• |
ide | kryesore

“Harry Pain” e ka titulluar media angleze gabimin e Kane: “Jam i shkatërruar, duhet kohë që ta kaloj”

-Instant, Sport
Harry



Harry Kane nuk e fsheh zemërimin dhe zhgënjimin për humbjen ndaj Francës. Një disfatë që i kushtoi Anglisë eliminimin nga Katar 2022. Sulmuesi i Tottenham, i cili humbi penalltinë e barazimit të mundshëm 2-2, ka folur për herë të parë në rrjetet sociale: “Jam i shkatërruar absolutisht. Ne dhamë gjithçka, dhe e gjitha u kufizua në një detaj të vogël, për të cilin unë marr përgjegjësi”. Fjalët e qendërsulmuesit të Anglisë nuk lënë asnjë dyshim për gjendjen e tij shpirtërore. “Nuk mund të fshihesh, të dhemb dhe do të duhet kohë për ta kapërcyer, por është pjesë e sportit. Tani ka të bëjë me përdorimin e përvojës për të qenë më të fortë mendërisht dhe fizikisht për sfidën e radhës. Faleminderit për mbështetjen gjatë turneut. Do të thotë shumë”.

Lexo më tej: Anglia e eliminuar por fantastike, arbitri “fajtor” dhe dilema Southgate: “Do të qendroj? Do flasim…”

Në minutën e 84 me ndeshjen në 2-1, Kane pati mundësinë e madhe për të çuar Anglinë në kohën shtesë me meritë. Gjysmë ore më parë, sulmuesi i Tottenham kishte fituar duelin nga pikaa e bardhë me shokun e tij të klubit Lloris. Por këtë herë filmi mes të dyve pati një epilog shumë të ndryshëm. Kane, në fakt, goditi penalltinë e dhënë për një faull naiv të Theo Hernandez ndaj Mount, lart mbi traversë. E në pak sekonda shpresat e miliona tifozëve anglezë u bënë shkrumb e hi.

HISTORI PENALLTISH…

Një vit e gjysmë më parë gabimet e Sancho, Rashford dhe Saka e kurorëzuan Italinë kampione të Europës. Tashmë një tjetër penallti e mallkuar e vështirë për t’u tretur. Dy raste të ndryshme, por i njëjti emërues i përbashkët. It’s not coming home (për të panumërtën herë). E media britanike e titulloi “Harry Pain”, duke luajtur me mbiemrin e lojtarit dhe dhimbjen për shansin e humbur.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *