• |
ide | kryesore

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës, policia shton praninë e saj

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Situata e sigurisë në veriun e Kosovës duket e qetë të premten një ditë pasi një pjesëtar i policisë u plagos lehtë në një sulm të armatosur në zonën e banuar me shumicë serbe.

Incidenti ndodhi disa orë pasi policia tha se ka shtuar praninë e saj në veriun e vendit, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit i cili e cilësoi këtë si “pushtim të veriut” nga Prishtina.

Autoritetet në Prishtinë thonë se shtimi i pranisë policore është bërë me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, pas incidenteve të ditëve të fundit në veri.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se forcat e sigurisë janë për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Policia e Kosovës nuk është kurrë e drejtuar, e nxitur, e orientuar kundër serbëve. Përkundrazi, ajo ka një konsideratë shtesë për serbët në Kosovë pikërisht për shkak të keqinterpretimeve të ndryshme, të cilat mund të bëhen nga fqinji ynë verior”, tha ai.

Shtimi i pranisë policore në veri, ku nuk ka më policë të përkatësisë kombëtare serbe të cilët braktisën vendet e punës në fillim të muajit nëntor, nxiti reagimin e Beogradit.

Autoritetet serbe thanë se po shqyrtojnë vendimin për kthimin e një mijë forcave të sigurisë në territorin e Kosovës në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç tha sot se “situata është në prag të konfliktit të armatosur”, për shkak të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të cilin ajo e quajti të papërgjegjshëm.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga forcat e NATO-s, ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi Serbinë për kërcënim të hapur për agresion policor e ushtarak ndërsa theksoi se nuk do të ketë asnjëherë policë dhe ushtarë të Serbisë në territorin e Kosovës.

Bashkimi Evropian u shpreh sot i shqetësuar me situatën e sigurisë në veriun e Kosovës.

“Dënojmë çdo dhunë, incident dhe sulm që ndodh atje. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare po bëjnë thirrje për përgjegjësi dhe ulje të tensionit sepse kjo është e nevojshme për qytetarët atje”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Tensionet në veriun e Kosovës u rritën me afrimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veriun e vendit. Gjatë javës grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.

Situata e krijuar në zonë ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve me datën 18 dhjetor dhe autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, gjë që është kërkuar edhe nga diplomatët perëndimorë.

Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Procesi zgjedhor po bojkotohet nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe. /VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *