Dy stenda diskrete me ngjyrë të bardhë, që mbajnë në fund të tyre emërtimin “Bashkë”, i ftojnë qytetarët për të nënshkruar themelimin e një partie të re. Disa e bëjnë me qef. Disa të tjerë thonë se do të firmosnin me kënaqësi, por largohen duke shtuar se kanë frikë se i mbyllin biznesin apo i largojnë nga puna.
Prej afro një jave, në sheshin qëndror të Tiranës, diku në krah të Bibliotekës Kombëtare, ky grup aktivistësh të ish “Organizatës Politike” po kërkojnë të marrin bekimin e kryeqytetasve, për të mbledhur 3000 aderimet që i duhen për legalizimin e një partie politike.


Në 18 dhjetor ata mbajtën kongresin themelues me synimin që forcën e re politike, “Bashkë” ta bëjnë përfaqësuese të 95 % të shqiptarëve, të cilët kush më shumë e kush më pak, pësojnë dominimin e padrejtë të një pakice. Qëllimi është krijimi i të vetmes forcë të së majtës moderne, në një vend ku mungon një e tillë, mbështetur në vlerat e barazisë, solidaritetit dhe bashkimit kundër atomizimit që i bëjnë shoqërisë politikat neo liberale.
Natyrisht, pa ndonjë surprizë, kreu i partisë me një mandat 2 vjeçar u zgjodh ai që kishte treguar vlerat më të spikatuara në Organizatën politike, pedagogu Arlind Qori. Me sa duket, këtej e tutje, ai do të jetë i detyruar ta flakë tej emërtimin modest të aktivistit, për tu bërë një nga shumë kryetarët e forcave politike që ka Shqipëria. Por ky lloj paralelizmi i ngre nervat miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, që prej një jave kanë qenë aktivë në shumë media për të shpjeguar qëllimet e kësaj force të re politike…
“Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën i mbaj mend kur kam qenë 2 vjeç, 5 vjeç, 10 vjeç, 15 vjeç, 20 vjeç, 30 vjeç dhe ishallah nuk na kap 40-vjetëshi me këta njerëz.
Këta tre njerëz në Shqipëri kanë kryer çdo lloj vjedhjeje, çdo lloj krimi, çdo lloj shtypjeje të mundshme ndaj qytetarëve shqiptarë”, thotë Klodi Leka (foto poshte) që sendërzon mendësinë e anëtarëve të “Bashkë”, për mënyrën se si është bërë politikë deri më tani.

Por ata që e kanë ndjekur historinë e këtyre tre dekadave e dinë fare mirë se me këtë ide, për të përmbysur monopolin e të mëdhejve, kanë lindur shumë forca politike. Pothuajse të gjitha njëra pas tjetrës kanë dështuar. Që nga Mjafti, G 99, lëvizja e Gjergj Bojaxhiut, Libra, Nisma etj.
Kjo ka ardhur se ato as nuk kanë pasur një ideologji të rrënjosur tek e cila kanë besuar, apo qoftë edhe për faktin se kanë rënë pre e një projekti afatshkurtër që ka synuar thjeshtë zgjedhjet e radhës.
Të rinjtë e “Bashkë” shpresojnë të mos bien pre e së njëjtit mallkim, pasi ata kanë zgjedhur një rrugë tjetër.
“Me Organizatën Politike vijmë nga një histori aktivizmi 10-vjeçar, ku jemi angazhuar në kauza sociale, ku qëllimi ka qenë ngritja e një fryme të re, qoftë sa i takon rëndësisë së ngritjes në sindikata, për të dhënë modelin e studentit aktivist, dhe përpjekja për të përfshirë sa më shumë qytetarë në kauza jetike, siç ishte pr.ligji për minimumin jetik.
Mendoj që jemi në momentin e duhur për ta hedhur këtë hap, kemi pjekurinë e duhur politike, kemi dëshmuar parimet dhe synimi ynë i përhershëm do jetë krijimi i frymës së re, por tanimë për të sjellë një ndryshim thelbësor në shoqërinë shqiptare, për të dalë nga llumi ku na kanë zhytur në 30 vjet”, ka shpjeguar Redi Muçi (foto poshte) në një intervistë televizive për MCN.

Këtë përvojë të gjatë, që e ka bërë të farkëtojë në kudhrën e besimit bashkëpunëtorët dhe të provojë para publikut qëndrueshmëri e pohon edhe vetë Arlind Qori: “Në këto 12 vite kemi pasur për qëllim t’i “bombardonim” institucionet me kërkesa të drejta dhe të zgjonim ndërgjegjen shoqërore për nevojën e organizimit në vendin e punës, të shkollimit dhe në tërësi në jetën sociale. Kemi luftuar së bashku me punëtorë – nga minierat te sektori i naftës, tekstilit dhe call center-ave, sikundër jemi organizuar së bashku me studentët dhe shtresa të tjera popullore. Pasi kemi marrë pjesë e organizuar dhjetëra protesta, qindra aksione e shumë fushata, arritëm në përfundimin se rrugëtimit të organizimit jashtëinstitucional i kishte ardhur fundi” deklaroi ai në një intervistë në RTSH.
Ndoshta shumëkush ende sot e mban mend një vajzë të re, që në kohën e protestave kundër ligjit klienteslist për arsimin e lartë, që tashmë e ka treguar vetën si krejtësisht i dështuar, ngjyrosi me bojë të kuqe flokët e arta të ish ministres së arsimit Lindita Nikolla. Ajo quhej Mirela Ruko (foto poshte). E diplomuar për sociologji ajo ka udhëhequr prej tetë vitesh drejtimin e fushatave të Kartës Sociale dhe Minimumit Jetik gjithashtu ka organizuar lëvizjen sindikaliste të punëtoreve të fasonerisë apo të call center-ave. Tani ajo është zgjedhur Sekretare e përgjigjthshme. “Shqipërisë nuk i duhet vetëm një parti e re, por i duhet një alternativë e rëndësishme për të na nxjerrë nga situata ku ndodhemi. Gjatë qeverisje së Edi Ramës jemi kthyer si në vitet ’90, ku njerëzit kanë marrë përsëri gomonet….21 Janari ishte ngjarje tronditëse për mua, sepse një parti i vrau njerëzit në shesh, kurse partia tjetër i braktisi ata. As sot nuk kemi ende drejtësi”, ka thënë ajo në një interevistë për Fax News.

Por çështja ngado që vërtiret vjen sërish në një pikë: Dakord me denoncimin e partive të vjetra, po ç’mund të bëhet kundër tyre?
Kësaj dileme themeluesit e “Bashkë” i përgjigjen kryesisht me dy argumenta. I pari se ata jënë një parti e majtë që i përgjigjet më së miri nevojave që ka momentalisht pjesa më e madhe e shoqërisë. “Partia Socialiste është e kundërta e çdo ideali e vlere të së majtës: është parti e oligarkëve, e njerëzve tejet të pasur, përçmon njerëzit e thjeshtë, nëpërkëmb të drejtat në punë, si dhe ka një formë organizative despotike, ku gjithçka sillet rreth një kryetari fund e krye të korruptuar. Në këtë kuptim, as Shqipëria dhe as ne nuk kemi kohë për ekstremizma; në këtë kuptim as për të majtë ekstreme. Ne jemi të majtë, demokratikisht të majtë dhe, si të tillë, mendojmë se i flasim shumicës dërrmuese të shoqërisë, ose më saktë përfaqësojmë të drejtat e nevojat e 95% të shoqërisë”, ka thënë Arlind Qorri në një intervistë për Nacionale.com. Po aty ai ka shpjeguar edhe argumentin tjetër që e bën të shpresojë në sukses, se përpos artikulimit të kritikës, ky grupim ka në ADN-në e vet edhe aksionin.
“Për ne nuk mjaftojnë fjalët e bukura, por duhen fjalë që zënë vend sepse shoqërohen me veprimet konkrete të njerëzve konkretë në një situatë konkrete.
Për shembull, kur ne jemi solidarizuar me minatorët e Bulqizës, nuk jemi mjaftuar me një deklaratë për shtyp. Kemi shkuar në Bulqizë, kemi jetuar e punuar me muaj të tërë bashkë me minatorët për të krijuar një sindikatë, i jemi bashkuar fizikisht grevës së tyre, kemi duruar në kurrizin tonë kërcënimet shtetërore dhe dhunën. Dhe nuk jemi epur e dorëzuar asnjëherë. Dhe si kjo përvojë kemi shumë të tjera. Më falni për mungesën e modestisë, po, dora në zemër, këtë konsekuencë midis ideve dhe veprimit, midis fjalës dhe aktit nuk e ka pasur asnjë subjekt tjetër politik a shoqëror në Shqipërinë e dekadave të fundit”.
Fibër e fortë ideologjike dhe veprim konkret në terren, këto duket se do të jenë dy atutë e ish aktivistëve të Organizatës Politike. Të shndërruar në politikanë ata tani po bëjën sprovën e parë, mbledhjen e firmave për legalizimin e forcës së tyre. Por prej këtu, jo gjithçka do të jetë e lehtë. Sepse në garën ku po mëtojnë të futen, nuk do të kenë rivalë, vetëm partitë konkurente, por njëkohësisht edhe oligarkinë, sistemin e ngulitur, mediat dhe këdo tjetër që është pjesë përbërëse e establishmentit të vjetër dhe që militon çdo ditë për ruajtjen e status quo-së. Prandaj rruga që “Bashkë” ka përpara rrezikon të jetë edhe më e gjatë se ajo që iu desh Organizatës Politike të shndërohej në parti.
©Lapsi.al