Irani ka thënë të enjten se ka ekzekutuar një të burgosur, që supozohet se është dënuar gjatë protestave mbarëkombëtare të javëve të fundit. Ky ekzekutim besohet se shënon ndëshkimin e parë të tillë të kryer nga Teherani. Ekzekutimi vjen teksa edhe të burgosur të tjerë përballen me dënime me vdekje për përfshirjen e tyre në protestave. Protestat kanë shpërthyer kundër Policisë për Moral në Iran, pas vdekjes së Mahsa Aminit, 22-vjeçares e cila është ndaluar nga zyrtarë të këtij departamenti, nën dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.
“Ky ekzekutim duhet të përcillet me pasoja praktike në nivel ndërkombëtar”.
Agjencia iraniane e lajmeve, Mizan, e ka bërë të ditur ekzekutimin. Në të, burri i ekzekutuar është akuzuar për bllokim të rrugëve dhe sulm ndaj pjesëtarëve të sigurisë në Teheran. Deri më tani, të paktën 475 persona kanë vdekur nëpër protestat e nisura javë më parë në Iran, derisa mbi 18.000 të tjerë besohet se janë arrestuar.
Irani është një prej vendeve që kryen më së shumti ekzekutimeve në botë. Autoritetet e këtij vendi i ekzekutojnë të burgosurit kryesisht duke i varur./Rel