• |
ide | kryesore

VOA: Si t’i kuptojmë deklaratat e Yuri Kim për SPAK dhe largimin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
yuri kim



Në Tiranë, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha sot se emërimet në Drejtësi nuk duhet të shënojnë kthim në të shkuarën, por të orientohen drejt së ardhmes. Deklarata e bërë gjatë një aktiviteti të Këshillit të Lartë Gyqësor, vjen pak ditë përpara se Këshilli i Lartë i Drejtësisë të zgjedhë kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, një proces për të cilin ajo ka folur dhe më herët, duke theksuar se nuk duhet të jetë i manipuluar.

Në prani të përfaqësuesve të institucioneve kryesore të Drejtësisë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, shprehu dhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Reformës në Drejtësi. Ndërsa vlerësoi rezultatet e arritura, ajo nënvizoi se nuk është koha për të thënë se është e mjaftueshëm.

“Tani është koha për të shtyrë përpara”, theksoi ambasadorja duke i mëshuar vazhdimit të punës për të ulur ndjeshëm numrin e çështjeve të prapambetura apo dhe plotësimit me të gjithë anëtarët e saj, Gjykatën e Lartë.

Për ambasadoren amerikane vendimet e institucioneve të Drejtësisë nuk duhet të çojnë në një kthim në të shkuarën: “Le të sigurohemi që vendimet që merren se kush do të jetë drejtues i këtij apo atij institucioni, kush bëhet prokuror, kush është aty, kush bëhet gjyqtar, kush vetohet, kush jo, si dalin vendimet – le të sigurohemi që ato vendime që marrim, të na drejtojnë drejt së ardhmes, që të mos na mbajnë në vend, të mos na çojnë pas. Nuk mund të kthehemi prapa”.

Komenti i saj tingëllon haptazi si një kambanë që bie përpara përzgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Aq më tepër që, kur sapo ishte mbyllur afati i paraqitjes së kandidaturave, përmes një postimi në Twitter ambasadorja Kim la të kuptohej për përpjekje të mundshme për ndërhyrje në përzgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm.

Procesi “duhet të jetë i pa manipuluar nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK-u, si dhe reforma në drejtësi, duhet të jetë për të ardhmen e Shqipërisë”, vuri në dukje ajo.

Në garë janë tre prokurorë, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Këta dy të fundit ishin pjesë dhe e garës së zhvilluar 3 vjet më parë kur u zgjodh zoti Arben Kraja.

Ambasadorja Kim është një njohëse e mirë e çështjeve të drejtësisë, duke qenë se qenë se temat e lidhura me Reformën kanë dominuar një pjesë të mirë të axhendës së saj që kur erdhi në Shqipëri.

“Jam këtu prej tre vitesh tashmë dhe do jem edhe për pak më gjatë”, tha ajo. Një fjali, e cila qartazi dukej një kundërpërgjigje ndaj një njoftimi të pazakontë të shpërndarë javën e shkuar nga ministria e Jashtme shqiptare. Në thyerje të çdo praktike diplomatike, ministria mori kompetencat e një vendi tjetër, duke bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kishin nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores Kim, e cila është në përmbyllje të mandatit të saj.

“Nuk është thyer asnjë etikë e asnjë lloji dhe procesi për zëvendësimin e ambasadores ka nisur, siç është thënë edhe nga Ministria e Jashtme. Natyrisht nuk e kemi nisur ne procesin, e ka nisur Departamenti i Shtetit si për të gjithë ambasadorët që vendos kur bëhet djalë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ndërkohë kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ai mohoi të ketë ndonjë përplasje ndërmjet tij dhe ambasadores amerikane. I pyetur nga gazetarët nëse ka një “krisje” mes tyre ai tha se “ngjitja mes meje dhe ambasadores, është më e fortë se kurrë, nëse mund ta përdorim kështu si metaforë … Dje kemi pasur një takim të gjatë konstruktiv, miqësor, nuk ka asnjë problem”, theksoi kryeministri Rama. /VOA



9 Comments

  1. Kahu thon te gjithe ne fillim jemi bashke, nuk ka krisje, jemi te ngjitur.

    Dhe me pas shkojne ne gjykate divorcohen…

    Yuri ben lojen e rames. Rama diti tu mbushe xhepat mire.

  2. Kjo eshte kurrkushi. Kjo eshte thjesht nje lecke kepucesh e Edi Rames. Nje spiropale anglishfolese. Kaq!
    Kimetja nuk mund te beje “kakërdhi” sepse eshte koshiente qe nje llaf ne vesh ti thote Xoni- Alexi Sorrosit, Kimetja perfundon duke punu turni i trete ne McDonald’s😂.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *