• |
ide | kryesore

Zbulohen 5 bombα në Brazil/ Plan për të shkatërruar betimin e Lulës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Brazil



Tensioni po rritet në Brazil për shkak të ceremonisë së inaugurimit të presidentit të zgjedhur Luiz Inácio Lula da Silva. Ceremonia është parashikuar të mbahet në 1 janar.

Por një bombë, e përbërë nga një ngarkesë dinamiti e lidhur me një kohëmatës, u zbulua brenda një kamioni-cisternë plot me karburant që ishte parkuar pranë aeroportit të Brasilias gjatë rrugës që të çon në qytet. Ka qenë drejtuesi i mjetit që ka gjetur bombën dhe ka lajmëruar policinë. Ajo ka ndërhyrë menjëherë me repartet antieksploziv.

Burri nuk kishte lidhje me planin që parashikonte vendosjen e të paktën 4 bombave të tjera në pika strategjike që do të godisnin rrjetin elektrik dhe do të shkaktonin panik. Falë hetimeve dhe kamerave të vëzhgimit, policia federale arrestoi një person të dyshuar për vendosjen e bombës.

Emri i tij është George Washington de Oliveira Sousa, 54 vjeç. Ai është një militant i ekstremit të djathtë, mbështetës i zjarrtë i Jair Bolsonaro. Ishte vetë ai që rrëfeu të gjithë planin e ngritur nga një komitet aktivistësh. Ata kishin ngritur një bazë prej javësh të tëra përpara selisë së Forcave të Armatosura në Brasilia.

Qëllimi ishte “krijimi i kaosit”, “shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në të gjithë vendin deri në provokimin e ndërhyrjes së ushtrisë” për të parandaluar vendosjen e Lulës dhe “vendosjen e komunizmit në Brazil”.

Më 22 dhjetor, 2 ditë para se të zbulohej bomba, ishte një burrë që iu afrua Sousa-s dhe i dha atij bombën. Dy të tjerë vendosën një tjetër në nënstacionin elektrik të Taguatinga. Policia gjeti dhe çaktivizoi 5 bomba të gatshme për të shpërthyer. Gjithashtu janë sekuestruar armë, plumba dhe lëndë plasëse.

Alarmi ra në të gjithë vendin, por mbi të gjitha në kryeqytet, ku ndodhen godinat e institucioneve kryesore. Autorët i kanë bërë thirrje ushtrisë të ndërhyjë dhe të pengojë dorëzimin e mandatit tek Lula. Zbulimi i planit natyrshëm alarmoi stafin e Lulës. Ekziston frika për tentativa të reja që do të rrezikonin jo vetëm ceremoninë e inaugurimit, por edhe njerëzit që do të marrin pjesë.

E gjithë trupa e Forcave të Armatosura tashmë ka pranuar verdiktin e zgjedhjeve dhe kërkon ta respektojë atë. Por Lula e di se deri në fund tifozët e Bolsonaros do të përpiqen t’i kundërvihen. Të gjithë e mbajnë mend atë që ndodhi më 6 janar 2021 në Uashington. U sulmua Kapitoli. Një skenë e tillë mund të përsëritet edhe në Brasilia. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *