• |
ide | kryesore

BIRN: Bashkimi Europian vendos në lupë marrëveshjen për portin e Durrësit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Ambasadorët e BE-së çojnë përpara procesin e liberalizimit të vizave


Në orët e para të 25 nëntorit, deputetët e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë ngritën kartonat jeshilë dhe miratuan një ligj të posaçëm për portin e Durrësit – një projekt që synon të kthejë portin historik të vendit në një atraksion turistik me ndërtesa shumëkatëshe dhe një port jahtesh.

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe kompanive Eagle Hills Real Estate Development L.L.C, Albanian Seaports Development Company sh.a dhe Nshmi Development L.L.C u mbrojt në Kuvend nga kryeministri Edi Rama, i cili mori meritat e negocimit me investitorin arab, Muhamed Alabbar.

Projekti u kundërshtua nga opozita për mungesën e garës, të transparencës si dhe për shkelje të mundshme të marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, MSA, me Bashkimin Europian.

Shqetësime të ngjashme duket se ndan edhe Bashkimi Europian, i cili i tha BIRN përmes delegacionit të vet në Tiranë se po e monitoron këtë marrëveshje dhe se është ‘në pritje të sqarimeve nga qeveria’ shqiptare.

“Sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare,” tha zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Delegacioni konfirmoi gjithashtu se BE kishte anuluar grantin e mbetur për investime në projektin e mëparshëm të portit, si rezultat i “modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual”.

Granti i dhënë përmes fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor, ËBIF, ishte rreth 27 milionë euro.

“Ne jemi duke u konsultuar me përfaqësuesit e qeverisë edhe për prioritetet e investimeve në këtë drejtim,” shtoi zyra e BE-së në Tiranë.

Ligji për zhvillimin e portit të Durrësit parashikon kalimin falas të një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në favor të investitorëve. Marrëveshja u miratua me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, ndërsa qeveria mbajti sekret një pjesë të marrëveshjes, që lidhet me të dhënat e pronarëve përfitues të njërës prej kompanive që qëndron pas investimit.

Qeveria i zhvlerëson kritikat dhe këmbëngul se ky projekt i shërben zhvillimit ekonomik të qytetit bregdetar dhe të gjithë vendit.

I pyetur nga BIRN për shkeljen e mundshme të MSA-së, drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga i tha BIRN se “marrëveshja për portin e Durrësit nuk rrezikon asnjë proces integrimi”.

“Natyrisht, tërheqja nga ky zhvillim nuk ka se si të jetë opsion, aq më tepër që askush nuk ka për ta kërkuar një absurditet të tillë,” tha Fuga.

Ndryshe nga qeveria, ekspertë të integrimit theksojnë se vendi rrezikon penalitete nëse faktohet shkelja e MSA-së, çka mund të sillnin një stopim ose ngadalësim të procesit të integrimit.

“Nëse Shqipëria shkon në drejtim të kundërt me legjislacionin europian, ka penalitete, ka vonesa të procesit apo ngecje në çështje specifike derisa të korrigjojë masat e ndërmarra,” tha Gledis Gjipali, drejtori ekzekutiv i “European Movement Albania”.

Duke komentuar ligjin për Portin e Durrësit, Gjipali theksoi gjithashtu se ekzistojnë masa që mund të sjellin një rikthim të vendimarrjes, pasi të jenë konsumuar negociatat dhe alternativat për korrigjim.

“Mësimi për ne është që për çdo vendim të rëndësishëm do të duhet të marrim opionionin e BE-së,” shtoi ai.

Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Integrimit, i tha BIRN se marrëveshja cënon disa nene të MSA-së dhe se përfaqësues të Komisionit Europian shprehën shqetësimin e tyre në Mbledhjen e 15 të Komisionit të Stabilizim Asociimit.

“Nenet 71 dhe 74 te MSA specifikisht shprehen për konkurrencën dhe garën e hapur, për mosdiskriminim të kompanive dhe bizneseve europiane. Në çdo rast, kontratat e dhëna pa garë, marrëveshjet direkte pa garë, ofertat e pakërkuara dhe çdo forme tjetër “e sajuar” dhe që cenon tregun e lirë konsiderohet shkelje e MSA,” tha Tabaku.

“Në këtë fazë të negociatave, çdo diskutim për shkeljen e MSA-së si marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, heq fokusin dhe dëmton procesin e bisedimeve,” përfundoi Tabaku./ BIRN


4 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *