• |
ide | kryesore

Prapaskenat/ Pse hyri policia në shtëpitë e Martinajve

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Nga kontrollet që u kryen në shtëpitë e familjes Martinaj në Fushë-Kuqe nuk pati asnjë të arrestuar. Arsenali i armëve do të ekzaminohet në laborator, ndërsa të afërmit e Ervis Martinajt u lanë të lirë pasi bënë deklarimet në polici.

Por përse e kaloi RENEA dhe FNSH pragun e shtëpive të familjes Martinaj? Çfarë domethënie ka një aksion i tillë 5 muaj pas zhdukjes së nipit të tyre Ervisit?

Për të kuptuar lëvizjen e policisë duhet të rikthehemi në ditët e fundit të gushtit të këtij viti.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme në enigmën e zhdukjes së Martinajve është ngjarja e 24 Gushtit, kur u arrestua efektivi i policisë, Jeton Lami.

Në momentin e arrestimit Ervis Martinaj ishte zhdukur prej dy javësh.

Gjatë paradites, në godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Tiranës thirret nga shefat e tij efektivi i operacionales Jeton Lami. Sapo u paraqit në zyrë, Lami u pyet nëse kishte pasur njohje me Ervis Martinajn, nëse e kishte takuar atë në ndonjë rast, nëse kishin njohje të përbashkëta.

Efektivi në fillim, mohoi gjithçka. I quajti të pavërteta hamendësimet e shefave, deri kur këta i treguan videon e famshme nga Hotel Adriatik në Durrës. Ai duket se ecën së bashku me Ervis Martinajn dhe të dashurën e tij. Lami kishte prenotuar dhomën e hotelit në emrin e tij, pasi Ervis Martinaj do të kalonte një natë me të dashurën.

I kapur në befasi, Jeton Lami ka pranuar njohjen dhe shoqërimin e Martinajt. Në zyrë, iu vunë prangat dhe u shoqërua në qeli.

RRËFIMI TEK GLEDIS NANO

Jeton Lami është ende sot çelësi që mund të zbërthejë misterin mbi fatin e Ervis Martinajt. Prej tre muajsh thuhet se refuzon të flasë. Por kjo është pjesërisht e vërtetë.

Pasi u arrestua në 24 Gusht, Jeton Lami pranoi të takohet vetëm me një njeri, Drejtorin e atëhershëm të Policisë, Gledis Nano.

Për disa orë, ata kanë qëndruar bashkë në qeli dhe Nano dëgjoi me veshët e tij gjithçka që dinte Jeton Lami.

Mësoi jo vetëm për hasmëritë e Martinajt, por edhe për destinacionin e tij të fundit dhe çka është më e rëndësishme, u njoh me emrat e shefave të policisë që ishin në listë-pagesën e Ervis Martinajt.

SHKARKIMI I GLEDIS NANOS

Pasi u njoh me dëshminë e Jeton Lamit, që tregoi destinacionin e fundit të Vis Martinajt dhe emrat e policëve që paguheshin prej tij, Gledis Nano u takua menjëherë me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi tek i cili raportoi gjithçka.

Këtu nisi edhe fundi i karrierës së tij. Bledi Çuçi i premtoi një përgjigje ditën e hënën. Dhe ashtu ndodhi.

Në takimin e radhës, të hënën e datës 29 Gusht Lapsi.al raportoi një takim të tensionuar në zyrën e Çuçit. Aty Gledis Nano mori ftesën për të dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

“Arsyeja” që i dha Çuçi ishin rezultatet e dobëta për rendin dhe sigurinë gjatë sezonit turistik.

I tensionuar nga përgjigjia e Çuçit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë takoi kryeministrin Edi Rama. Shpresa e tij ishte se Rama do t’i jepte një përgjigje tjetër nga ministri. Lapsi.al mësoi se Rama u tregua i mirëkuptueshëm me Nanon, por në fund i tha të vepronte siç e kishte këshilluar ministri.

Vetë Rama më vonë gjatë një interviste në Opinion tha se në këtë takim, Gledis Nano ia konfirmoi dorëheqjen, por më pas ndryshoi mendje.

“Ai ma kishte konfirmuar mua dorëheqjen. Iu kërkua dorëheqja sepse situata e kohës së fundit ishte problematike. Kjo kërkonte një ndryshim të lidershipit të saj në krye të policisë së shtetit” – është shprehur Rama gjatë intervistës në Opinion.

Ikja e Gledis Nanos/ Drejtori që pëshpëriste në veshët e ambasadave

TROKITJA E NANOS NË AMBASADËN AMERIKANE

Lapsi.al mësoi se pasi konfirmoi dorëheqjen tek kryeministri Rama, në ditët e fundit të detyrës së tij, Gledis Nano pati një takim në ambasadën amerikane. Mbështetja e ambasadës për Nanon ishte e njohur dhe nuk mungoi as kësaj radhe.

Nga burime të afërta me të, Lapsi.al mësoi se Gledis Nano tregoi në ambasadë edhe një herë dëshminë e Jeton Lamit, për përfshirjen e shefave të policisë në listë-pagesat e Ervis Martinajt, për këshillën për t’u dorëhequr dhe për faktin se i kishte pranuar Ramës dorëheqjen, e cila pritej të zyrtarizohej në datën 31 Gusht në mbledhjen e qeverisë, të mërkurën.

Një burim i Lapsi.al tha se një ditë para mbledhjes së qeverisë, ambasadorja amerikane kërkoi takim me kryeministrin Rama për çështjen e Gledis Nanos. Por në vend të Ramës, ajo u prit nga Drejtoresha e Kabinetit, Vali Bizhga.

Sipas Juri Kim, në vend të shkarkimit të Gledis Nanos do të kishte qenë më i përshtatshëm një transferim i tij drejt postit të zv.shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror, kreu i të cilit ishte larguar për specializim në SHBA.

Por duket se Rama nuk ia fali këtë vizitë në ambasadën amerikane. Në takim, ai i kishte premtuar dorëheqjen.

Prandaj në të njëjtën ditë që u shkarkua Gledis Nano, mori përgjigje edhe propozimi i Juri Kim. Të mërkurën në postin e Zv.Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror u emërua Oljan Kanushi.

MESAZHI PËR JETON LAMIN

Për këdo që ka qenë i kujdesshëm ditën që u bë kontrolli në shtëpinë e Martinajve, doli edhe një lajm tjetër. U raportua se hetimet për Jeton Lamin u zgjatën me tre muaj të tjerë nga prokurori i Kurbinit.

A ka Jeton Lami dyzime për ta dhënë sërisht dëshminë e tij? Mos ndoshta, çështja e tij do të kalojë në SPAK? Përse u zgjatën hetimet me 3 muaj të tjerë?

Këto janë pyetje që shqetësojnë në radhë të parë shefat e policisë, që paguheshin çdo muaj me paratë e biznesit të Ervis Martinajt. Janë këta që e duan të mbyllur një herë e mirë historinë e tij.

Sepse, nëse Jeton Lami pranon të flasë për të dytën herë, shkakton një tërmet në nivelet më të larta të policisë.

Prandaj çarmatosja e Martinajve ishte edhe mesazh për dëshmitarin e heshtur, Jeton Lami. Ai duhet ta kuptojë se kohët kur Vis Martinaj kishte mbrojtjen e policisë, kanë perënduar./Lapsi.al

https://lapsi.al/2022/08/31/andi-bushati-ajo-qe-mbeti-mister-ne-shkarkimin-e-gledis-nanos/



4 Comments

  1. Jetoni i vdekur eshte por ka mbrojtjen e SPAK me kryeprokuror te mbeshtetur nga USA, qe ka garanci se ai do flase perderisa ja zgjaten hetimet!

  2. E tmerrshme ku jetojme.
    Do te doja te lexoja komentet e Jorgo Palikarit per keto hynere. Do gjeje dot nje menyre per ti zhvleresuar? Apo do te thote qe ngjarje te tille ndodhin edhe ne bote, behen edhe filma!
    Ikni njerez, futjani vrapit se do tu vije rradha!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *