• |
ide | kryesore

Shqiptarët janë ndër të parët në Europë për angazhimin në politikë në rrjete sociale

-Instant, Lajme, Të fundit


Shqiptarët e përdorin shumë pak internetin për të kryer shërbime bankare, për të gjetur një punë, për të realizuar shitjen e mallrave apo shërbimeve, duke u renditur ndër të fundit në Europë.

Por të dhënat e Eurostat, në publikimin për përdorimin e internetit në Europë tregojnë se ata janë ndër të parët kur bëhet fjalë për të shprehur opinionet politike apo qytetare në rrjetet sociale (me të dhënat që i referohen vitit 2021, për personat që e kanë përdorur internetin gjatë tre muajve të fundit).

Sipas Eurostat, 26.5% e përdoruesve shqiptarë të internetit të moshës nga 16 deri në 74 vjeç e përdorin internetin për shprehjen e opinioneve për çështjet politike apo qytetare në faqe interneti e rrjete sociale, gati 10 pikë përqindje më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian.

Ndërsa psh për përdorimin e bankingut online, Shqipëria është e fundit në Europë, me vetëm 5.24% që e përdorin atë (nga 58% mesatarja europiane dhe 96% shteti me renditjen më të lartë, Norvegjia dhe Islanda), kur bëhet fjalë për të shprehur opinionet politike, vendi ynë renditet i gjashti, pas Islandës, Finlandës, Danimarkës, Luksemburgut dhe Italisë.

Banorët e shteteve të tjera të rajonit janë shumë më pak të interesuar për të shprehur opinionet e tyre politike apo qytetare përmes rrjeteve sociale. Bosnjë Hercegovina dhe Serbia, janë të fundit në Europë, me më pak sesa 8%, Mali i Zi gati 12%, ndërsa pas nesh më të lartë përfshirjen sociale në rrjete e ka Maqedonia e Veriut, me 22%.

Ndonëse i preferojnë rrjetet për të shprehur opinionet ndaj politikës, për t’u informuar shtetasit shqiptarë vijojnë të përdorin kanalet tradicionale, sidomos televizionin.

Sipas Eurostat, vetëm 46% e përdoruesve të internetit lexojnë lajme online dhe revista, përqindje që është më e ulëta në Europë dhe shumë poshtë mesatares europoiane prej 64%.

Përveç shqiptarëve, më pak të interesuar për të lexuar lajme online janë dhe bullgarët (55.4%), turqit (53.6%), italianët (52%), rumunët (49%), ndërsa më të interesuarit janë islandezët dhe norvegjezët (rreth 94-95%).

Në fund të Europës përdoruesit shqiptarë renditen edhe për kryerjen e kurseve online (vetëm 2.5%), marrjen dhe dërgimin e e-mail (26.6%), gjetjen e informacionit për mallra e shërbime (44%, të parafundit në Europë përpara Rumanisë), kërkimi i punës (4.91% e parafundit në Europë, përpara Bosnjës dhe Hercegovinës).

Përdorimi absolutisht më i ulët është për shitje online, me vetëm 0.54% të përdoruesve, nga 18% që është mesatarja e BE-së dhe 43% që e ka Holanda, e para në Europë.

Përveçse për të shprehur opinione për politikën, vendasit e përdorin internetin për telefonata ose video telefonata (78%),

61% e përdoruesve deklarojnë se ata janë aktivë në rrjete sociale, por duke u renditur ndër 10 të fundit në Europë./ Monitor


2 Comments

  1. Në fakt kur punët nuk shkojnë mirë, njerëzit merren me politikë.
    Kur je pa punë merresh me politikë, kur je pa lekë merresh me politikë, kur nuk sheh të ardhme për veten dhe për familjen merresh me politikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *