• |
ide | kryesore

Mjeshtrat e kohëve shtesë, Kroacia, teston fantazinë e favoritit numër 1: Brazili çerekfinalet i ka “mace të zezë”

-Instant, F1, Sport
Kroacia



Brazili do të përpiqet t’i mbajë të gjalla shpresat e tij për të ngritur një titull të gjashtë rekord të Kupës së Botës. Përballë tyre, në çerekfinale, janë nënkampionët e botës, Kroacia. Ballkanasit në stadiumin Education City, do të kërkojnë të lënë pas lodhjen e penalltive me Japoninë. Selecao, nga ana tjetër, dërgoi një deklaratë të qartë për pjesën tjetër të turneut kur shkatërruan Korenë e Jugut në 1/8 e Katar 2022.

KROACIA

Për të dytin Botëror radhazi dhe për herë të tretë në historinë e saj, Kroacia do të garojë në çerekfinale në skenën më të madhe ndërkombëtare. Kroacia nuk është e huaj për drama në nivelin më të lartë të futbollit, pasi ajo ka shkuar në kohën shtesë në shtatë nga tetë ndeshjet e fundit me eliminim direkt. Një histori që nisi që kur ballkanasit përfunduan të tretët në finalet e para të Kupës së Botës në vitin 1998. Katër nga pesë ndeshjet e fundit të Kroacisë me eliminim direkt në Kupën e Botës kanë shkuar në kohën shtesë. E tre prej tyre kanë parë fitoren e “Chered Ones” me penallti. Humbja 4-2 ndaj Francës, në finalen e 2018, është e vetmja herë gjatë kësaj ecurie, që një ndeshje me eliminim direkt e Kroacisë u vendos në 90 minuta. Dalic është i pamposhtur në 10 ndeshjet e fundit ndërkombëtare. Kroacia ka humbur vetëm një nga 20 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, që nga Euro 2020. Por kjo ecuri mbresëlënëse do të testohet nga një formacion spektakolar i Brazilit, që vjen në këtë sfidë pas paraqitjes së tyre më të mirë në Katar kundër Koresë.

Lexo më tej: E akuzojnë se poshtëron kundërshtarët, Tite mbron kërcimet e Brazilit: “Janë pjesë e jona”

BRAZILI

Shkathtësia braziliane dhe xhonglimet me të cilën janë mësuar tifozët e futbollit anembanë globit kur shikojnë pesë herë kampionët e botës u shfaq të hënën. Skuadra e Tite kaloi në çerekfinale falë një fitoreje 4-1 ndaj Koresë së Jugut në 1/8. Goli i tretë i Richarlison dëshmon pse skuadra e Tite ka kredencialet për të shkuar deri në fund në Katar. Brazili po shfaq gjithë vetëbesimin, përpara çerekfinales së tyre të shtatë radhazi në Kupën e Botës. Gjithësesi brazilianët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj rekordit të tyre të kohëve të fundit në këtë fazë të kompeticionit. Selecao është eliminuar në çerekfinale në tre nga katër Kupat e Botës së fundit. Brazili është dorëzuar ndaj Francës, Holandës dhe Belgjikës në 2006, 2010 dhe 2018 respektivisht. Që kur mundi Gjermaninë 2-0 në finalen e Kupës së Botës 2002, Brazili ka humbur secilën nga pesë ndeshjet e fundit me eliminim direkt kundër kombëtareve europiane. Megjithatë, Selecao nuk ka humbur kurrë në katër takimet e mëparshme me Kroacinë. Humbja 1-0 në grupe ndaj Kamerunit, është humbja e tyre e vetme në 19 ndeshjet e tyre të fundit ndërkombëtare.

FORMACIONET

Formacioni i mundshëm i Kroacisë:

Livakovic; Juranovic, Lovren, Gvardiol, Sosa; Kovacic, Brozovic, Modric; Kramaric, Petkovic, Perisic

Formacioni i mundshëm i Brazilit:

Alisson; Militao, Thiago Silva, Marquinhos, Danilo; Casemiro, Paqueta; Raphinha, Neymar, Vinicius Jr; Richarlison



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *