• |
ide | kryesore

Dvorani drejt Gjykatës Kushtetuese, debate në Komisionin e Ligjeve

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
kushtetuese



Komisioni parlamentar i Ligjeve kaloi të hënën vetëm me votat e socialistëve 3 kandidatët që do të votohen në seancë plenare për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kishte dërguar në Kuvend një listë me 4 kandidatë të renditur sipas një pikëzimi të vlerësimit të tyre, nga të cilët sipas përcaktimeve ligjore Kuvendi voton një prej tre emrave të parë të listës.

Lista kryesohej nga Marjana Semini me 93.66 pikë, ndjekur nga Ardian Dvorani me 92.44 pikë, Gent Ibrahimi me 88.38 dhe Arta Vorpsi me 88.22 pikë. Por komisioni u gjend para një ngërçi procedurial pasi Ibrahimi, i listuar i treti, ishte dekretuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës disa ditë më parë.

Komisioni vendosi që të mos marrë parasysh emrin e tij dhe të zhvillojë seancë dëgjimore me 3 kandidatët e tjerë. Semini dhe Dvorani u paraqitën në seancë dhe parashtruan platformat e tyre për Gjykatën Kushtetuese dhe arsyet pse kërkonin të ishin anëtarë të saj. Ndërsa, Vorpsi nuk u paraqit në seancë dhe me anë të një emaili që u lexua nga kryetarja Klotilda Bushka, ajo parashkronte argumentet e mungesës.

Duke iu referuar nenit përkatës në Kushtetutë, ku përcaktohet se fituesi zgjidhet mes 3 emrave të parë të listës, Vorpsi shkruan se “duke qenë se jam renditur e katërta, nuk e konsideroj me vend që të marrë pjesë më tej në procesin e përzgjedhjes nga ana e Kuvendit”Në këto kushte deputeti Gazmend Bardhi tha se kjo letër ishte shprehje e dorëheqjes nga gara dhe komisioni nuk mund ta çonte emrin e saj për votim në seancë dhe kësisoj procesi ishte i parregullt vetëm me 2 kandidatë.

“Kemi një ngërç kushtetues”- tha ai, duke shtuar se “nuk mund t’a fusim në garë zonjën Vorpsi kundër vullnetit të saj”. Por, socialistët këmbëngulën se letra e Vorpsit nuk ishte tërheqje nga gara. Deputeti Damian Gjiknuri tha se dorëheqja do të ishte formuluar ndryshe dhe se Kuvendi ishte i detyruar të votonte listën e emrave të dërguar nga KED.

Opozita po ashtu ngriti pretendime se njërit prej kandidatëve i mungonte verifikimi i figurës nga Autoriteti i Dosjeve. Duke iu referuar një raporti i të Avokatit të Popullit në dokumentet e sjellë nga KED në komision, Enkelejd Alibeaj tha se “një prej kandidatëve ka dorëzuar një certifikatë të marrë para vitit 1998 nga komisionet “Mezini”, “Bezhani”.

Por, sipas tij, ndryshimet ligjore të bëra së fundmi nga Kuvendi që nuk i njeh më si të vlefshme certifikatat e pastërtisë të dhëna nga këto komisione kërkojnë që kandidati të verifikohet nëse ka qenë apo jo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Raporti i referohej kandidatit Ardian Dvorani, për të cilin Avokati i Popullit kishte ngritur edhe pretendime të tjera për pasurinë dhe integritetin në punën si gjyqtar. Por, Bushka tha se Kuvendi nuk kishte tagrin të vinte në diskutim vendimet e KED-it dhe të kërkonte rikthimin e procedurës së vlerësimit.

“Verifikimin e bën KED në bazë të disa kritereve”- tha ajo. “Nëse mungon një nga këto elementë, përfshirë dhe pastërtinë e figurës, nuk do ta kalonte procesin. Ne nuk marrim dot kompetencat e një institucioni tjetër”– argumentoi Bushka. Me shumicë votash komisioni kaloi në seancë të tre kandidatët, ndërsa deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim. Duke sqaruar procedurën ligjore të zgjedhjes, Bushka tha se, për tu bërë anëtar njëri prej kandidatëve duhet të sigurojë 84 vota në Kuvend.

“Nëse asnjëri prej tyre nuk arrin këtë shumicë të cilësuar, atëherë anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet automatikisht kandidati i renditur i pari në listë”- theksoi ajo. /BIRN



4 Comments

  1. Ndersa Shqiperia ne tridhjet vite ka mijera juriste, te pergatitur brenda dhe jashte vendit, “reforma” ne Drejtesi ka nevoje per ish hetuesit e nje kohe tjeter, si Dvorani.

    Ne SPAK zgjidhet Dumani, i ri i pakompromentuar, por ne Gjykaten Kushtetuese bllokon Dvorani.
    Ku eshte reforma?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *