatojë kombin. Me kushtin e vetëm, të ketë një qeverisje demokratike. Me kushtin e vetëm të ketë një qeveri të palidhur me krimin, siç është qeveria e Edi Ramës”, tha zoti Berisha.

Opozita ka kërkuar që të protestojë përpara selisë së qeverisë. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga policia, sipas së cilës kjo zonë është pjesë e perimetrit të sigurisë./ VOA

 

 

 



1 Comment

  1. Nje tufe burokratesh te korruptuar vijne ne tirane me parat e taksapaguesve europiane ne samutin e ballkanit.Sigjithnje ne takim do te degjoni shprehjet keni bere shume por keni akoma shume per te bere,ballkani e ka vendin ne UE e bla-bla bla,dhe asgje me teper.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *